Meshtarët martirë Jan Bula dhe Václav Drbola: fe që i bën ball gënjeshtrës
R.SH. / Vatikan
Ishte vendim politik, që synonte diskreditimin e meshtarëve e, në përgjithësi, të mbarë Kishës katolike, gjë që çoi në vdekjen e Václav Drbola - në vitin 1951 dhe Jan Bula - në vitin pasardhës. Çka e shqetësonte regjimin e dy meshtarëve çekë - të cilët do të lartohen në altar nesër, në Brno, nga Kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor - ishte identiteti i tyre meshtarak dhe besimi që u kishte dhënë populli, gjë që u lejoi të formonin ndërgjegjet.
Që në vitin 1951, Radio Vatikani i kishte “quajtur” dy meshtarët viktima të akuzave të rreme dhe manipulimit. Por dëshmia e tyre mbetet e rëndësishme edhe sot, pohon Maria Cristina Bresciani, postulatore e procesit të lumnimit. Përballë sfidave bashkëkohore si inteligjenca artificiale, së cilës Papa ia kushtoi enciklikën e tij Magnifica Humanitas, "secili prej nesh është i thirrur të bëjë pjesën e tij, të jetë vërtet më i vëmendshëm dhe më kritik, në mënyrë që ta ruajë gjykimin dhe kuptimin e pavarur të së mirës dhe të së keqes".
Dr.a Bresciani, a mund të na e përshkruani shkurtimisht jetën e të dy martirëve?
Václav Drbola dhe Jan Bula lindën dhe u rritën në fshatra, në dioqezën e Brnos. Që në moshë të vogël nisën të ëndërrojnë për t'u bërë meshtarë. Drbola u shugurua në vitin 1938; ndërsa Bula, në vitin 1945. Vitet e tyre formuese në seminar përfshinë, si të thuash, revolucione të mëdha e tranzicione të mëdha politike, nga pushtimi nazist - në regjimin komunist.
Kjo, për shembull, pati ndikim të thellë te Bula, sepse, gjatë viteve të tij në seminar, meqenëse duhej të bëhej hapësirë, edhe seminari u rekuizua nga gjermanët për nevojat e ushtrisë. Atëhere Bula u detyrua të bënte punë të detyruar në një fabrikë qeramike. Megjithatë, më vonë, të dy u bënë priftërinj shumë të zellshëm në shërbesën e tyre baritore, veçanërisht në formimin e të rinjve. Morën pjesë, shumë të përkushtuar, edhe në aktivitete kulturore të lidhura me shoqatat katolike. Megjithatë, ishin të vetëdijshëm edhe për klimën politike dhe vështirësinë e kryerjes së shërbimit meshtarak. Në të vërtetë, në shkurt të vitit 1948, kur erdhi në pushtet regjimi komunist - i cili e kufizoi rëndë lirinë dhe u përpoq të destabilizonte si klerin, ashtu edhe besimtarët, duke kërkuar kontroll gjithnjë e më të madh mbi Kishën - u bë gjithnjë e më e vështirë të kryenin dertyrat e tyre të ndryshme baritore.
Pavarësisht nga kjo, Jan Bula pati guximin të lexonte letrën qarkore të ipeshkvijve, që i informonte besimtarët për infiltrimin e anëtarëve komunistë në Kishë, duke u përpjekur të ndikonin në zgjedhjet e tyre dhe t'i shkëpuste nga feja!
Ajo që pati ndikim vendimtar dhe, për fat të keq, e ndërpreu punën pozitive që po ndërmerrnin dy meshtarët, ishte takimi me të vetëshpallurin Kapiten Ladislav Malý. Kjo figurë, e cila mbetet krejt e paqartë deri më sot, përpiqej t’i takonte priftërinjtë e t’i njoftonte se Kryeipeshkvi i Pragës, Imzot Josef Beran, i cili ishte i internuar, duhet të ikte jashtë vendit dhe kishte nevojë për ndihmë shpirtërore, ose donte të rrëfehej te një meshtar. Fillimisht, të dy priftërinjtë e besuan Ladislav Malý-n, por gradualisht e kuptuan se ndoshta informacioni ishte i pasaktë dhe se e gjithë kjo ishte e rreme. E pikërisht kështu ndodhi që kur filluan të dyshonin në besueshmërinë e këtij kapiteni të vetëshpallur. Që të dy u arrestuan: Bula në pranverën e vitit 1951 dhe Drbola në qershor.
