Kërko

Misa oficiada por el cardenal Pietro Parolin, secretario de Estado del Vaticano, en la Catedral Metropolitana

Kardinali Parolin në Guatemalë: Zoti e shuan urinë e njerëzimit, jo pabarazisë dhe korrupsionit

Sekretari i Shtetit, në vendin e Amerikës Qendrore për 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Kardinali kryesoi Meshën në Katedralen metropolitane e, gjatë predikimit, u kujtoi besimtarëve se "vetëm Zoti mund ta shuajë urinë më të thellë njerëzore": jo vetëm urinë për bukë, por edhe "etjen për kuptim, për dashuri, për shpresë, etjen për një jetë të re". Kardinali bëri thirrje për t'i dhënë fund dinamikës së përbuzjes dhe të padrejtësisë

Vatican News

"Dëshira për të shpallur Lajmin e Mirë të Ungjillit na shtyn ta përqafojmë mbarë njerëzimin, duke mos mbyllur më asnjë rrugë që mund të çojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më vëllazërore, më solidare, duke thyer dinamikën e përbuzjes, të indiferencës dhe të padrejtësisë së shkaktuar nga pabarazia dhe korrupsioni". Këtë theksoi Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit i Vatikanit, në predikimin e tij gjatë Meshës së Shenjtë, kryesuar të dielën, më 2 gusht, në Katedralen Metropolitane të Guatemalës, si pjesë e vizitës së tij në vend me rastin e 90-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Selinë Shenjte.

Udhëtimi - i cili riafirmon lidhjet historike të miqësisë, bashkëpunimit dhe dialogut me këtë vend të Amerikës Qendrore - filloi më 1 gusht me mbërritjen e Kardinalit Parolin në Aeroportin Ndërkombëtar La Aurora të Guatemalës, ku u prit nga Zëvendëskancelaria María Luisa Ramírez. Të dielën, më 2 gusht, Sekretari i Shtetit vizitoi azilin e pleqve Nënë Tereza e Kalkutës dhe Faltoren Vëlla Pedro. Më pas kryesoi kremtimin eukaristik në Katedrale, ku morën pjesë disa autoritete kishtare, diplomatike dhe civile, përfshirë Presidentin Bernardo Arévalo dhe Zëvendëspresidentin, ipeshkvijtë guatemalas, nuncin apostolik, si dhe priftërinj, rregulltarë e qindra besimtarë.

Përshëndetja e Papës Leoni XIV

Kardinali i solli përshëndetjet e Papës Leoni XIV popullit guatemalas:

"Në fillim të këtij çasti reflektimi, dëshiroj t'ju përcjell, para së gjithash, përshëndetjet e përzemërta të Shenjtërisë së Tij, Papës Leoni XIV, që ju ka shumë për zemër, ndaj më kërkoi t'ju përcjell afërsinë dhe bekimin e tij atëror", theksoi. Duke kujtuar arsyen e vizitës së tij, 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Guatemalës dhe 400-vjetorin e lindjes së Vëllait Pjetër - Kardinali Parolin theksoi se Provania Hyjnore nuk i ka braktisur kurrë këta njerëz, as Kishën, që viziton ato territore. "Këto dy përvjetorë ndriçohen nga Fjala e Zotit që sapo dëgjuam, e cila na paraqet një temë qendrore: vetëm Zoti mund të shuaj urinë më të thellë të qenies njerëzore. Dhe jo vetëm urinë për bukë, por edhe etjen për kuptim, për dashuri, për shpresë, etjen për një jetë të plotë dhe të begatë, për jetë të amshuar", theksoi Kardinali.

"Jepi diçka për të ngrënë"

Duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele, Kard. Parolin tregoi gjithashtu se pikërisht në këtë realitet njerëzor Kisha gjen thirrjen e saj të vërtetë: t'u sjellë bukën e Fjalës dhe bukën e Eukaristisë burrave dhe grave të çdo kohe dhe vendi, duke ndjekur urdhrin e Jezusit: "Jepuni vetë diçka për të ngrënë". Një ftesë "që jehon gjithnjë fuqishëm dhe na shtyn domosdoshmërisht të takohemi me të tjerët, kudo që janë dhe cilado qoftë situata e tyre, duke thirrur si profeti Isaia: Kush ka etje, le të vijë tek ujërat, dhe kush nuk ka para, le të vijë e të hajë". Ftesa kërkuese e Zotit, "Jepuni atyre diçka për të ngrënë", na nxit "të mos qëndrojmë indiferentë ndaj nevojave të njerëzve tanë".

  (ANSA)

Ta besojmë në duart e Jezusit atë pak që kemi

Kardinali Parolin pohoi edhe se, përballë nevojave të botës - varfërisë, vetmisë, padrejtësisë dhe vuajtjes, shpesh pasojave të korrupsionit - mund të mendojmë se bëjmë fare pak. Por Jezusi na fton të bëjmë atë që kemi. "Edhe pse pesë bukët dhe dy peshqit tanë mund të duken të pamjaftueshëm, e ne, me aftësitë tona të përulura, të jemi vetëm administratorë, mrekullia fillon pikërisht kur dishepujt i lënë pasuritë e tyre të pakta në duart e Krishtit.

E njëjta gjë ndodh edhe në jetë: kur i japim Zotit kohën tonë, aftësitë tona, bujarinë tonë, madje edhe kufizimet tona, Ai i shumëfishon këto dhurata për të mirën e shumë njerëzve", theksoi Kardinali.

Programi i vizitave

Këtë të hënë, më 3 gusht, vizita e Kardinalit Parolin në Guatemalë përfshiu  takimin me Presidentin Arévalo, pasuar nga një takim i dytë me përfaqësues të popujve indigjenë. Më pas, kardinali do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme, Carlos Ramiro Martínez, dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik. Nesër, të martën, më 4 gusht, dita e fundit e udhëtimit, Sekretari i Shtetit do të takohet me ipeshkvijtë dhe priftërinjtë e vendit. Vizita do të përfundojë me një kremtim pranë Shenjtores Kryedioqezane të Adhurimit të Përjetshëm, në komunën e Mixco.

03 gusht 2026, 15:27