Kërko

Kryeipeshkvi Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë Kryeipeshkvi Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë

Selia e Shenjtë: të kalohet në një „kulturë të negociatave” për të ndërtuar paqen

Kryeipeshkvi Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, mban fjalim në Sesionin e 62-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut: „Sot shtimi i konflikteve po redukton financimet për zhvillim. Kostoja reale e gjithë kësaj bie mbi të varfrit dhe nevojtarët”. Paralajmërim kundër disinformimit: „Kërkimi i së vërtetës është thelbësor për demokracinë”.

Vatican News

„Për të ndërtuar paqen, është urgjente të kalohet nga 'kultura e pushtetit' tek një 'kulturë autentike e negociatave', e bazuar mbi solidaritetin dhe mbi pranimin e faktit se i afërmi ynë nuk është para së gjithash një armik, por një qenie si ne”. Kjo ishte kryefjala e deklaratës së kryeipeshkvit Imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, me rastin e Sesionit të 62-të Ordiner të Këshillit për të Drejtat e Njeriut.

Vëllazëria dhe miqësia sociale, në qendër të çdo marrëdhënieje të drejtë

Nunci apostolik Balestrero u nis në reflektimin e tij nga Raporti i Ekspertëve të Pavarur për Paqen dhe Solidaritetin Ndërkombëtar, i cili vë në dukje „rëndësinë e dhënies së përparësisë ndaj zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përkundrejt militarizimit dhe përçarjes”, siç është sanksionuar edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Raporti, siç evidentoi Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, nënvizon faktin se „sot shtimi i konflikteve shoqërohet me një rënie paralele të financimeve për zhvillim, si dhe me shkurtime të buxheteve të destinuara për shëndetësinë, arsimin dhe sektorët e tjerë socialë”. Dhe „pastaj, kostoja reale e gjithë kësaj bie mbi më të varfrit dhe mbi nevojtarët”, komentoi kryeipeshkvi.

Më tej, Nunci apostolik Balestrero solli në vëmendjen kolektive temat e „vëllazërisë” dhe „miqësisë sociale”, parime këto që, siç pohoi ai, „duhet të jenë në qendër të çdo marrëdhënieje të drejtë mes popujve”.

Disinformimi e përjetëson margjinalizimin

Imzot Balestrero u ndal gjithashtu te „tendenca e disinformimit në rrjetet sociale dhe në diskursin politik”, gjë që „përjetëson margjinalizimin e njerëzve të feve apo etnive të ndryshme, duke rritur rrezikun e nxitjes së diskriminimit dhe/ose dhunës”. Në rrezik, sipas tij, janë edhe „paqja dhe solidariteti”.

Lidhur me këtë, prelati citoi enciklikën e Papa Leonit XIV, Magnifica Humanitas, në të cilën Papa vëren se: „Disinformimi nuk lindi me Inteligjencën Artificiale (IA), e megjithatë sot gjen një amplifikator të fuqishëm tek ajo. Aftësia për të manipuluar përmbajtje, imazhe dhe video i ekspozon njerëzit ndaj këndvështrimeve të shtrembëruara ose çorientuese”.

17 qershor 2026, 16:46