Një i ri i shoqëruar nga një grua e moshuar feston Ditën në Kampala, Ugandë. Një i ri i shoqëruar nga një grua e moshuar feston Ditën në Kampala, Ugandë.

Mosha e tretë nuk është barrë për t’u drejtuar, por dhuratë për t’u ruajtur

Intervistë me Vittorio Scelzo-n, drejtues i baritorisë për të moshuarit në Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, vetëm pak ditë para Ditës së 6-të Botërore të gjyshërve dhe të moshuarve, që sivjet kremtohet të dielën, më 26 korrik, në festën e Shenjtorëve Joakimi dhe Ana, "gjyshi e gjyshja e Jezusit": "Nuk mjafton të organizojmë shërbesa, duhet të krijojmë marrëdhënie".

Vatican News

"Nuk mjafton të organizojmë shërbesa, duhet të ndërtojmë marrëdhënie": vetëm kështu "siguria se Zoti nuk do të na harrojë" mund të përkthehet në "përvojën e përditshme të kujtimit nga famullia dhe nga familja jote". Vittorio Scelzo, zyrtar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, përgjegjës për kujdesin baritor të të moshuarve,  bën për mediat e Vatikanit bilancin e rreth gjashtë viteve, që nga themelimi i Ditës Botërore të të Moshuarve, që këtë vit kremtohet të dielën, më 26 korrik, në festën e Shenjtorëve Joakimi dhe Anna, prindër të Virgjërës Mari e "gjyshër të Jezusit".

Dita botërore e gjyshërve dhe të moshuarve ka arritur në vitin e saj të gjashtë. Cili është vlerësimi i progresit të bërë deri më tani?

Në vitet e fundit Dita ka nisur të konsolidohet si ngjarje e rregullt në jetën e Kishës. E lindur për t'iu përgjigjur izolimit të imponuar nga pandemia Covid-19, i dha një përmasë më organike reflektimit mbi të moshuarit. Qëllimi nuk është kufizuar kurrë në festimin e një dite të veçantë, por është përqendruar në zhvillimin e një kujdesi të vërtetë baritor të të moshuarve, të aftë për të tejkaluar idenë e pleqërisë thjesht si çështje kujdesi: të moshuarit, jo më thjesht përfitues të shërbimeve bamirëse, bëhen pjesëmarrës aktivë në kujdesin baritor. Të moshuarit janë pjesë e konsiderueshme e popullit të Zotit. Ndaj është e nevojshme t'u ofrohet kujdesi baritor që meritojnë. Sfida afatgjatë është transformimi i kësaj ndjeshmërie në praktikë të zakonshme, duke e rrënjosur atë në programet e formimit të bashkësive kishtare.

Tema e zgjedhur nga Leoni XIV, "Po unë kurrë nuk do të të harroj" (Isaia 49:15), të kujton afërsinë e Zotit dhe angazhimin e bashkësisë ndaj të moshuarve, veçanërisht më të vetmuarve. Çfarë perspektivash konkrete hap ky mesazh?

Fjalët e Isaisë hapin perspektiva shumë interesante. Së pari, kapërcimi i asaj që Papa Françesku e quajti "kultura e mbeturinave", e që u bën thirrje komuniteteve të dalin dhe t'u shtrijnë dorën të moshuarve: në një epokë ku vlera e njerëzve matet nga efikasiteti i tyre, ata që humbasin forcën ose kujtesën e tyre rrezikojnë të ndjehen të harruar. Leoni XIV shton se "dashuria e Zotit, që nuk harron askënd, është përgjigjja ndaj anonimatit në të cilin jeta njerëzore përfundon e humbur". Mesazhi të kujton se misioni i Kishës është ta bëjë këtë "mos-harrim" hyjnor të dukshëm dhe të prekshëm, duke i bërë jehonë enciklikës Magnifica Humanitas.  Nuk mjafton ta pohojmë gojarisht dinjitetin e të moshuarve: duhet t’u shtrijmë dorën, t’u afrohemi me një vizitë, me një përqafim. Në praktikë, Papa na kërkon t’i vizitojmë të moshuarit: ftesë, që është veçanërisht e rëndësishme në këtë kohë të vitit, të pushtuar nga vapa e verës dhe nga vetmia shpesh herë më e mprehtë se në kohë të tjera të vitit. Mund të duket, e në të vërtetë është, kërkesë për vëmendje shoqërore; por përvoja na mëson se kjo afërsi do të pushojë së qeni gjest i izoluar vetëm kur të moshuarit të vendosen vërtet në qendër të jetës kishtare! E atëherë do t’u bëhet e qartë të gjithëve sa e çmuar është prania e tyre: jo barrë për t’u mbartur, por dhuratë për t’u çmuar. Në një nivel operativ, kjo do të thotë se bashkësia duhet të bëhet barrë e vetmisë dhe e varfërisë së vërtetë të pleqërisë: nuk mjafton të organizohen shërbime, është e nevojshme të ndërtohen marrëdhënie. Siç e përsërisim në Dikaster, sfida është të kalojmë “nga ndihma - në ekzistencë” me projekte jetësore në të cilat të moshuarit ndihen pjesë e bashkësisë “ne”. Siguria se Zoti nuk të harron kurrë, duhet të përkthehet në përvojën e përditshme që të kujton se nuk je harruar as nga famullia, e as nga familja.

