Asamblea e Përgjithshme e UET-së në Pragë Asamblea e Përgjithshme e UET-së në Pragë

Pragë: Takimi i nivelit të lartë i mediave evropiane. Merr pjesë edhe Radio Vatikani

Nga 24 deri më 26 qershor, në Pragë do të mbahet asambleja e 96-të e përgjithshme e Unionit Evropian të Transmetimeve (UET), organizata që bashkon 113 transmetues publikë nga 56 vende. Ndër ta është edhe Radio Vatikani, anëtar themelues i UET-së. Temat që shtrohen për diskutim përfshijnë edhe Inteligjencën Artificiale dhe gjendjen e tashme gjeopolitike ndërkombëtare.

Vatican News

Si do të ndryshojë panorama evropiane, tashti, në epokën e Inteligjencës Artificiale? Si do të ndikojnë krizat e mëdha ndërkombëtare në raportimin e shërbimit publik në kontinentin tonë? Cili do të jetë drejtpeshimi i duhur ndërmjet komunikimit gjithnjë e më dixhital dhe ruajtjes së cilësisë së lajmeve për informuar si duhet udhëheqësit dhe qytetarët evropianë? Këto janë disa nga temat kryesore në qendër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (UET), shoqatës më të madhe në botë të mediave të shërbimit publik, themeluar në vitin 1950 dhe që tani ka 113 transmetues publikë nga 56 vende.

Takimi do të mbahet në qendrën «Cubex» në Pragë dhe do të drejtohet nga «Česká televize» dhe «Český rozhlas», përkatësisht televizioni dhe radioja publike çeke.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Radio Vatikani, si anëtar themelues i UET-së. Radioja e Papës do të përfaqësohet nga Alessandro Gisotti, zëvendësdrejtor i Mediave të Vatikanit, i cili është gjithashtu kryetar i grupit të lajmeve Radio dhe Audio të UET-së. Takime rajonale të medias së shërbimit publik do të mbahen gjithashtu gjatë Asamblesë së Përgjithshme: Radio Vatikani merr pjesë aktive në Grupin Mesdhetar dhe në Grupin e Shteteve të Vogla.

Asambleja e Përgjithshme është organi i epërm drejtues i Unionit Evropian të Transmetimeve dhe gëzon të gjitha kompetencat e nevojshme për të arritur objektivat e Unionit, përfshirë këtu përcaktimin e strategjisë së tij të përgjithshme dhe miratimin e buxhetit.

Asambleja mblidhet dy herë në vit: sesioni i verës është i hapur për të gjithë anëtarët dhe bashkëpunëtorët dhe drejtohet nga një organizatë anëtare, ndërsa takimi i dimrit është i rezervuar vetëm për organizatat anëtare dhe mbahet në Gjenevë, në selinë e UET-së.

23 qershor 2026, 09:59