Kërko

Një moment nga Plenari i FABC-së, që zhvillohet në Xhakarta deri më 26 korrik. Një moment nga Plenari i FABC-së, që zhvillohet në Xhakarta deri më 26 korrik.

Kard. Grech Asamblesë XII Plenare të FABC-së: Kisha në Azi, protagoniste e ecjes sinodale

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve kardinali Grech theksoi se sinodaliteti nuk duhet të mbetet vetëm temë reflektimi, por të bëhet mënyra e zakonshme e jetës së Kishave vendore.

Vatican News

Në fjalën e mbajtur dje,24 korrik, në Asamblenë XII Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (FABC), që po zhvillohet në Xhakartë të Indonezisë, kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, theksoi se sfida e Kishës sot nuk është thjesht të flasë për sinodalitetin, por ta jetojë atë në përditshmërinë e bashkësive kishtare.

«Nuk bëhet fjalë të flasim për sinodalitetin, por të kërkojmë si ta jetojmë atë në jetën e zakonshme të Kishave tona», u shpreh kardinali Grech, duke nënvizuar se protagoniste e fazës së zbatimit të Sinodit duhet të jetë, para së gjithash, Kisha vendore.

Sipas tij, Kisha vendore nuk është një ndarje administrative e Kishës universale, por shfaqja konkrete e saj në një vend të caktuar, aty ku shpallet Ungjilli, kremtohen sakramentet dhe besimtarët bashkohen në Krishtin. Pikërisht për këtë arsye, çdo Kishë vendore është e thirrur të japë kontributin e saj të veçantë në jetën e mbarë Kishës.

Duke folur mbi temën e Asamblesë – "Thirrja për kthim sinodal dhe misioni për të qenë ura e ndërtues urash në Azi" – kardinali Grech kujtoi se Kisha katolike universale nuk mund të kuptohet e shkëputur nga bashkësitë konkrete që e përbëjnë. Çdo Kishë e veçantë, tha ai, sjell dhurata, përvoja dhe dëshmi unike që pasurojnë gjithë Kishën.

Duke rikujtuar rrugëtimin sinodal të Kishës të nisur në vitin 2021, kardinali Grech theksoi se qëllimi kryesor ishte të dëgjohej Populli i Zotit. Prandaj pjesëmarrja nuk ishte vetëm tema e Sinodit, por edhe metoda e tij. «Të dëgjosh Kishën do të thotë të dëgjosh Kishat», u shpreh ai, duke nënvizuar se një Kishë sinodale është, mbi të gjitha, një Kishë që di të dëgjojë.

Kardinali Grech vuri në dukje edhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet Kishave. Procesi sinodal, tha ai, nuk synon para së gjithash hartimin e dokumenteve të reja, por krijimin e një "qarkullimi të dhuratave", që forcon bashkimin dhe mbështet misionin e Kishës.

Një risi e këtij procesi ishte edhe ajo që kardinali Grech e quajti "restitutio continua", domethënë rikthimi i vazhdueshëm i çdo etape të Sinodit kishtar te bashkësitë vendore për reflektim dhe pranimin e tij. Në këtë mënyrë, shpjegoi kardinali, procesi nuk ishte më njëkahësh, por një dialog i vazhdueshëm ndërmjet Kishave dhe Sinodit, duke shmangur rrezikun që vendimet të mbeteshin vetëm në duart e specialistëve, pa u rrënjosur në jetën reale të Popullit të Zotit.

Duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë Kishës në Azi, kardinali Grech vlerësoi pasurinë e përvojës së saj: dialogun me fetë e tjera, bashkëjetesën në një shoqëri shumëkulturore, jetën si pakicë e krishterë në shumë vende dhe afërsinë me të varfrit. Pikërisht në këto realitete, tha Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, Shpirti Shenjt vazhdon të veprojë. Prandaj pyetja kryesore nuk është çfarë do të marrë Kisha në Azi nga Sinodi, por çfarë dhurate dëshiron Shpirti Shenjt t'i japë gjithë Kishës përmes Kishave të Azisë.

Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit theksoi se faza e tanishme e zbatimit dhe pranimit të fryteve të Sinodit është vendimtare. Sinodi, nënvizoi ai, nuk mund të kufizohet në dokumente apo vendime formale, por duhet të shndërrohet në një përvojë të jetuar në çdo Kishë vendore.

«Zbatimi i Sinodit do të japë frytin e tij më të plotë kur çdo Kishë vendore ta njohë veten njëkohësisht si marrëse dhe si bartëse e një dhurate», përfundoi kardinali Grech, duke kujtuar se pikërisht në këtë shkëmbim dhuratash ndërmjet Kishave, Kisha universale vazhdon të rritet në bashkim dhe në mision.

25 korrik 2026, 11:40