Kërko

Një imazh i një prej veprave të pabotuara të zbuluara - Biblioteka Dioqezane e Pelplinit Një imazh i një prej veprave të pabotuara të zbuluara - Biblioteka Dioqezane e Pelplinit

Shën Augustini dhe dy predikimet e rigjetura në Poloni

Në bisedë me Prof. Christian Tornau e Atë Giuseppe Caruso rreth zbulimit, në një kodik a dorëshkrim sakson, të dy teksteve të pabotuara, që i atribuohen Ipeshkvit të Iponës.

Vatican News

“Dy vjet më parë, në vitin 2024, u takova me Paul Nebauer", shpjegoi Profesor Christian Tornau për mediat e Vatikanit. "Nebauer kishte gjetur një dorëshkrim mesjetar në bibliotekën dioqezane të Pelplin, Poloni. Përmbante predikime që i atribuohen Augustinit. Ai më kërkoi ta ndihmoja  të identifikonte dhe të përkthente tekstet. Dorëshkrimi u shkrua në Doberan, në shekullin e dymbëdhjetë. Mund të jetë kopjuar nga ndonjë dorëshkrim i humbur nga Amelungsborn, Saksonia e Poshtme, por aktualisht origjina e tij më tej në kohë nuk është e mundur të rikrijohet".

Zbulimi

Nga predikimet e përfshira në dorëshkrim, dy ishin të njohur: Predikimi i 37-të nga Ipeshkvi i Iponës dhe një pseudo-Augustin. "As unë dhe as miku e kolegu im Clemens Weidmann, nuk qemë në gjendje t’i identifikonim dy të tjerët", vazhdon Tornau. "I transkriptuam tekstet dhe filluam t'i analizonim për botimin e ardhshëm. Natyrisht, ishim të magjepsur nga ideja e gjetjes së teksteve të reja nga Shën Augustini, por shpejt u bëmë skeptikë, sepse disa fragmente nuk na u duken se përputheshin me stilin e tij".

Analiza filologjike

Bindja se janë të vërteta - vazhdon profesor Tornau - është rezultat i një analize të thellë filologjike, që zgjati gati dy vjet. "Një pjesë e punës u krye gjatë një Shkolle Verore të organizuar nga CSEL (Corpus Scriptorum Ecclesiasticorum Latinorum) në Vjenë, në vitin 2025, me një grup studentësh doktorature dhe postdoktorantë". Pas kësaj periudhe intensive leximi dhe analize, ekipi i kërkimit arriti në përfundimin se nuk ka kundërshtime të rëndësishme ndaj atribuimit. Atë Giuseppe Caruso, studiues i mendimit të Hipokratit, komentoi mbi këtë zbulim.

"Në këtë rrethanë specifike, dhe ndërsa presim të shohim tekstet - tha AtiëCaruso - besoj se atribuimi i kolegëve tanë gjermanë është i denjë për konsideratën më të madhe".

Pse e konsideroni të besueshme metodën e punës së kolegëve tuaj në Würzburg?

Prej sa kam mësuar nga raportet e shtypit, Profesor Tornau, profesor katedre në Würzburg, deshi të analizonte një dorëshkrim të ruajtur në Pelplin, Poloni, që përmbante predikime nga Agustini. Njëheresh me tekste të tjera, krejtësisht të njohura, gjeti edhe dy të panjohur më parë. Prania e këtyre predikimeve, së bashku me tekste të tjera, qartësisht augustiniane, ishte një e dhënë, por sigurisht jo provë, e vërtetësisë të tyre; kjo doli në dritë përmes analizës së tekstit, i cili zbuloi, siç e kuptoj unë, një usus scribendi (përdorim shkrimi) plotësisht në përkim me atë të Augustinit.

