Kërko

Në kantierin e ndërtimit të Sagrada Família, përvojë arti dhe feje

Me inaugurimin e Kullës së Jezusit, e cila do ta bëjë Bazilikën e Gaudí-së më të lartën në botë, po kryhet një gjest simbolik profetik. Arkitekti Curti, mjeshtër i artistit, tha: "Deshi të krijojë një art takimi, që të sillte përsëri aftësinë për të parë transhendenten. Djersa që u derdh brenda Kullës, na fton ta shijojmë durimin me të cilin ndërtohet dashuria".

R.SH. / Vatikan

Të shikosh lart është më e rrezikshme sesa të shikosh këmbët e tua, por pikërisht në këtë rrezik, ku jeta vihet në lojë, në këtë gjendje të pabalancuar, dikush ndjen emocionin e një trupi të gjallë, që nuk vendoset në pozicione inerte, që nuk shikon kërthizën e vet, por e çekuilibron veten. Kjo ndodh kur hyjnë në Sagrada Familia, tërheqje ndërkombëtare dhe simbol i Barcelonës, me 15.000 vizitorë në ditë nga mbarë bota, vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i shuguruar si bazilikë në vitin 2010 nga Benedikti XVI. Këtu, dikush ka mundësinë të rizbulojë, përtej përkatësive të veta, aftësinë për mrekulli. Këtu, Papa Leoni XIV do të kryesojë kremtimin Eukaristik sonte, në mbrëmjen e 10 qershorit, pasi u lut në kriptën mbi varrin e Antoni Gaudí-t, arkitektit të kësaj strukture imponuese, në 100-vjetorin e vdekjes. E po këtu, pas Meshës, do të përurojë Kullën e Jezu Krishtit, e cila do ta bëjë atë, kishën më të lartë në botë.

Rikthimi i mrekullisë

Një vajzë e vogël e verbër do të paraqesë ritualin e bekimit të Kullës para Papës. Duke mbajtur një model në duar, ajo do ta "prekë" kullën, duke e  ndarë këtë përvojë me Papën. E do ta shohë atë “me duart e veta”. Do të jetë e para që do të mahnitet. Kjo iniciativë shumë simbolike u ndërmor në bashkëpunim me shoqatën Once, organizata më e madhe në Spanjë kushtuar të verbërve, që bashkëpunon me Sagrada Familia në projekte për ta bërë veprën artistike të përshtatshme edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara. E kjo, sepse hyrja në këtë tempull është udhëtim shumëshqisor,  kthim që të bën të ndihesh gjallë, i lëvizshëm, i aftë për të kaluar pragjet, për t'u kthyer në origjinë. Kjo qe ajo që e frymëzoi arkitektin katalanas, i bindur se ky ishte thelbi i origjinalitetit të një artisti: t'i afrohesh vazhdimisht zanafillës, origjinës, Zotit. Një afërsi që nuk na largon nga njerëzimi, por përkundrazi, e forcon lidhjen tonë.

Bukuria rrugë, jo qëllim në vetvete

Në prag të mbërritjes së Papës, turma njerëzore që hyn në këtë zemër pulsuese të qytetit, është e pandërprerë. "Gaudí jetoi për të krijuar një vepër që mund të shprehte bukurinë jo si një qëllim në vetvete, por përkundrazi, si bukuri të aftë për të frymëzuar mrekulli", thekson Chiara Curti, eksperte kryesore e gjenialitetit katalanas. Arkitekte milaneze, jeton dhe jep mësim në Barcelonë, në Ateneun Sant Pacià, ku jep kurse mbi Modernizmin, Gaudin dhe arkitekturën e krishterë. Ka botuar disa libra mbi Tempullin e Faljes, duke përfshirë "La Sagrada Família. Katedralja e Dritës" (Triangle Books, përkthyer në gjashtë gjuhë) dhe "Gaudi im: Biografia e Shkruar nga Miqtë e Tij" (Triangle Books, përkthyer në katër gjuhë).

Gaudi, bashkëpunëtor në krijimin hyjnor

Kur përfundoi kambanoren e parë, thuhet se Gaudi pyeti përreth se si kishte dalë: orëndreqësi i tha se ishte e bukur e se i sillte gëzim zemrës. Ky pohim e bëri të lumtur artistin, sepse kishte realizuar një dëshirë të thellë, ëndrrën e tij të dashur! "Leoni është papë jashtëzakonisht i vëmendshëm ndaj bukurisë"- vëren Curti - e do të takohet me këtë Gaudi, i cili gjithmonë e paraqiti veten si bashkëpunëtor të Krijuesit, dikush që ishte shumë i qartë se nuk e zotëronte veprën, por se ishte një vepër e frymëzuar që duhej mbrojtur. Gjithmonë e paraqiti veten si dikush që mund të kujdesej për Sagrada Familián, si  kopshtari në një pyll të madh, se pyll janë në të vërtetë të gjitha Katedralet, pyje të mëdha kolonash".

