Imzot Shevchuk: falja dhe pajtimi janë çelësi për shërimin e kujtesës së popujve evropianë
Vatican News
Në mes të luftës që vazhdon të godasë Ukrainën, kreu i Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Imzot Sviatoslav Shevchuk, ka përcjellë një mesazh të fortë shprese, duke theksuar se vetëm falja dhe pajtimi mund të shërojnë kujtesën historike të popujve evropianë.
Mesazhi u dha në Kiev, gjatë takimit me kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe i dërguari i posaçëm i Papa Leonit XIV në Ukrainë, me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së strukturave të Kishës Katolike të ritit latin. Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Shevchuk e cilësoi praninë e përfaqësuesve të Atit të Shenjtë si një shenjë të prekshme të afërsisë së Kishës universale me popullin ukrainas.
"Lutja e përbashkët në kohë lufte shëron plagët dhe na bën të ndiejmë se nuk jemi vetëm," u shpreh imzot Shevchuk, duke shtuar se të lutesh së bashku me të dërguarit e Papës do të thotë të lutesh në bashkim me mbarë Kishën dhe me vetë Atin e Shenjtë.
Duke folur për realitetin e përditshëm në Ukrainë, kreu i Kishës Greko-Katolike Ukrainase, imzot Shevchuk vuri në dukje se komunitetet katolike, ortodokse, protestante, hebraike dhe myslimane po bashkëpunojnë për të ndihmuar popullsinë e goditur nga lufta. Sipas tij, përballë vuajtjes, solidariteti dhe dashuria për tjetrin tejkalojnë çdo ndarje fetare.
Ai kujtoi se miliona ukrainas vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda humanitare, por nënvizoi se, përveç bukës dhe ndihmës materiale, njerëzit kanë nevojë për shpresë, për Fjalën e Hyjit dhe për ngushëllimin shpirtëror që ofron Kisha.
Në qendër të reflektimit të tij ishte tema e faljes. Duke kujtuar trashëgiminë e Papës Shën Gjon Palit II, në 25-vjetorin e vizitës së tij historike në Ukrainë, imzot Shevchuk tha se Papa polak e konsideronte faljen si "ilaçin" që shëron plagët e së kaluarës.
"Falja, e dhënë dhe e pranuar, është ilaçi që shëron kujtesën historike të popujve evropianë," theksoi ai, duke shtuar se, edhe pse e kaluara nuk mund të ndryshohet, ajo nuk duhet të mbajë peng të ardhmen. Vetëm përmes pajtimit, përfundoi Shevchuk, popujt e Evropës mund të ndërtojnë një të ardhme të bazuar në paqe, drejtësi dhe shpresë.