Dikush mund të pyesë veten pse këto dy fjalime nga hiponiani nuk janë përhapur aq gjerësisht, sa shumë e shumë të tjera; mund të guxoj të hamendësoj, por është vetëm një hipotezë, se argumenti i tyre - funksionoi kundër tyre. Lidhur me këtë kujtojmë se Augustini diskuton episodin e nekromancerit të Endorit, të cilit Sauli i kërkon të thërrasë shpirtin e Samuelit (1 Samuelit 28). Ky është pasazh problematik, që duket sikur pohon se thirrja e të ndjerit, megjithëse e ndaluar, është e mundur, dhe se ekzegjetë të mëdhenj të antikitetit, si Origeni, Eustathius i Antiokisë dhe Gregori i Nisës, e trajtuan atë. Ndoshta disa kopjues mesjetarë e gjetën një trajtim homiletik të kësaj teme jo interesante (të cilën, për më tepër, shën Augustini e trajton në De diversis quaestionibus ad Simplicianum dhe De octo Dulcitii quaestionibus); por do të jetë e nevojshme të lexohen tekstet, botimin e të cilave e presim me padurim, për të qenë në gjendje të themi diçka më shumë.

Në botën e vonë latine dhe mesjetare, ekzistonte një perceptim i ndryshëm i autorësisë së një teksti, shumë larg konceptit tonë të së drejtës së autorit. Në centoni esegetisi, për shembull, teksti ndonjëherë i atribuohej qëllimisht një "autori" të njohur, për të siguruar përhapjen e tij më të gjerë. A mund të jetë edhe ky rasti?

Arsyet ishin në një tekst, që mund t'i atribuohej një autori tjetër, përveç atij të vërtetë. Mund të bëhej me inat, për ta parandaluar kopjimin e një teksti (siç ndodhi me shkrimet e Apollinarit, të atribuara Atanasit), ose për t'i dhënë autoritet: një frat augustinian i brezit të parë, për të pohuar se Urdhri ishte zbatues besnik i parimeve monastike të Agustinit, shkroi Sermones ad fratres në eremin e tij, duke ia atribuar ato ipeshkvit të Iponës. Por gjithashtu mund të jetë që atribuimi të jetë bërë me mirëbesim: kopjuesi gjeti një homeli të bukur, ndoshta në një dorëshkrim që përmbante disa nga Augustini, dhe tentoi t'ia atribuonte të gjitha atij. Këto janë rrethana shumë të ndryshme, siç mund të shihet, dhe duhet të studiohen rast pas rasti.

Korpusi i veprave të Augustinit është vërtet i gjerë: pse nuk është kaq e pamundur që ato të jenë predikime autentike (e që ekziston mundësia e zbulimeve të tjera të ngjashme në të ardhmen?)

Augustini shkroi shumë, ndaj me të vërtetë duket se ka diçka për të thënë për çdo temë. Po, me të vërtetë ka shpresë për shkrime të reja, edhe të panjohura e të gjetura rastësisht, veçanërisht letra dhe fjalime të pabotuara. Divjak gjeti njëzet e shtatë letra të pabotuara në Marsejë në vitin 1975; Dolbeau "zbuloi" njëzet e gjashtë predikime në Mainz, në vitin 1990; gjashtë të tjera u zbuluan në Erfurt, në vitin 2007, e tani, këto të dyja: shpresa nuk humbet kurrë...

Ju pëlqen të përsërisni se "Etërit e Kishës janë si miniera nga të cilat nxirren mësime". Çfarë po bëni aktualisht në punën tuaj "hulumtuese"?

Unë përqendrohem kryesisht te Augustini, Jeronimi dhe një temë, polemika pelagjiane, e cila i pa ata të bashkuar kundër një kundërshtari të përbashkët. Teologu i shekullit të V-të, Pelagius mbrojti me forcë lirinë njerëzore, aftësinë për të zgjedhur dhe për të bërë çka është e mirë, pa pohuar njëkohësisht se gjendja njerëzore, përplot me kufizime, duhet të mbështetet dhe të ndihmohet vazhdimisht nga hiri i Hyjit!

Kjo është një temë interesante, por edhe sfiduese: kur përpiqemi të veprojmë drejtësisht, duket sikur e gjithë përpjekja është e jona; megjithatë, e dimë se Zoti na ndihmon të dëshirojmë dhe të bëjmë atë që është e mirë. Në fund të fundit, është çështje e të kuptuarit se si vepron Zoti, në  mënyrë misterioze dhe shpesh të heshtur, brenda secilit prej nesh, dhe kjo e bën temën tërheqëse, por edhe komplekse.

10 korrik 2026, 15:18