LEBANON VATICAN

Imzot Gallagher fillon vizitën e tij në Rusi

Në një postim në X nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, bëhen të njohura takimet e Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare në Federatën Ruse. Imzot Richard Gallagher mbërrin sot në Moskë me një mision dialogu dhe paqeje

Vatican News

         Ditë intensive, ndërmjet takimeve me autoritetet ruse, me përfaqësues të Patriarkanës së Moskës dhe me bashkësinë katolike. Ky është programi i vizitës së Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në Federatën Ruse, siç njoftohet nga një postim në rrjetin social X të Terza Loggia, faqes së Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Prelati mbërrin në Moskë sot dhe do të kthehet në Romë më 28 gusht.

         Nesër - e martë, 25 gusht - kryeipeshkvi do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov e, më pas, do të ketë një bisedë me Mitropolitin Antonij të Volokolamskut, që është kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Patrikanës së Moskës. Të mërkurën, më 26 gusht, imzot Gallagher do të takohet me këshilltarin për Politikën e Jashtme të presidentit të Federatës Ruse, Yuri Ushakov. Ky takim konfirmon vendosmërinë e Selisë së Shenjtë për të vazhduar rrugën e dialogut, edhe në një nga fazat më të vështira në marrëdhëniet ndërkombëtare globale.

         Udhëtimi i kryeipeshkvit Gallagher është gjithashtu mundësi për t'u takuar me bashkësinë katolike, të enjten, më 27 gusht. Ai do të bisedojë fillimisht me klerin dhe me rregulltarët e, më pas, do të kremtojë meshën në katedralen e Zojës së Papërlyer në Moskë. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare do të takohet më pas me ipeshkvijtë. Kisha Katolike në Rusi është e vogël numerikisht dhe e shpërndarë gjeografikisht në një territor të gjerë. Organizimi i saj territorial përfshin kryedioqezën e Nënës së Zotit në Moskë dhe dioqezat e Shën Klementit në Saratov, të Shndërrimit të Zotit në Novosibirsk dhe të Shën Jozefit në Irkutsk.

Kjo nuk është hera e parë që imzot Gallagher viziton kryeqytetin rus. Vizita e fundit daton në nëntor 2021. Me atë rast, prelati u takua me kryeministrin Mikhail Mishustin, me ministrin e jashtëm Sergey Lavrov dhe me kreun e atëhershëm të Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme të Patrikanës së Moskës, mitropolitin Hilarion.

24 gusht 2026, 12:04