Bëhet i njohur himni i Ditës Botërore të Rinisë në Seul
Vatican News
Më 3 gusht, saktësisht një vit para fillimit të ngjarjes, u bë i njohur himni zyrtar i Edicionit të 41-të të Ditës Botërore e Rinisë, e cila do të mbahet në Seul (Koreja e Jugut) nga 3 deri më 8 gusht 2027, me temë "Mos u trembni: unë munda botën!" (Gjn 16, 33). I titulluar në latinisht “Confidite, ego vici mundum” dhe i përzgjedhur mes 434 propozimeve nga një konkurs i fituar nga muzikanti korean Francis Jiyoon Kim, ky krijim bashkon korin, orkestrën dhe instrumentet tradicionale koreane në versione shumëgjuhëshe. Himni synon të arrijë tek gjithë të rinjtë anembanë botës, që besojnë në Jezu Krishtin, duke i shoqëruar ata edhe në jetën e përditshme.
Hollësitë organizative dhe nismat ekologjike
DBR-ja 2027 shënon një moment historik: është hera e dytë që kjo ngjarje zhvillohet në Azi, që nga koha e Manilës më 1995 dhe, është hera e parë në një vend ku katolikët janë pakicë (rreth 12% e popullsisë). Regjistrimet për shtegtarët do të hapen në tetor. Kryeipeshkvi i Seulit, imzot Peter Chung Soon-taick, njoftoi se rreth 30 mijë vullnetarë janë impenjuar në organizimin e ngjarjes dhe shpalli fillimin e fushatës globale për mbjelljen e pemëve Breath of life, frymëzuar nga enciklika Laudato si'. Gjithashtu, nga 29 korriku deri më 2 gusht 2027, "Ditët në Dioqeza" do t'u japin mundësinë shtegtarëve të priten në pesëmbëdhjetë dioqeza koreane, para takimeve të mëdha në kryeqytet.
Rruga e përgatitjes dhe simbolet e DBR-së
Rruga drejt ngjarjes përfshin disa etapa të rëndësishme: nga kalimi i kryqit dhe i ikonës së Zojës Salus populi romani nga të rinjtë portugezë te ata koreanë në nëntor 2025, deri te shtegtimi kombëtar i simboleve nëpër dioqezat e Koresë (aktualisht në Uijeongbu). Janë caktuar edhe shenjtorët pajtorë zyrtarë të DBR-së së Seulit — Papa Gjon Pali II, Andrea Kim Taegon, Francesca Saverio Cabrini, Giuseppina Bakhita dhe Carlo Acutis — dhe është publikuar lutja zyrtare, e lindur nga një proces sinodal për të shoqëruar të rinjtë drejt takimit të vitit 2027.