Selia e Shenjtë: mbrojtja dhe rehabilitimi i fëmijëve viktima të trafikimit
Vatican News
Në një botë të tronditur nga „luftërat, terrorizmi, trafikimi i qenieve njerëzore dhe agresionet e përhapura”, është jetike që fëmijët viktima të trafikimit „të njohin një kulturë të jetës, të dialogut dhe të respektit të ndërsjellë”. Këtë qëndrim mbajti Selia e Shenjtë përmes kryeipeshkvit imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit pranë OKB-së në Gjenevë, gjatë fjalës së tij mbajtur në Sesionin e 62-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë dialogut me Raportuesen Speciale për trafikimin e personave, imzot Balestrero vuri theksin te rëndësia e parandalimit, mbrojtjes, çlirimit dhe rehabilitimit të këtyre të miturve, sidomos në kontekstin e migrimit dhe shpërnguljes së dhunshme.
Rrugë të sigurta migrimi dhe mbrojtje për fëmijët
Përfaqësuesi i Vatikanit pranë OKB-së në Gjenevë nënvizoi se krijimi i rrugëve të sigurta dhe të rregullta të migrimit ndihmon ndjeshëm në dekurajimin e aktiviteteve të trafikantëve. Në këtë kuadër, ai e cilësoi si parësor „rolin e familjes, veçanërisht përmes bashkimit familjar dhe mbrojtjes së të miturve të pashooqëruar”.
Duke cituar enciklikën Magnifica humanitas të Papa Leonit XIV, kryeipeshkvi imzot Balestrero kujtoi se trafikimi është një formë bashkëkohore e skllavërisë dhe një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor. Ai shtoi se çdo i mitur i trafikuar është para së gjithash një viktimë që meriton dhembshuri e ndihmë, dhe jo ndëshkim, edhe nëse është detyruar të kryejë veprime kriminale nën shfrytëzim. „Krimi është i trafikantëve, jo i fëmijës”, deklaroi imzot Balestrero. Prandaj, një fëmijë viktimë e trafikimit meriton mbrojtje dhe mundësinë për t'u rehabilituar, në vend që të dënohet për akte që rrjedhin nga shfrytëzimi.
Alarmi për „skllavërinë kibernetike”
Një tjetër pikë delikate e fjalimit të Vëzhguesit të Përhershëm të Vatikanit pranë OKB-së në Gjenevë ishte ndikimi i sistemeve digjitale, të cilat po rrisin vulnerabilitetin e të miturve në lëvizje. Imzot Balestrero e quajti rritjen e „skllavërisë kibernetike” (cyber slavery) si jashtëzakonisht shqetësuese.
Përmes kësaj metode, rrjetet kriminale përdorin platformat online dhe kanalet anonime për të joshur e kontrolluar viktimat e tyre – që shpesh janë fëmijë – duke i përfshirë në skema mashtruese në internet apo në trafik droge, siç ka denoncuar edhe Papa Leoni XIV në mesazhin e tij të fundit për Ditën Botërore kundër Trafikimit të Personave më 8 shkurt 2026.