Imzot Gallagher viziton vendet e bombarduara në Kiev: "këmbëngulni në lutje për paqe"
Vatican News
Ka vende dhimbjeje që domosdoshmërisht bëhen edhe vende të kujtesës kolektive të një populli. Bucha e Irpin Vorzel do të mbeten të pashlyeshëm në sytë e zemrat e ukrainasve, e edhe më gjerë. Emra, që u bënë simbole të tmerreve të luftës shkaktuar nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022, që ende nuk ka asnjë shkëndijë të përfundimit të mundshëm apo të një perspektive konkrete shprese. Kievi është përplot me gjurmë, kujtesë e brutalitetit të dhunës dhe të urrejtjes.
Dita e tretë e misionit në Ukrainë e sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare, Imzot Gallagher, e shtuna më 18, iu kushtua vizitës së vendeve që patën sulme edhe në vitet e muajt e fundit, e ku, pavarësisht gjithçkaje, mund të ndjehet dëshira e njerëzve për të provuar të rindërtojnë. Rindërtim i gjërave themelore: themelet e një Kishe ose të një ndërtese të shkatërruar; shpirtrat e thyer të njerëzve dhe të fëmijëve; kohezioni njerëzor dhe shoqëror i një bashkësie të lidhur nga feja.
Lutje për paqe në Kishën e Shën Nikollës, në Kiev
Paradite, Imzot Gallagher vizitoi Kishën e Shën Nikollës, ku u prit nga famullitari, Atë Pavlo Vyshkovsky OMI, dhe nga besimtarët. Ndërtesa fetare u godit nga një raketë ruse në dhjetor 2024: xhamat e dritareve u thyen dhe u shkatërruan një nga një, ndërsa pjesa e brendshme pësoi dëme të konsiderueshme. Tani po i nënshtrohet restaurimit, ndërsa në muajt e fundit, falë përpjekjeve diplomatike të Selisë së Shenjtë, iu dha për përdorim nga autoritetet politike ukrainase komunitetit katolik latin.
Imzot Gallagher hyri në famulli, ku kishte qenë edhe në vizitën e tij të parë, në vitin 2022, i shoqëruar nga këngët dhe melodia e organos. Në gjuhën ukrainase, kryeipeshkvi, famullitari dhe meshtarët e tjerë të pranishëm thanë një lutje me bashkësinë, duke kërkuar paqe për Ukrainën dhe fundin e luftës.
"Për të arritur këtë qëllim, u tha Imzot Gallagher të pranishmëve, është e nevojshme diçka e rëndësishme, diçka që unë tashmë e shoh tek ju: virtyti i këmbënguljes". Në të vërtetë, "ju po ngulni këmbë në jetën tuaj, në vendin tuaj dhe në lutje të vazhdueshme për paqe. Edhe këmbëngulja është, gjithashtu, virtyti që na karakterizon si bashkësi katolike. Ju keni këmbëngulur si bashkësi eukaristike lutjeje, ndërsa unë tashmë i shoh frytet tek ju. Shoh progresin dhe punën që po zhvillohet me në krye famullitarin tuaj", shtoi.
Dhurata e një ikone që mbeti e paprekur pas një bastisjeje
Nuk ka dyshim se "problemet dhe vështirësitë nuk do të mungojnë", vazhdoi kryeipeshkvi, "por ju shoh të fortë në fe, shpresë e bamirësi. E në këtë frymë, ju përshëndes në emër të Atit tonë të Shenjtë Leoni XIV. Nuk kalon asnjë ditë që ai të mos lutet për Ukrainën dhe për ju, burra e gra besimtarë. Ju ftoj gjithashtu të luteni për të dhe shpresoj që një ditë të keni gëzimin ta takoni edhe këtu, në Kiev", përfundoi, para se të jepte bekimin.
Një çast prekës qe ai kur një çift dhe një grua, të gjithë të veshur me të bardha, i dhuruan Kryeipeshkvit Gallagher dy buqeta me luledielli: "Këto lule janë simbolike të Ukrainës dhe të vdekurve të panumërt të saj", kujtuan, njëherësh me një ikonë të Familjes së Shenjtë. Apartamenti i çiftit u shkatërrua dy javë më parë gjatë një nga bastisjet e rënda të Moskës në ditët e fundit, ndërsa ikona e mbajtur atje mbeti e paprekur.
"Ky është simbol shprese për ne", theksuan, përpara se të falënderonin Selinë e Shenjtë dhe Nuncin Apostolik për ndihmën dhe mbështetjen e tyre gjatë viteve. Në fund të vizitës, Atë Pavlo, duke folur për mediat e Vatikanit, shprehu "gëzimin e madh të ripërqafimit me Kryeipeshkvin Gallagher, katër vjet pas udhëtimit të tij të parë në Kiev, dhe të marrjes së dashurisë së tij nga mbarë komuniteti ynë".
