Krishtlindja 2026, do të jenë fëmijët e sëmurë ata që do të dekorojnë bredhin e Sheshit të Shën Pjetrit
R.SH. / Vatikan
Bredhi tradicional i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan këtë vit do të vishet me dëshirat për jetë dhe shërim të shumë fëmijëve të sëmurë, që kurohen në spitalet italiane. Do të jenë pikërisht ata artistët që do të modelojnë me argjilë dekorimet e destinuara për degët e Pemës së Krishtlindjes: zbukurimet do të tregojnë një histori korale, të përbërë nga mendimet dhe emocionet më intime të pacientëve të vegjël. Projekti, siç lexohet në një njoftim të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, quhet “Bota që do të doja” (Il Mondo che vorrei) dhe është një nismë e Fondacionit "Lene Thun", i cili këtë vit do të kujdeset për rregullimin e bredhit të bardhë, rreth 25 metra i lartë, që vjen nga pylli i Cugno dell’Acero dhe që është dhuruar nga komuna e Terranova di Pollino, në provincën e Potencës, në Itali.
Dekorimet për bredhin e Krishtlindjes do të jepen nga punimet në laboratorët e qeramikë-terapisë të Fondacionit "Lene Thun" që zhvillohen çdo javë në repartet e onkohematologjisë pediatrike të spitaleve italiane, duke përfaqësuar një mbështetje të vërtetë psikologjike gjatë periudhës së sëmundjes. Institucioni jofitimprurës,"Lene Thun", i lindur në vitin 2006, ka aktivizuar 56 laboratorë në 36 struktura shëndetësore të ekselencës dhe, në njëzet vjet aktiviteti, më shumë se 80.000 fëmijë, së bashku me familjet e tyre, kanë gjetur në këtë rrugëtim një hapësirë shprehjeje, lehtësimi dhe bashkëndarjeje me të tjerët. Vepra do të realizohet me mbështetjen e Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, nëpërmjet Drejtorisë së Infrastrukturave dhe Shërbimeve.
Një skenë e Lindjes së Krishtit sipas traditës abruceze
Skena e Lindjes së Krishtit në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan këtë vit do të realizohet nga kryedioqeza italiane e Chieti-Vasto, së bashku me Shoqatën "Miqtë e Presepes" të Atessa-s, Vëllazërinë e Lirë të Artistëve dhe Qendrën e Edukimit të Burgjeve "Shën Pjetri dhe Shën Pali" të Vasto-s. Ajo do të ndërthurë mesazhin biblik me traditën rurale abruceze. Kabina, me mbulimet e saj karakteristike prej kashte, do të kujtojë vendet e punës së fshatarëve dhe banesat e lashta tipike, të quajtura “Pagliarelli” ose “Pinciare”, të bëra prej dheu e kashte, të thjeshta, por të afta për të mirëpritur gjithçka që është e nevojshme për jetën.
Mes kopeve prej terrakote, barinjtë e shumtë, të veshur me kostumet tipike abruceze, domethënë me rroba të ashpra dhe lëkurë dashi, do të simbolizojnë një fe të thjeshtë dhe të sinqertë. Në përfaqësim e shpellës së Betëehemit do të shfaqet edhe një dele e zezë që do të evokojë të qenit të përzgjedhur nga mëshira hyjnore, duke nënkuptuar njerëzimin e humbur, mëkatarin që Krishti dëshiron ta kthejë tek vetja. Është shenja se askush nuk është i përjashtuar nga gëzimi i lindjes së Shpëtimtarit Jezus. Skena e Lindjes së Krishtit do të mbizotërohet nga një Kullë, mbi të cilën vigjilon një engjëll që shpall Lavdinë e Fjalës së Hyjit të bërë njeri. Ajo të kujton vizualisht Migdal Eder-in biblik, “Kullën e Kopesë”, një vend që tradita dhe Shkrimi i Shenjtë e tregojnë si pikën e saktë ku Mesia do të zbulohej për herë të parë. Skenografinë do ta plotësojnë kafshët dhe orenditë tipike të traditës rurale abruceze.
Vendosje detare për Lindjen e Krishtit në Sallën Pali VI
Skena e Lindjes së Jezusit në Sallën Pali VI, në Vatikan, do të dhurohet këtë vit nga Fondacioni i Karnavalit të Viareggio-s. Vendosja e Lindjes së Jezusit do të jetë konteksti detar i traditës lokale, ku elementet e detit dhe të jetës së peshkatarëve do të marrin një vlerë simbolike dhe shpirtërore. Rëndësi e veçantë do t'i kushtohet, në këtë përfaqësim, figurës së Shën Jozefit, i paraqitur si kujdestar i brishtësisë dhe i dritës, ndërsa Tre Mbretërit, të riinterpretuar si peshkatarë, do të ofrojnë dhurata të lidhura me detin, evokuese të komunitetit, mirëpritjes dhe bollëkut.