Dialogu kristiano-konfucian, Koovakad: së bashku për një botë më në harmoni
Vatican News
Nga 4 deri më 5 gusht, Universiteti Katolik i Sogang në Seul (Koreja e Jugut) mirëpret bisedimet e para kristiano-konfuciane. Kjo ngjarje historike, e promovuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar në bashkëpunim me Akademinë Konfuciane Koreane Sungkyunkwan, me Konferencën Ipeshkvnore të Koresë dhe me vetë universitetin, bashkon studiues dhe krerë fetarë nga vende të ndryshme. Takimi u hap me paraqitjen e projektit të Udhëzuesit për dialogun e krishterë-konfucian, versioni përfundimtar i të cilit do të publikohet në përfundim të takimit dyditor, duke shënuar një pikë referimi historike për dialogun ndërfetar.
Vlerat e përbashkëta mes vizionit të krishterë dhe Datong-ut
Në fjalimin e tij hyrës, kardinali-prefekt George Jacob Koovakad theksoi se krishterimi dhe konfucianizmi kanë të njëjtën aspiratë për të ndërtuar shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Vizioni i krishterë i Qiellit të ri dhe i Tokës së re (marrë nga Libri i Zbulesës) dhe ideali konfucian i Datong-ut (Harmonisë së Madhe të përshkruar në Librin e Riteve) ofrojnë të dy një horizont shprese kundër krizave shoqërore dhe morale. Pavarësisht nga bazat e ndryshme doktrinore — shëlbimi hyjnor për të krishterët dhe formimi moral për konfucianët — të dyja traditat e hedhin poshtë idenë se egoizmi dhe padrejtësia janë të pashmangshme, duke synuar të mirën e përbashkët dhe begatinë njerëzore.
Perspektiva historike dhe sfidat moderne
Ipeshkvi Matthias Iong Hoon Ri dhe atë Luke Jong Hyeok Sim theksuan rëndësinë e takimit në një epokë të shënuar nga ndarje dhe kriza ekologjike, duke kujtuar gjithashtu se katolikët e parë koreanë ishin pikërisht studiues të formuar në traditën konfuciane. Siç u vu in pah nga Sekretari i Dikasterit vatikanas, monsinjor Indunil Janakaratne Kodithuwakku Kankanamalage, qëllimi nuk është të fshihen dallimet, por të bashkëpunohet krah për krah për t'iu përgjigjur sfidave të sotme të njerëzimit përmes një dialogu të sinqertë, të frytshëm dhe afatgjatë.