Ukraina, sulm i rëndë me raketa ruse në Kiev
R.SH. / Vatikan
Në kryeqytet gjatë natës u dëgjuan shpërthime, që lanë një të vdekur dhe të paktën 30 të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin njerëz nga rrënojat. Ngrohja dhe energjia elektrike u ndërprenë për qindra mijëra njerëz. Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko u bëri thirrje banorëve "të mos largohen nga strehimet e tyre derisa të përfundojë shtetrrethimi". Mediat lokale raportuan se ushtria ruse lëshoi disa raketa hipersonike Kinzhal, katër raketa balistike Iskander dhe një grup raketash lundrimi Kalibr në kryeqytet dhe në shtatë rrethe. Sipas gazetës Kyiv Independent, disa shpërthime u dëgjuan në të gjithë qytetin. Një nga raketat goditi një konvikt universitar në rrethin Solomyansky dhe një ndërtesë banimi 24-katëshe në rrethin Darnytsky. Shtëpi të shumta private u dogjën në flakë. Ndërprerje të energjisë elektrike vijuan gjatë në qytetin Brovary (rreth 20 kilometra nga kryeqyteti) dhe zonat përreth.
Takimi Trump-Zelensky
"Sulmet ruse tregojnë se Moska nuk dëshiron paqe", deklaroi Presidenti ukrainas Zelensky, i cili po përgatitet të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump nesër, në orën 21:00 sipas kohës italiane, në Mar-a-Lago, Florida, në përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar. Negociatat janë shpejtuar javët e fundit pas paraqitjes të një plani paqeje publikuar nga presidenti amerikan. Ndërsa ukrainasit dhe evropianët fillimisht e konsideruan këtë dokument shumë të njëanshëm, në favor të Federatës Ruse, Zelensky më vonë publikoi detajet e një versioni të ri, të rishikuar e të kritikuar nga Moska, e cila akuzoi Ukrainën se donte të "minonte" negociatat e paqes. Varianti i Kievit bën thirrje për një ngrirje të vijës aktuale të frontit, pa ofruar zgjidhje të menjëhershme për pretendimet territoriale të Moskës, ushtria e së cilës pushton mbi 19% të territorit ukrainas. Sipas Zelensky-t, diskutimet me Trumpin në Mar-a-Lago, do të përqendrohen kryesisht në çështjet më të ndjeshme, nga fati i Donbasit, rajoni industrial dhe minerar i Ukrainës lindore të pretenduar nga Moska, deri te termocentrali bërthamor Zaporizhia, më i madhi në Evropë, i pushtuar nga ushtarët rusë.
Plani i Paqes i SHBA-së
Ndër pikat e ndryshme në tryezë, ekziston edhe mundësia që udhëheqësi i Kievit të organizojë një referendum mbi planin e paqes të Trump-it për t'i dhënë fund luftës, me kusht që Rusia të pranojë armëpushimin për të paktën 60 ditë. Të dy presidentët do të diskutojnë edhe garancitë e sigurisë që Perëndimi mund t'i ofrojë Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë. Varianti i fundit i planit të SHBA-së - një dokument me 20 pika - propozon ngrirjen e pozicioneve të të dyja palëve pa iu përgjigjur kërkesës së Rusisë për tërheqjen e forcave ukrainase nga afërsisht 20% e rajonit të Donetskut në Donbas, të cilin ata ende e kontrollojnë.
Opozita Ruse
Në kundërshtim me variantin origjinal të hartuar nga Uashingtoni dhe të paraqitur më shumë se një muaj më parë, teksti i ri nuk përfshin më asnjë detyrim ligjor për Ukrainën për t'u tërhequr nga anëtarësimi në NATO. Për këto arsye, duket e pamundur që Rusia ta pranojë dokumentin në formën e tij aktuale. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov deklaroi se teksti i ri "ndryshon rrënjësisht" nga çka që u bisedua ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, dhe bëri thirrje për rikthim në marrëveshjet e mëparshme. "Pa zgjidhjen e duhur të çështjeve që qëndrojnë në themel të kësaj krize, do të jetë e pamundur të arrihet marrëveshja përfundimtare", shtoi Ryabkov. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kujtoi një bisedë telefonike ndërmjet rusëve dhe amerikanëve në orët e fundit, por nuk pranoi të zbulonte hollësira, sepse "përhapja e këtij informacioni mund të ketë një ndikim negativ në procesin e negociatave".
Rusia, NATO dhe BE
Megjithatë, Federata Ruse është gati të angazhohet për të hartuar një pakt të ndërsjellë mossulmimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. E siguroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, sipas kanaleve të mediave sociale të ministrisë. "Gatishmëria për të formalizuar ligjërisht mungesën e planeve agresive ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian në baza reciproke, është vazhdim logjik i qëndrimit parimor të Moskës" - deklaroi Zakharova, duke shtuar se Kremlini "është gati t’i formalizojë këto angazhime me shkrim".