Kërko

2026.07.17 Lee Lin-Shan

Magnifica Humanitas, shkencëtari Lee: IA nuk është për elitën, ajo i përket gjithë njerëzimit

Intervistë e mediave të Vatikanit me një nga pionierët në fushën e Inteligjencës Artificiale. I shqetësuar për garën e teknologjive të reja, të cilat ai beson se po sjellin një konkurrencë, e cila i ngjan gjithnjë e më shumë luftës, profesori i bën thirrje Vatikanit, pikë referimi morale globale, që ka autoritetin për të impenjuar protagonistët kryesorë të sektorit në kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta, duke i dhënë kështu botës mundësinë për të marrë frymë lirisht

Vatican News

Teknologjia e inteligjencës artificiale "nuk është fryt i punës së pak njerëzve", por "përmbledhja e urtisë dhe e përpjekjeve të krejt njerëzimit në vite". Përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale paraqet sfida dhe probleme serioze për shoqërinë njerëzore në tërësi. Ndoshta, Vatikani mund të ndihmojë në promovimin e nismave të koordinuara, në këtë konkurrencë, që i ngjan gjithnjë e më shumë luftës, për ta lënë botën të marrë pak frymë. Ky është mendimi, i pashprehur më parë publikisht, i profesorit Lee Lin-Shan, pedagog në Shkollën e Inxhinierisë Elektrike dhe Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Tajvanit që nga viti 1979. Me rastin e botimit të enciklikës « Magnifica Humanitas » të Papës Leoni XIV, shkencëtari u intervistua nga media e Vatikanit, me të cilat reflektoi mbi zhvillimin aktual të inteligjencës artificiale dhe mbi përgjigjet e mundshme ndaj sfidave, që ajo paraqet.

IA buron nga pasuria e njohurive të njerëzimit

I quajtur "një yll në shkencën e Azisë Lindore" nga revista « Nature », ndërmjet viteve 1979 dhe 1998, Lee Lin-Shan u përball me sukses me një sfidë krejtësisht të re, një sfidë që deri atëherë nuk kishte tërhequr vëmendjen e botës kërkimoro-shkencore: u mësoi kompjuterave të transkriptonin dhe të lexonin me zë të lartë gjuhën kineze mandarine. Mund të thuhet se baza e aplikacioneve të lidhura me gjuhën mandarine në telefonat celularë është fryt i punës së tij. Teknologjia, që ai zhvilloi gjatë viteve, është ajo, që sot e quajmë inteligjencë artificiale. Ky shkencëtar tregon për mediat e Vatikanit se "ata që veprojnë në fushën e IA-së kanë zbuluar se shumë nga krijimet njerëzore gjatë viteve, pjesë e qytetërimit të pashtershëm të dijes, mund të përfaqësohen përmes të dhënave dhe më pas të përdoren nga teknologjia e IA-së". Gjithashtu, falë njohurive dhe përpjekjeve të shumë njerëzve, teknologjia e IA-së "duket se është në gjendje të bëjë gjithçka", por nuk është fryt i punës elitare.

Gara e Inteligjencës Artificiale si konkurrencë globale

Profesor Lee beson se "pothuajse të gjithë shkencëtarët e filluan punën e tyre me qëllim për të promovuar të mirën e të gjithë shoqërisë njerëzore, pavarësisht nga pasojat anësore negative dhe të pashmangshme të zbulimeve shkencore". Përveç kësaj, nënvizon ai, "shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale është përtej imagjinatës së shumicës dërrmuese të njerëzve. Shumë njerëz luftojnë për t'u përshtatur" me këto ndryshime. Lee e krahason gjendjen aktuale me "një fushë beteje globale: vetëm ata që përparojnë më shumë do të kenë mundësi të përfitojnë gjithçka. Të gjithë japin maksimumin dhe, sigurisht, teknologjia po përparon me një ritëm marramendës".