Gjatë burgosjes së tyre, ndodhi një ngjarje e rëndësishme: vrasja e tre zyrtarëve komunistë në korrik 1951. Ky ishte preteksti kryesor që regjimi komunist të ngrinte akuza. Pavarësisht se ishin në burg në kohën e ngjarjeve, priftërinjtë u akuzuan për bashkëpunim në vrasjen e tre zyrtarëve. Drbola nuk kishte asnjë shans për të apeluar dënimin me vdekje që do të merrte më vonë. Fatkeqësisht, as Bula gjithashtu nuk pati shans për të mbrojtur me sukses veten dhe për të vërtetuar të vërtetën e pafajësisë së tyre. Drbola u ekzekutua më 3 gusht 1951 – Bula, më 20 maj 1952.
Pra, a mund të themi se të dy meshtarët ishin viktima të një gjyqi-farsë?
Iu nënshtruan sakaq një gjyqi të shëmtuar. Regjimi organizoi gjithçka për të dhënë dënime shembullore, për të frikësuar më tej popullsinë dhe për të provuar të ndikonte më tej në jetën e besimtarëve. Të dy priftërinjtë u torturuan mizorisht. Çka treguan disa dëshmitarë, është domethënëse. Njëri prej tyre kujton se, pavarësisht mizorive që pësoi, Jan Bula, për shembull, vazhdoi të lutej e madje i inkurajoi të burgosurit e tjerë të ecnin përpara dhe të kishin shpresë. Të dy ruajtën një fe të palëkundur deri në fund.
Në mbështetje të kësaj, u gjetën letrat që Atë Bula lejohej t'i shkruante pak para vdekjes së tij, konkretisht një ditë më parë. Në njërën nga këto letra drejtuar motrës dhe të kunatit, shkroi: "Besoj në mirësinë e Zotit dhe në drejtësinë e Tij; edhe ju duhet të besoni fort. Ngushëllimi im më i madh është t'i kem shërbyer Zotit deri në fund të fundit. Njeriu nuk e do kurrë mjaftueshëm Zotin; kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të pendohemi".
Si u perceptua rasti nga bashkëkohësit? A kishte vetëdije për martirizimin e tyre?
Që në vitin 1951, një transmetim i Radio Vatikanit kujtoi jetën e dy meshtarëve. Natyrisht, në atë kohë, rrethanat e sakta të ngjarjeve nuk ishin të njohura mirë, por duke pasur parasysh atë që njerëzit thoshin për këta dy priftërinj dhe reputacionin për shenjtërinë e tyre, që tashmë kishte nisur të përhapej, ishte e qartë se akuzat e bëra kundër tyre ishin ndoshta të rreme. Kështu, që nga fillimi, jeta e tyre dhe dëshmia e tyre e fesë patën jehonë e rezonancë të dukshme. Ata u konsideruan martirë në çdo drejtim.
Si mund ta përfaqësojnë dy martirët një model për fenë tonë?
Ajo, për të cilën dëshmuan këta dy priftërinj guximtarë ishte aftësia për të ruajtur ndërgjegjen e lirë dhe për t'i qëndruar besnikë Krishtit, Ungjillit dhe Kishës së Romës, deri në fund të fundit. Edhe sot, ekzistojnë forma të ideologjisë në nivelet politike dhe kulturore që mund ta minojnë dhe ta kushtëzojnë lirinë dhe ndërgjegjen e çdo individi. Prandaj, është një thirrje e fortë, edhe në kohën e tanishme, për të ndjekur shembullin e tyre, për të pohuar se, në çdo kontekst dhe situatë historike a kulturore në të cilën jeton, pavarësisht vështirësive dhe vuajtjeve, dikush mund ta mbrojë ende lirinë dhe pavarësinë e tij. Deri në fund...
Një pikënisje e mëtejshme për përditësimin e dëshmisë së tyre të fesë mund të gjendet edhe në rishikimin e disa pasazheve domethënëse nga Leoni XIV, në enciklikën e fundit Magnifica Humanitas. Në veçanti, ndër numrat 97 deri në 99, ku flet për inteligjencën artificiale, gjeta një lidhje në pasazhin ku Papa paralajmëron se inteligjencës artificiale i mungon ndërgjegjja morale, ndryshe nga inteligjenca njerëzore, e cila ka ndërgjegjen dhe lirinë e vet, e për këtë arsye, e quan lojë ndjenjën e përgjegjësisë.
Në disa mënyra, mund të thuhet edhe se përballë këtyre sfidave të reja të paraqitura nga inteligjenca artificiale - dhe kështu nga ajo që, më shumë se format e tjera të ideologjisë, aktualisht mund të ndikojë në zgjedhjet e jetës së të gjithëve dhe të minojë lirinë - secili prej nesh është i thirrur të bëjë pjesën e tij, t’i hedhë një vështrim më të kujdesshëm dhe kritik gjërave, në mënyrë që ta ruajmë këtë autonomi gjykimi dhe kuptimi të asaj që është e mirë dhe e keqe.