Ungjillëzimi dhe afërsia me migrantët: udhëtim në zemër të Evropës
R.SH. / Vatikan
nga Andrea Tornielli
Udhëtimi shtatëditor i Papës Leoni në Spanjë, që do ta çojë në kryeqytetin Madrid, pastaj në Barcelonë dhe, së fundmi, në Ishujt Kanarie, është shtegtim në zemër të Evropës. Ose, më mirë të themi, udhëtim që përmbledh sfidat e mëdha me të cilat përballet Kisha në Kontinentin e Vjetër, në tri faza. Pas udhëtimeve të tij në Turqi e Liban, me rëndësi të thellë ekumenike, e edhe për paqen në një tokë - Tokën e Kedrave - ku në muajt e fundit shpërtheu konflikti shkatërrues për popullsinë e prekur nga bombardimet izraelite; pas udhëtimit të tij të shpejtë në Principatën e Monakos dhe vizitës 11-ditore në katër vende afrikane prillin e kaluar (shtegtim "misionar", që Leoni do të kishte dashur të ishte i pari i papnisë së tij), sot Pasardhësi i Pjetrit takon një shoqëri evropiane shumë të polarizuar: Spanjën.
Ndalesa e parë, Madridi, do të shënohet veçanërisht nga takimi me anëtarët e Parlamentit: çast i rëndësishëm për të kujtuar perspektivën e Kishës mbi politikën e edhe angazhimin për të mirën e përbashkët. Kjo perspektivë sot është shumë larg çdo forme kolateralizmi, si dhe nga çdo reduktim i fesë së krishterë në intimizmin e mbrojtur nga ideologjia laike. Larg kolateralizmit, sepse Kisha, për të qenë vetvetja dhe për të shpallur Ungjillin, nuk mund dhe nuk duhet të mbështetet në pushtet, duke krijuar lidhje që përfundojnë me errësimin e misionit të saj. Larg intimitetit, sepse feja është e mishëruar e të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë Ungjillin përmes angazhimit konkret, për ta bërë shoqërinë më humane, më të drejtë e më të vëmendshme ndaj më të vegjëlve. Kisha Spanjolle, e thirrur për të dëshmuar unitetin polifonik në një kohë polarizimi dhe konflikti, e duroi, së bashku me të gjithë popullin iberik, dramën e luftës civile në shekullin e kaluar, e edhe disa plagë, që ende nuk janë shëruar plotësisht.
Si shpallet Ungjilli sot në kontekstin e një shoqërie thellësisht të shënuar nga një traditë e madhe e krishterë, që e formoi identitetin e saj, por që sot duket gjithnjë e më e shekullarizuar? Kjo është pyetja që do të përshkojë gjithë shtegtimin e Ipeshkvit të Romës. Në Barcelonë, pikërisht gjatë vizitës së tij në bazilikën madhështore të Sagrada Familia, gjatë së cilës Papa do të përurojë kullën më të lartë kushtuar Jezu Krishtit, nuk do të mungojë një përgjigje e mundshme: përmes gjuhës së bukurisë.
Kisha gjithmonë u ka folur të gjithëve përmes artit, e veçanërisht, përmes imazheve. Shumë katekizma janë kryer gjatë shekujve përmes afreskeve, mozaikëve dhe skulpturave. Sagrada Familia, fryt i fesë dhe i gjenialitetit të një arkitekti katalanas, që vdiq njëqind vjet më parë, e tani për rrugë drejt altarëve, është shembull i fuqishëm i kësaj gjuhe bukurie: ata që shikojnë bazilikën çohen në një udhëtim përmes thelbit të fesë të krishterë. Prandaj, mësimi i Antoni Gaudí-t është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për kohën tonë dhe për Evropën, ku transmetimi i fesë brenda familjes është ndërprerë në mënyrë efektive dhe ku ungjillizimi i parë nuk mund të merret më si i mirëqenë.
Së fundmi, ndalesa në Gran Canaria dhe Tenerife ofron një përvojë të drejtpërdrejtë të gjendjes së vështirë të emigrantëve. Nëse ata mbijetojnë gjatë kalimit, trokasin në dyert e Evropës, edhe pse Kontinenti i Vjetër shpesh nuk arrin ta adresojë këtë emergjencë në një mënyrë gjithëpërfshirëse e të organizuar, duke lënë vetëm vendet më të ekspozuara, ndër të cilat sigurisht që duhet të përfshihet Spanja. Dihet mirë se vizita në Ishujt Kanarie ishte dëshirë e shprehur tashmë nga Papa Françesku, të cilën pasardhësi i tij po e përmbush tani.
Tetorin e kaluar, Leoni XIV botoi nxitjen apostolike "Dilexi te", fryt i punës së filluar gjatë papnisë së tij të mëparshme. Ky tekst nxori në pah lidhjen ndërmjet dashurisë së Krishtit dhe thirrjes së Tij për të na afruar më shumë me të varfrit, me ata që vuajnë dhe "të huajt" e përmendur nga Jezusi në Ungjill. Në enciklikën "Magnifica Humanitas", Papa bën thirrje për "të fituar perspektivën e ndryshme e për ta parë botën nga poshtë, me sytë e atyre që vuajnë, jo me perspektivën e të mëdhenjve; për ta parë historinë përmes syve të të vegjëlve, dhe jo përmes perspektivës së të fuqishmëve; për t'i interpretuar ngjarjet e historisë nga perspektiva e vejushës, jetimit, të huajit, fëmijës së plagosur, të mërguarit, të arratisurit". Etapa në Ishujt Kanarie hyn, kështu, në mishin e gjallë të vuajtjes së më pak fatlumëve me një thirrje për dëshmi ungjillore të krishterë. E në të njëjtën kohë, një thirrje për përgjegjësinë e të gjithëve: të mbetemi njerëz!