Bazilika e Shën Pjetrit,  sheshi dhe Pallati Apostolik, Vatikan. Bazilika e Shën Pjetrit, sheshi dhe Pallati Apostolik, Vatikan.

Mbrojtja e të miturve: Statute të reja, mandat i përforcuar dhe veprimtari e efektshme

Papa Leoni XIV miratoi Statutet e përditësuara të Komisionit Papnor për mbrojtjen e të miturve, në përputhje me kushtetutën «Praedicate Evangelium». Këto përditësime frymëzohen nga dëgjimi i viktimave dhe i të mbijetuarve, nga sqarimi i marrëdhënies së Komisionit me dikasteret e tjera dhe forcimi i rolit të tij në nxitjen e llogaridhënies, transparencës dhe të përvojave më të mira të mbrojtjes në nivel botëror.

R. SH. / Vatikan

Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot statutet e përditësuara të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, të cilat Papa Leoni XIV i miratoi si për provë, për një periudhë trivjeçare, duke forcuar angazhimin e vazhdueshëm të Kishës për mbrojtjen e të miturve dhe personave të cënueshëm në të gjithë botën. Statutet e mëparshme ishin të vitit 2015 dhe pas  shpalljes së kushtetutës apostolike «Praedicate Evangelium» në mars 2022, e cila rregullon punën e organeve të Kuries Romake, doli e nevojshme të përshtateshin Statutet e Komisionit, pas ripërtëritjes së mandatit dhe strukturës së re të sanksionuar në Kushtetutë.

Kryeipeshkvi Verny: angazhimi për integrimin e mbrojtjes në jetën e Kishës

"Statutet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në thellimin e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për më të cënueshmit" theksoi kryetari i Komisionit, kryeipeshkvi Thibault Verny. "Ato pasqyrojnë përmirësimet pas dëgjimit të  viktimave dhe të mbijetuarve, të ekspertëve në fushën e mbrojtjes dhe pas thithjes së përvojës së Kishave vendase, duke ripohuar se mbrojtja mbetet përparësi." Statutet e reja forcojnë rolin e Komisionit në nxitjen e praktikave të mbrojtjes në të gjithë Kishën universale dhe sqarojnë më tej mandatin, strukturën dhe metodat e tij të funksionimit. Përditësimi është pjesë e angazhimit më të gjerë të Selisë së Shenjtë për të siguruar që mbrojtja të futet plotësisht në jetën dhe në strukturat e Kishës.

Këndëvështrime të frymëzuara nga dëgjimi i viktimave dhe i të mbijetuarve

Ndër parimet themelore të dokumenteve të reja është një këndvështrim i frymëzuara nga dëgjimi i viktimave dhe i të mbijetuarve. Leoni XIV ka pohuar vazhdimisht se mbrojtja e të miturve dhe e personave të cënueshëm është një përgjegjësi themelore e Kishës. Statutet e përditësuara e ripohojnë këtë angazhim dhe mbështetje për Komisionin në misionin e tij për të ndihmuar Kishat vendase në forcimin e sistemeve të tyre të mbrojtjes.

Natyra e komisionit

Nenet e para përcaktojnë natyrën e Komisionit, i cili këshillon Atin e Shenjtë, Papën, për mbrojtjen e të miturve dhe të personave të cënueshëm nga abuzimi (Neni 2, paragrafi 1) dhe i raporton drejtpërdrejt atij nëpërmjet kryetarit të tij (Neni 1, paragrafi 2). Ky komision vepron brenda Dikasterit për Doktrinën e Besimit dhe bashkëpunon ngushtë me të në shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e metodologjive të mbrojtjes, përgatitjen e raportit vjetor dhe zbatimin e programeve të trajnimit. Kreytari ose sekretari janë anëtarë të caktuar të Dikasterit për Doktrinën e Besimit, dhe një ose më shumë zyrtarë të Dikasterit emërohen nga Prefekti si vëzhgues në Asambletë Plenare të Komisionit (Neni 3). Komisioni kontribuon në udhëheqjen, jo të drejtpërdrejtë, të shërbimit ndaj Kishës universale duke nxitur përgjegjësinë lokale dhe tagret e Dikastereve të Kuries Romake në çështjet e mbrojtjes.

