Med26, Kard. Czerny: të ngremë vështrimin për të medituar një horizont paqeje
R.SH. / Vatikan
Në takimin Med26 që po zhvillohet në Barcelonë deri më 12 qershor, kardinali Michael Czerny, duke folur në emër të Papa Leoni XIV, theksoi se Mesdheu, djepi i qytetërimeve, po përballet me konflikte të rënda, pabarazi ekonomike, migrim të detyruar dhe pasoja të ndryshimeve klimatike.
Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor vuri në dukje se më të goditurit janë njerëzit më të pambrojtur, veçanërisht të rinjtë, të cilëve u pengohen mundësitë për arsimim dhe për një të ardhme më të mirë për shkak të pengesave gjithnjë e më të mëdha në lëvizje dhe integrim.
Tema e samitit Med26 është "Alzad la mirada" (Ngrini shikimin), një thirrje për të parë përtej krizave aktuale dhe për të ndërtuar një horizont paqeje dhe pajtimi. Kardinali Czerny e lidhi këtë mesazh me vizitën e Papës në Spanjë dhe me inaugurimin e Kullës së Jezu Krishtit në Bazilikën Sagrada Família, duke e paraqitur atë si simbol të një "paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse".
Kard. Czerny bëri thirrje për guxim në kërkimin e rrugëve të reja drejt paqes. Sipas tij, nuk mjafton vetëm analiza e problemeve; nevojitet një model i ri i miqësisë shoqërore, i bazuar në dëgjimin reciprok, bashkëpunimin dhe ecjen së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët për Mesdheun.
Duke cituar dokumentin Querida Amazonia, Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor theksoi se ndryshimet e vërteta nuk imponohen nga jashtë, por lindin nga dëgjimi i njerëzve, respektimi i kulturave dhe përfshirja e të gjitha palëve. Ky parim, sipas tij, vlen edhe për rajonin e Mesdheut.
Në fund, kardinali Czerny nënvizoi rolin vendimtar të të rinjve. Ata dëshirojnë një botë pa luftëra, pa katastrofa klimatike dhe pa ndarje. Të rinjtë shohin tek të rriturit dhe udhëheqësit fetarë partnerë për ndërtimin e së mirës së përbashkët dhe të një të ardhmeje më paqësore për Mesdheun. Ipeshkvijtë, liderët politikë e fetarë, akademikët dhe aktorët socialë janë të ftuar të punojnë së bashku me ta për këtë qëllim.