Në vitet e fundit, keni mbledhur përvoja të rëndësishme në dioqezat dhe famullitë tuaja. A ka ndonjë praktikë të mirë apo iniciativë veçanërisht të suksesshme, që tregon ndjeshmëri në rritje ndaj të moshuarve?

Po, paralajmërimi i vazhdueshëm i Dikasterit tregon një kreativitet baritor shumë të gjallë, me përgjigje të ndryshme në varësi të kontekstit gjeografik. Në shumë dioqeza të Amerikës Latine, kremtimi është i gërshetuar me përkushtimin ndaj Shën Anës. Në Venezuelë, kujdesi baritor i të moshuarve është veçanërisht i vëmendshëm për të siguruar që mesazhi "Nuk do të të harroj kurrë" të arrijë tek të gjithë të moshuarit e prekur nga tërmeti. Edhe në Azi e në Afrikë nuk mungojnë nismat që, duke filluar nga Dita, i vënë të moshuarit përsëri në qendër të jetës kishtare: dioqeza e Kampalës, në Ugandë, është ndoshta ajo me aktivitete më të shumta dhe më të përhapura.

Në Indi të rinjtë kanë krijuar gjatë viteve fushata në mediat sociale për ta kremtuar Ditën. Një praktikë që po përhapet kudo dhe të cilën ne e kemi mbështetur me entuziazëm, është vizita e të moshuarve të vetmuar: shumë famulli kanë organizuar grupe të vërteta shoqërimi. Në Evropë, spikasin projektet e "aleancës ndërgjeneracionale", ku të rinjtë dhe të moshuarit jetojnë së bashku çaste lutjeje a kohe të lirë, duke i dhënë fund ndarjes së brezave, që përfundon duke i varfëruar të dy. Kur njeriu i moshuar kthehet në qendër, përfiton e gjithë bashkësia. 

Papa na fton ta bëjmë afërsinë me të moshuarit pjesë të rregullt të jetës kishtare, jo të kufizuar në një ditë të vetme. Cilat janë sfidat kryesore sot, që kjo të ndodhë?

Para së gjithash, nevojitet ndryshimi i mentalitetit nga ana e shoqërisë, por edhe nga vetë të moshuarit. Ne nuk mund të pranojmë të jetojmë, dhe t'i lëmë të tjerët të jetojnë, njëzet ose tridhjetë vjet, pa motivim dhe pa  mision: pleqëria është  fazë e jetës, që duhet të gjejë përshpirtërinë e vet, jo  kohë boshe që duhet të mbushet me diçka, ndërsa presim fundin. Nuk mundemi as të pretendojmë se nuk ekziston dhe të vazhdojmë të jetojmë sikur koha të ketë ndaluar. Vetë Leoni XIV, duke iu drejtuar të moshuarve drejtpërdrejt në mesazhin e tij, i inkurajon me një thirrje të qartë: "Mos kini frikë nga brishtësia!", duke shpjeguar se kjo dobësi, nëse përqafohet, hap zemrën për thirrje dhe bëhet vetë thirrje. Një shenjë konkrete e kësaj është misioni që Papa u beson të moshuarve: të bashkohen me të në lutje këmbëngulëse për mbërritjen e shpejtë të paqes në botë. Thirrje, jo pension shpirtëror.

Ndihmat baritore, lutja zyrtare dhe materiale të tjera janë përgatitur për të shoqëruar Ditën. Kujt i drejtohen ato dhe si mund t'i ndihmojnë komunitetet ta përjetojnë konkretisht këtë rast?

Materialet e përgatitura - i ashtuquajturi "kit baritor" që gjindet në faqen e internetit të Dikasterit - janë mjete të menduara për të lehtësuar punën e bashkësive kishtare. Propozimi është qëllimisht i thjeshtë: të kremtohet një Meshë me të moshuarit, ndoshta në katedrale, dhe vizitohen të moshuarit e vetmuar në bashkësinë tuaj. Këto janë rekomandime shumë konkrete: në përputhje me temën e këtij viti, kërkojmë që askush të mos harrohet dhe, për këtë arsye, i vizitojmë edhe të moshuarit e shtrirë në shtrat ose të paaftë të marrin pjesë në aktivitetet e bashkësisë. Edhe për ta, Dita është thirrje për ripërtëritje dhe për ta marrë seriozisht kërkesën e Leonit XIV që të ndërmjetësojnë për paqen.

26 korrik 2026, 13:23