Kompetencat: raportimi, dëgjimi dhe jeta e kushtuar

Komisioni ndihmon Kishat vendase dhe nxit përgjegjësinë vendase (Neni 2, paragrafi 3 dhe Neni 6, paragrafët 1-3) në zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme dhe të arritshme të raportimit, si dhe qendrave rajonale dhe kombëtare të dëgjimit, të cilat mirëpresin, dëgjojnë dhe mbështesin viktimat dhe të mbijetuarit, duke mbrojtur njëkohësisht privatësinë, të dhënat personale dhe të drejtat e të gjithë atyre që janë të përfshirë. Komisioni mund të përfshihet në procesin e vizitës «ad limina», në bashkëpunim me Dikasterin për Doktrinën e Besimit dhe sipas procedurave të përcaktuara prej tij (Neni 2, paragrafi 4). Ai gjithashtu mbështet jetën e kushtuar përmes konferencave të eprorëve më të lartë, partnerë të vlefshëm në informacion; në përhapjen e praktikave më të mira dhe në bashkërendimin që synon promovimin e përgjegjësisë së eprorëve dhe ligjin e posaçëm të secilit institut (Neni 2, paragrafi 5; Neni 5, paragrafi 1).

Raporti vjetor mbi kujdestarinë

Komisioni është përgjegjës për përgatitjen e një raporti vjetor mbi politikat dhe procedurat e kujdestarisë kishtare. Ky raport përgatitet me kontributin e dikastereve vendase dhe të organeve kishtare dhe, pas konsultimit me Sekretariatin e Shtetit, i dorëzohet Atit të Shenjtë për autorizim për botim (Neni 2, paragrafi 6; Neni 7, paragrafët 1, 8 dhe 9). Raporti vjetor përshkruan gjendjen e mbrojtjes në Kishën nëpër botë, duke bërë dallimin midis politikave të vërtetuara, të praktikave të deklaruara, informacionit të marrë, çështjeve sistemike dhe rekomandimeve.

Bashkëpunimi me Kurien Romake

Komisioni bashkëpunon me dikasteret e Kuries Romake për çështjet e kujdestarisë dhe, në bashkëpunim me Sekretariatin e Shtetit (Neni 2, paragrafi 7), mund t'u paraqesë rekomandime prefektëve të dikastereve. Në rast të shkeljeve të përsëritura ose mangësive serioze në sistemet lokale të kujdestarisë, Komisioni mund t'ia transmetojë drejtpërdrejt vlerësimet e tij dikasterit kompetent, i cili ruan fuqinë vendimmarrëse të përshtatshme me funksionin e tij (Neni 6, paragrafi 4).

Një kuadër i përgjithshëm mbrojtjeje

Komisioni mbështet një kuadër të përbashkët të parimeve të mbrojtjes duke siguruar që udhëzimet lokale të jenë në përputhje me udhëzimet e Selisë së Shenjtë. Këto parime përcaktohen dhe zbatohen në nivel vendor, duke marrë parasysh specifikat e vendeve të ndryshme dhe të drejtën civile në fuqi (Neni 2, paragrafi 2; Neni 5, paragrafi 2).

Përbërja e komisionit

Komisioni përbëhet nga një maksimum prej 23 anëtarësh, të emëruar nga Papa, dhe përfaqësohet nga kryetari, gjithashtu i emëruar nga Papa. Kryetari ndihmohet nga një sekretar, i cili është anëtar i Komisionit (Neni 8). Komisioni mblidhet dy herë në vit në një asamble plenare dhe vepron në mënyrë kolegjiale nën drejtimin e kryetarit (Neni 9). Ai përfshin grupe rajonale dhe grupe studimi (Neni 10). Kryetari dhe sekretari ndihmohen dhe këshillohen nga këshilli ekzekutiv, një organ i përhershëm i përbërë nga vetë kryetari dhe sekretari; nga tre komisionerë të zgjedhur nga anëtarët e Komisionit dhe zyrtarët e Selisë së Shenjtë në shërbim të tij.

Këshilli Ekzekutiv mund të përfitojë gjithashtu nga dy anëtarë të jashtëm me përvojë në çështjet financiare dhe administrative (Neni 11). Në fund, pastaj, Komisioni mund të përfitojë nga këshilltarë krahinorë për të zbatuar mandatin e tij (Neni 12).

Teksti i plotë italisht i Statutit të përditësuar, gjendet në: press.vatican.va.

13 qershor 2026, 16:39