Vizitë në një lagje të kryeqytetit të bombarduar në maj
Delegacioni, më pas, vizitoi rrugën Bratstva Tarasivtsiv, ku një sulm rus, më 14 maj, vrau 24 persona, ndërmjet të cilëve, edhe tre fëmijë, e plagosi të paktën një duzinë të tjerësh. Këtu, ata u takuan me autoritetet lokale, forcat e emergjencës dhe përfaqësuesit e UNHCR-së që punonin në vendngjarje, duke ofruar ndihmë materiale dhe duke drejtuar projekte psikosociale dhe të rimëkëmbjes nga trauma. Imzot Gallagher dëgjoi shpjegimet e incidentit dhe mësoi nga anëtarët e njësive të mbështetjes civile dhe agjencisë së OKB-së, rrëfime rreth aktiviteteve të tyre dhe sfidave kryesore në vazhdim. "Është e rëndësishme të kuptohet se vetëm që nga qershori i këtij viti, 300 civilë u vranë dhe mijëra u plagosën: numri më i lartë që nga viti 2022", tha zyrtari i UNHCR-së në vendngjarje, gjatë ndalesës përpara një memoriali të ngritur në kopshtin përpara ndërtesave të shkatërruara. Rreth një peme të madhe, në bazën e trungut, u vendosën lodra dhe fotografi nga familjet dhe miqtë e viktimave, për ta mbajtur gjallë kujtimin e asaj që ndodhi dhe të atyre që tani nuk janë më mes nesh. Mjerisht, vazhdoi delegati i agjencisë së OKB-së, "shohim se urrejtja e rusëve po bëhet gjithnjë e më e madhe kundër civilëve, me efekte të dukshme të menjëhershme dhe post-traumatike, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë", të cilët vuajnë nga stresi dhe çrregullimet mendore "shumë të rënda" pas bombardimeve.
Dëmet në Institutin teologjik domenikan
Më në fund, delegacioni u ndal në Institutin teologjik domenikan të Shën Tomës së Akuinit, ku u prit nga eprori i përgjithshëm për Ukrainën, Atë Jaroslaw Krawiec. Në maj të këtij viti, raketa dhe dronë ranë mbi ndërtesat pranë Institutit, duke shkatërruar disa shtëpi, sheshin e tregut dhe një kompani ukrainase të prodhimit të armëve. Shrapneli goditi ndërtesën ku jetojnë fretërit, duke shkatërruar dritaret e dyert e duke shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe nga brenda. "Kur godet, vala e goditjes është shkatërruese dhe mund të arrijë qindra metra nga vendi ku ndikon", thotë Atë Krawiec, duke na treguar rrënojat e dronit në oborr. "Jemi vërtet mirënjohës që Imzot Gallagher mund të na vizitojë dhe të shohë efektet e prekshme të bombardimeve, që na goditën. I yni është vend i rëndësishëm për arsimin katolik dhe për jetën e shumë besimtarëve latinë në Ukrainë; ka më shumë se njëqind studentë, jo vetëm të fesë sonë", shton. Për këtë, "falënderojmë miqtë tanë, bamirësit tanë dhe të gjithë ata që na kanë ndihmuar të rindërtojmë çka u dëmtua gjatë kësaj kohe". Sepse - përfundoi ai - gjëja më e tmerrshme në luftë është të ndihesh vetëm, të mos e ndjesh solidaritetin e atyre që të rrethojnë".
Vizitë në Lavra të Kyiv
Më në fund, të shtunën pasdite, Imzot Gallagher vizitoi Lavrën e Kievit Pechersk, manastirin më të vjetër ortodoks të Ukrainës, një nga simbolet kryesore të historisë së krishterë dhe identitetit shpirtëror, e edhe Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Natën e 14-15 qershorit 2026, u godit nga një sulm rus mbi çatinë e Katedrales së Fjetjes, që pësoi dëmet më të mëdha, ndonëse u riparua menjëherë. Kur hyn, shikon se efektet e raketave janë ende të dukshme në disa pjesë të çatisë përpara ikonostasit.
I shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Lavrës, i dërguari i Papës hyri më pas në shpellat e vendosura thellë poshtë themelit të strukturës ("pecherskyi" do të thotë "i shpellave" në ukrainisht), të konsideruara ndër vendet më të shenjta të krishtera në Ukrainë. Në kalimet e ngushta të shpellave ruhen reliket e shumë murgjërve të shenjtë, përveç relikeve të Shën Antonit dhe Shën Teodosit e edhe të një rrelikjeje të Papës Shën Klementi, të cilat - sipas traditës - u transferuan në Kiev, pas vdekjes së tij në Krime.