2026.06.12 PADRE NAZARENO LANCIOTTI

Lanciotti është i lum, kard. Braz de Aviz: dëshmitar shembullor në luftën kundër varfërisë

Në famullinë e Nossa Senhora do Pilar të qytetit brazilian Jauru, në Mato Grosso, Mesha e Lumnimit u kryesua nga prefekti i nderit i Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, duke përfaqësuar Papën Leoni XIV. Në përkujtim të misionit të priftit italian kundër shfrytëzimit e prostitucionit të fëmijëve dhe trafikantëve, kardinali nxiti përdorimin e parave për të mirën e përbashkët e jo për prodhim armësh.

R.SH. / Vatikan

Dëshmitar shembullor i jetës së krishterë për mbarë Kishën e njerëzimin. Kështu e përshkroi Kardinali João Braz de Aviz, Prefekt nderi i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, duke përfaqësuar Papën Leoni XIV, Atë Nazareno Lanciotti, misionar italian i vrarë "nga urrejtja për fenë", gjatë predikimit të tij në Meshën e Lumnimit  kremtuar dje, 13 qershor, në famullinë e Nossa Senhora do Pilar të qytetit Jauru në shtetin Mato Grosso, Brazil. Atë Lanciotti, meshtar romak i Operacionit Mato Grosso, u sulmua më 11 shkurt 2001 nga dy burra me kapuç, në shenjë hakmarrjeje për luftën e tij kundër trafikut të drogës dhe të prostitucionit dhe vdiq nga plagët e rënda më 22 shkurt. Kremtimi u zhvillua në vendin ku ai punoi për tridhjetë vjet, derisa martirizimi iu njoh vitin e kaluar, gjatë papnisë të Papës Françesku.

Progresi teknologjik, burim i skllavërive të reja

Atë Lanciotti e la Italinë nga dashuria për Ungjillin, u kujtua, duke u nisur për në një dhe të largët, i frymëzuar nga dëshira e fortë për t'iu "kushtuar shërbimit ndaj më të varfërve dhe luftës së dhimbshme e të vështirë kundër formave të ndryshme të padrejtësisë e të shtypjes". Luftoi kundër shfrytëzimit të të miturve, prostitucionit të fëmijëve dhe luftës kundër trafikantëve të drogës në kufirin ndërmjet Brazilit e Bolivisë. Në këtë vepër ungjillore, shprehu forcë e hir, ushqyer nga besnikëria ndaj Eukaristisë dhe ndaj Marisë, nënës së Jezusit.

"Për ne sot është nxitje gojtarie për të ringjallur vlerat e Ungjillit", theksoi kardinali, "të cilat ringjallin vlerat e njeriut në këtë çast të historisë njerëzore, kur kultura mbizotëruese synon t'i zvogëlojë plotësisht ato". Kjo ndodh shpesh - vërejti kardinali - në emër të progresit teknologjik, padyshim i nevojshëm, por që synon të krijojë "forma të reja skllavërie, e një det vuajtjesh për shumicën e njerëzimit".

Rimëso, që të dëgjosh për ndërtimin e drejtësisë

Karidnali  Braz de Aviz kujtoi ftesën e Papës Leoni për të punuar lidhur me  unitetin e Kishës, me bashkimin e thellë të të gjitha dallimeve, me gëzim, për ndërtimin e paqes. Pikërisht në këtë drejtim - vazhdoi ai - u theksua dëshmia e Nazareasit të Lum, duke e vendosur përsëri aspektin hyjnor në qendër, si motorin e vitalitetit të thellë njerëzor. Vëmendja ndaj ndihmës e ndaj më të varfërve dhe braktisja e të braktisurve e karakterizoi misionin e tij. E më pas u kthye përsëri tek predikimi, tek konsiderata se sot përdorimi i parave i kushtohet kryesisht krijimit të armëve gjithnjë e më të sofistikuara, gjithnjë e më të shtrenjta.

"Ne besojmë në rrugën e dialogut, e cila fillon në familje, në rrugën e dëgjimit, në rrugën e respektit të thellë për të tjerët, në braktisjen e individualizmit, rimësimin për të dëgjuar, ndërtimin e drejtësisë, vendosjen e të mirave të njerëzimit në shërbim të të gjithëve", vërejti kardinali.

Të braktiset individualizmi

Kujtoi edhe katër shtyllat themelore të Kishës, që duhen rizbuluar. Mbi të gjitha, Fjala e Zotit dhe bashkimi vëllazëror, "duke braktisur individualizmin tonë, duke braktisur vetminë tonë". Pastaj, zgjedhja për më të varfrit, "të cilët duhet të jenë të parët objekt i vëmendjes dhe i dëshmisë sonë".

Së fundmi, dashuria për Eukaristinë, besuar gjithnjë Marisë.

14 qershor 2026, 13:14