10 vjet pas Amoris Laetitia: të shpallim Ungjillin së bashku me familjet
Vatican News
Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të hënën Vatikani ka paraqitur, të hënën më 6 korrik, programin e takimit të tetorit të ardhshëm të thirrur nga Leoni XIV, ku do të trajtohen sfidat që prekin familjen, martesën, të rinjtë si dhe mbështetjen në situata vështirësie.
Kështu, dhjetë vjet pas botimit të nxitjes apostolike të Amoris Laetitia, Kisha ndalet për të dëgjuar atë që Shpirti Shenjt vazhdon t'i thotë Popullit të Hyjit përmes jetës së familjeve. Takimi i Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV, me krerët e Kishave Katolike Lindore dhe presidentët e Konferencave Ipeshkvnore, në tetor të ardhshëm (7–14 tetor 2026), nuk është thjesht një moment reflektimi, por një udhëtim sinodal i dallimit shpirtëror, ku përvoja njerëzore takohet me dritën e Ungjillit.
Në këtë rrugëtim, familja nuk shihet vetëm si vend kujdesi baritor, por si një vend i shenjtë ku Fjala e Zotit bëhet jetë, ku dashuria mishërohet në marrëdhënie të përditshme dhe ku Kisha mëson përsëri të njohë fytyrën e Krishtit në gëzimet, plagët dhe shpresat e njerëzve. Familja është një "Kishë shtëpiake", ku hiri i Zotit vepron në heshtjen e jetës së zakonshme dhe ku misioni i Kishës merr frymë në gjestet e dashurisë së përditshme.
1. Familjet sot: një Ungjill që shkruhet në jetën e përditshme
Koha jonë është e shënuar nga ndryshime të thella që sfidojnë jetën familjare. Megjithatë, pikërisht në këtë tokë të brishtë mbijnë farat e Mbretërisë së Zotit. Dashuria bashkëshortore vazhdon të lulëzojë mes pasigurive ekonomike, sëmundjes, lodhjes së edukimit të fëmijëve, vetmisë dhe barrës së kujdesit për më të dobëtit.
Kisha është e thirrur të sodisë me sy ungjillor këto realitete, duke njohur shenjat e hirit të Zotit që shpesh fshihen në thjeshtësinë e jetës së përditshme. Ajo nuk afrohet për të gjykuar, por për të dëgjuar; jo për të imponuar përgjigje të gatshme, por për të dalluar me durim veprimin e Zotit në historinë konkrete të çdo familjeje.
2. Të rinjtë dhe bukuria e thirrjes për martesë
Në një botë ku shumë të rinj e kanë të vështirë të besojnë në dashurinë e përhershme, Kisha dëshiron të bëhet shoqe udhe. Martesa nuk paraqitet si një ideal i paarritshëm, por si një thirrje që lind nga takimi me Krishtin dhe që ushqehet nga besimi, shpresa dhe besnikëria.
Të rinjtë kanë nevojë për dëshmitarë më shumë se për fjalë: çifte që, me jetën e tyre, dëshmojnë se dashuria e krishterë është e aftë të përballojë kohën, plagët dhe sprovat. Prandaj, edukimi për dashurinë bëhet një udhëtim i rritjes njerëzore, shpirtërore dhe afektive, ku secili mëson ta zbulojë martesën si një dhuratë dhe një mision.
3. Vitet e para të martesës: koha kur dashuria hedh rrënjë
Vitet e para të jetës bashkëshortore janë si pranvera e një peme: rrënjët forcohen në heshtje që ajo të japë fryte në stinët që do të vijnë. Në këtë kohë, bashkëshortët mësojnë ta rilexojnë historinë e tyre në dritën e Ungjillit, duke e rrënjosur dashurinë në Krishtin.
Kisha dëshiron të jetë pranë tyre me kujdes dhe urti, duke krijuar bashkësi ku familjet mbështesin njëra-tjetrën, ndajnë barrët dhe gëzimet dhe bëhen shenja të dukshme të bashkimit që lind nga Ungjilli.
4. Kur kryqi hyn në shtëpi: shoqërimi i familjeve në vuajtje
Asnjë familje nuk është e huaj për kryqin. Dobësia, varfëria, dhuna, sëmundja, ndarja dhe dështimet nuk janë fundi i historisë, por vende ku hiri i Zotit mund të hapë shtigje të reja shprese.
Kisha është thirrur të ecë pranë atyre që vuajnë, duke i pritur me mëshirë dhe duke i ndihmuar të zbulojnë se askush nuk është jashtë përqafimit të Atit. Shoqërimi baritor bëhet kështu një shërbim i durimit, i dallimit shpirtëror dhe i shpresës, që i ndihmon njerëzit të ndiejnë se mbeten pjesë e gjallë e bashkësisë së besimtarëve.
5. Familjet: zemra misionare e Kishës
Familja nuk është vetëm vendi ku transmetohet feja; ajo është vetë një subjekt i ungjillëzimit. Çdo shtëpi e krishterë është e thirrur të bëhet një dritare e hapur drejt Ungjillit, ku dashuria, falja, mikpritja dhe solidariteti shpallin Krishtin pa pasur nevojë për shumë fjalë.
Siç mësonte Papa Shën Pali VI, bashkëshortët bëhen apostuj të bashkëshortëve të tjerë. Përvoja e tyre e dashurisë besnike bëhet një dhuratë për Kishën dhe për botën, sepse tregon se dashuria nuk është një ndjenjë kalimtare, por një rrugë e përditshme dhurimi, që ripërtërihet vazhdimisht nga hiri i Zotit.
Dhjetë vjet pas nxitjes apostolike Amoris Laetitia, Kisha dëshiron të vazhdojë të ecë në këtë rrugë të shpresës. Duke dëgjuar familjet, ajo dëgjon rrahjet e zemrës së njerëzimit; duke i shoqëruar ato, ajo shoqëron vetë Krishtin; dhe duke u besuar familjeve misionin e Ungjillit, ajo rizbulon se e ardhmja e Kishës lind, çdo ditë, rreth tryezës së një shtëpie ku dashuria jeton, fal dhe shpreson.