Gaudi donte të rikthente atë aftësi, për të parë transcendentalen, në përputhje me qëndrimin tipik të njeriut mesjetar të cilit, sapo hynte në një katedrale, i dukej vetja sikur ndodhej pikërisht në mes të pyllit: "Ne bashkëkohësit, nga ana tjetër, jemi shumë më racionalistë; shohim vetëm kolona. Gaudi donte të rikthente këtë njeri që është i aftë të shohë diçka pas çdo realiteti, ta transformojë të gjithë realitetin. Po, sepse nëse unë jam pronari i diçkaje, mund ta hedh edhe atë në erë, por nëse jam kujdestari, mund ta bëj vetëm më të mirë".

Një vepër e hapur, korale, gjithnjë e re

Gaudí filloi punën në fasadën e Lindjes, në vitin kur Leoni XIII shkroi Rerum Novarum. Ndërsa sot, Leoni XIV, i cili sapo ka botuar Magnifica Humanitas, mbërrin këtu për të përuruar veprën e re të Kullës së Jezusit. Një përvjetor i habitshëm që Curti e thekson duke theksuar dy revolucionet historike për të cilat arti i Gaudí-së vazhdon të na flasë: revolucionin industrial, për të cilin Barcelona ishte pararendëse në fushën e tekstilit, dhe revolucionin bashkëkohor të lidhur me Inteligjencën Artificiale. Në lojë është gjithnjë ripërtëritja e njeriut: në kohën e Gaudí-së, ishte çështje çlirimi i punëtorit nga anonimati dhe lodhja e linjës së montimit, nga masivizimi i shoqërisë; sot, është po aq çështje rilindjeje, e rizbulimit të një rezerve njerëzimi, përtej çdo tundimi për individualizëm.

"Gaudí gjithmonë vë theksin mbi njeriun - pohon Curti - duket sikur puna e tij është justifikim për të krijuar një art takimi, ku çdo person që punon me të mund të realizojë prekjen e vet krijuese në këtë katedrale". Një mjeshtër i vërtetë i cili nuk imponon projektin e tij, që të tjerët ta ekzekutojnë thjesht, por përkundrazi një mjeshtër që mëson një mendësi, një qasje të re dhe disi subversive, në mënyrë që të tjerët të jenë të lirë të krijojnë punën e tyre: një nga arsyet pse veprat e Gaudí-së janë të gjitha të ndryshme. Stili i Gaudí-së donte të fillonte nga jeta dhe jo nga paragjykimet, i prirur siç ishte për të përmbysur përpjekjet akademike të disa intelektualëve, një fakt prej të cilit fitoi edhe antipati të konsiderueshme. Pra, në fund të fundit, shkolla që ai la si trashëgim nuk ishte një 'Gaudinizëm' ​​sipërfaqësor, ishte "shkolla e bamirësisë".

Joshja e të papërfunduarit, e pritjes së duruar e dëshirës

Hyrja në Sagrada Familia është si të hysh në "një kantier ndërtimi shlyes, që nxit ndjenjën e së pafundmes". Në fund të fundit, "e gjithë historia e njerëzimit ka qenë marrëdhënia me kozmosin, me Zotin, me dritën; ka qenë gjithmonë marrëdhënie që nuk mund të fillojë dhe të mbarojë shpejt, por është matur me kohën dhe, së fundmi, me amshimin", sqaron më tej Profesor Curti. "Nuk dimë se kur do të përfundojë Sagrada Familia, kur edhe si". Edhe ky nuk duket të jetë faktori kyç. Mungon e gjithë fasada kryesore, e cila duhet të jetë afërsisht tri herë më e madhe se dy të tjerat, fasada e Lindjes dhe ajo e Mundimeve të Jezu Krishtit. Për të ndërtuar këtë fasadë, do të ishte e nevojshme të shembej një ndërtesë e ngritur ilegalisht në vitet 1970, shtëpi e dyzet familjeve. Nuk do të jetë detyrë e lehtë. Sot, nuk jemi të aftë të presim, por Sagrada Familia na bën thirrje ta kemi këtë aftësi për të vazhduar të dëshirojmë, të kërkojmë, të duam. Në çastin që unë përfundoj diçka, ajo nuk ka më të bëjë fare me mua; përkundrazi, duke vënë theksin mbi ndërtimin - gjë që po bën Papa Leoni - nënkupton se nuk është përfunduar fare, se duhet të angazhohemi për të qenë ne vetë ndërtuesit, edhe të jetëve tona.

10 qershor 2026, 16:23