Etika e IA-së dhe sfida e qeverisjes së përbashkët

Deklarata e Lee-së përkon me çfarë shkruan Papa për "kulturën e pushtetit" në enciklikën « Magnifica Humanitas ». Në paragrafin 185, Papa shpjegon se "Babeli modern nuk është vetëm paradigma teknokratike e globalizuar, por edhe ndeshja në distancë ndërmjet imperializmave kundërshtare, ndërmjet fuqive që duan të ruajnë supremacinë e tyre dhe fuqive që aspirojnë ta kenë atë, në kuadrin e një shumëllojshmërie konfliktesh lokale". Këto pushtete po "konkurrojnë për të zhvilluar teknologji gjithnjë e më të fuqishme". Duke folur për vështirësitë me të cilat përballen inxhinierët dhe shkencëtarët në këtë fushë, profesori pohon: "Shumë prej tyre i kanë kuptuar pasojat anësore negative të teknologjisë së IA-së në shoqëri dhe, për këtë arsye, po përpiqen të promovojnë interpretueshmërinë, besueshmërinë dhe kontrollueshmërinë e sistemeve që zhvillojnë. Shumë po reflektojnë edhe mbi normat e mundshme etike të IA-së për të zvogëluar efektet anësore negative. Por e gjithë kjo është e vështirë, sepse është – pashmangshëm - sfidë ndërdisiplinore, ndërkulturore dhe ndërkombëtare".

Qeveritë nuk duhet t'i injorojnë problemet sociale, që lidhen me IA-në

Siç shkruan Papa në enciklikë, "një pjesë e madhe e njerëzimit përpiqet të mbetet njeri dhe të punojë për të ndërtuar qytetin e bashkëjetesës dhe të paqes" (shih nr. 185). Duke u nisur nga ky reflektim, profesor Lee pyet nëse krerët e industrisë së IA-së, ose vendet kryesore që e udhëheqin këtë sektor, mund të arrijnë një konsensus për ta pezulluar përkohësisht zhvillimin e teknologjisë. Por, kjo zgjidhje nuk është praktike, sepse si krerët e industrisë, ashtu edhe qeveritë kanë frikë se "mospërparimi" do të thotë "regres": të gjithë po konkurrojnë për supremaci. "Kam frikë se askush nuk dëshiron të ndalet, për të mos u lënë të tjerëve mundësinë për të fituar". Prandaj, profesor Lee propozon një zgjidhje, që, sipas tij, është më e realizueshme: u kërkon qeverive të "ushtrojnë pushtet publik brenda territorit të tyre, duke nxjerrë ligje dhe duke vendosur taksa më të larta mbi industritë, që kanë fitime të mëdha nga teknologjia e IA-së ; më pas, këto fonde të përdoren posaçërisht për të zgjidhur problemet sociale, që rrjedhin nga IA, për shembull, duke ndihmuar të papunët të përshtaten me këtë kuadër të ri". Megjithatë, ky propozim paraqet edhe sfida: "Kur vendos taksa më të larta në një vend të caktuar, në mënyrë të pashmangshme dobëson konkurrencën në industrinë e inteligjencës artificiale të atij vendi. Asnjë qeveri nuk dëshiron ta bëjë këtë".

Roli i Vatikanit në konsensusin ndërkombëtar mbi IA-në

Shkencëtari vëren se « në një konkurrencë të ngjashme me luftën, të gjithë duhet të ndërmarrin nisma të koordinuara për të mos e ekzagjeruar zhvillimin e IA-së e për ta lënë botën të marrë frymë". Ndërsa është e vështirë të arrihet ky lloj "konsensusi ndërkombëtar", sipas Lee-së, "hapi i parë mund të jetë thirrja e një institucioni me ndikim dhe besueshmëri globale. Në këtë mënyrë, ata pak njerëz, që kanë influencë në sektorët e interesuar mund të dëgjojnë, të reflektojnë dhe të kërkojnë zgjidhjet më realiste. Vatikani, i cili përfaqëson një pikë referimi globale në planin moral dhe të ndërgjegjes, mund të jetë një institucion, në gjendja ta bëjë këtë".

17 korrik 2026, 16:03