Imzot Gallagher në Ukrainë: “të krijohen kushtet për një paqe të drejtë”
Vatican News
Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ndodhet për një vizitë në Ukrainë nga 16 deri më 21 korrik, në cilësinë e të Dërguarit të Posaçëm të Papës. Vizita bëhet me rastin e kremtimeve të 35-vjetorit të ripërtëritjes së strukturave të Kishës së ritit latin në Ukrainë. Ajo përkon gjithashtu edhe me 25-vjetorin e udhëtimit apostolik të Shën Gjon Palit II në Ukrainë, një ngjarje që mbetet një pikë referimi në historinë e Kishës në këtë vend.
Sipas njoftimit të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, pjesëmarrja e Imzot Gallagher në këto kremtime shpreh afërsinë e Papa Leoni XIV me Kishën katolike dhe me popullin ukrainas, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me pasojat e luftës.
Ndalesa e parë e vizitës ishte në Lviv, ku Imzot Paul Richard Gallagher u takua me kryeipeshkvin Mieczysław Mokrzycki dhe me disa autoritete vendore. Gjatë takimeve ai përsëriti dëshirën e Selisë së Shenjtë që "paqja të rikthehet në këtë pjesë të Evropës", duke riafirmuar afërsinë e Papës me popullin ukrainas. Në mbrëmje, Imzot Gallagher u nis drejt Kyivit, ku ishte parashikuar takimi me kreun e Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Kryeipeshkvin e Madh Sviatoslav Shevchuk.