Leoni XIV emëron tre anëtarë të rinj pranë Komitetit Papnor të Shkencave Historike
Vatican News
Komiteti Papnor i Shkencave Historike, organizmi i Selisë së Shenjtë që mbikëqyr studimet historike mbi Kishën dhe arkivat kishtare, pasurohet me tre anëtarë të rinj. Papa Leoni XIV ka caktuar disa historianë të rinj: profesorët Umberto Longo, drejtor i Institutit Historik Italian për Mesjetën në Romë; Francesco Cesareo, president nderi i Assumption University në Worcester, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; dhe Anna Barańska, profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane të Katolicki Uniwersytet Lubelski Jana Pawła II, në Poloni.
Përbërja gjeografike e kësaj tresheje, së bashku me fushat e tyre përkatëse të specializimit, pasqyron imazhin e një organizmi që Papa Leoni XIV synon ta përforcojë duke iu referuar traditave të ndryshme historiografike.
Komiteti i ka rrënjët e veta në shekullin XIX. Ishte Papa Leoni XIII ai që, me letrën apostolike Saepenumero considerantes më 18 gusht 1883, themeloi Komisionin Kardinalor për Studimet Historike, nga i cili në vitin 1954 Papa Piu XII krijoi Komitetin e sotëm Papnor të Shkencave Historike. Prej shtatëdhjetë vitesh ky ent promovon kërkimin mbi trashëgiminë arkivore të Kishës, me vëmendje të veçantë ndaj arkivave të Vatikanit, si dhe kujdeset për kolanën e Akteve dhe Dokumenteve të botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (Libreria Editrice Vaticana). Në krye të tij që nga shtatori i vitit 2023 është jezuiti polak At Marek Andrzej Inglot, i cili pasoi murgun premonstratens francez At Bernard Ardura, që kishte drejtuar organizmin për katërmbëdhjetë vjet.