Kërko

Punimet e Koncistorit të Jashtëzakonshëm të 7 e 8 janarot 2026 Punimet e Koncistorit të Jashtëzakonshëm të 7 e 8 janarot 2026

Koncistori: diskutim mbi situatën botërore, "Magnifica humanitas" dhe Sinodin

Në një letër drejtuar kardinalëve që do të marrin pjesë në takimin e 26-27 dhe 29 qershorit me Papa Leonin XIV në Vatikan, kardinali Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, komunikon temat e katër sesioneve të punimeve që do të mbahen në Sallën Pali VI dhe në Sallën e Sinodit, në Vatikan. Kardinalët do të diskutojnë mbi situatën ndërkombëtare, paqen dhe tejkalimin e teorisë së "luftës së drejtë", mbi enciklikën Magnifica humanitas dhe mbi zbatimin e Sinodit.

R.SH. – Vatikan

Bashkëndarja e vuajtjeve dhe e shenjave të shpresës lidhur me situatën ndërkombëtare, reflektimi mbi disa tema të enciklikës Magnifica humanitas dhe një përditësim mbi procesin e zbatimit të Sinodit. Këto do të jenë temat rreth të cilave do të artikulohen punimet e Koncistorit të thirrur nga Papa Leoni XIV për ditët 26, 27 dhe 29 qershor. Kështu pohon kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, në një letër të dërguar më 3 qershor të gjithë kardinalëve pjesëmarrës. Kardinali Re nënvizon se Papa Leoni XIV dëshiron që takimi, ashtu si ai i mëparshmi i mbajtur më 7 dhe 8 janar të këtij viti, të jetë një "hapësirë dëgjimi të ndërsjellë, shoshitjeje dhe thellimi të përbashkët mbi disa çështje të rëndësishme për jetën dhe misionin e Kishës në kohën e sotme".

Klimë dëgjimi për të mbledhur përvojën e kardinalëve

Qëllimi i Koncistorit, për Leonin XIV, kujton kardinali Re, është "të mbledhë përvojën dhe këshillën e anëtarëve të Kolegjit Kardinalor dhe, në të njëjtën kohë, të mund të mbështetet në ndihmën aktive dhe përkrahjen e secilit në vendet dhe përgjegjësitë e ndryshme ku ata i shërbejnë Kishës". Për këtë arsye është e rëndësishme që puna të zhvillohet "në një klimë dëgjimi, lirie dhe parresie (të folurit hapur), ashtu që të favorizohet një shoshitje e përbashkët".

Situata ndërkombëtare dhe realiteti i Kishave lokale

Sesioni i parë do t'i kushtohet, pra, një reflektimi të përbashkët mbi situatën ndërkombëtare dhe mbi realitetin e Kishave lokale. Një ndarje kjo e udhëhequr nga dy pyetje drejtuar kardinalëve:

"Çfarë vuajtjesh, tensionesh dhe pikëpyetjesh po përshkojnë sot me forcë më të madhe popujt dhe komunitetet kishtare të besuara në kujdesin Tuaj? Çfarë shenjash shprese, besnikërie ndaj Ungjillit dhe pajtimi të mundshëm ju duket e rëndësishme të sjellni në dëgjimin e përbashkët?".

"Magnifica humanitas" dhe paqja

Sesioni i dytë dhe i tretë do të ndalet rreth enciklikës Magnifica humanitas, të botuar më 25 maj. Në sesionin e dytë, në veçanti, do të analizohet kapitulli i pestë i dokumentit, i titulluar "Kultura e pushtetit dhe qytetërimi i dashurisë". Letra kujton se Papa, në numrin 182, në një botë të shenjuar nga "polarizimi, dhuna dhe konfliktualiteti në rritje", shkruan se "paqja nuk është një temë mes të tjerave, por është kusht për të mirën e përbashkët universale dhe një provë e pjekurisë morale të popujve".

Kardinalët që vijnë nga territore të prekur nga lufta janë të ftuar të dëshmojnë mbi mënyrën "se si ky realitet prek dhimbshëm" përvojën e tyre, ndërsa të tjerët të reflektojnë mbi rishfaqjen e "gjuhëve, logjikave dhe praktikave që dobësojnë mundësinë e pajtimit dhe të bashkëjetesës". Synohet që të reflektohet së bashku, prandaj, mbi mënyrën se si të ripohohet sot "tejkalimi i teorisë së 'luftës së drejtë', e cila thirret tepër shpesh për të arsyetuar çdo luftë", siç shkruan Papa Leoni XIV në numrin 192 të enciklikës Magnifica humanitas, dhe "mbi çfarë rrugësh konkrete mund t'i ndihmojnë popujt dhe komunitetet e krishtera të ruajnë dhe të ndërtojnë paqen".

Shndërrimet e sotme dhe zhvillimi integral njerëzor

Në sesionin e tretë, duke u nisur nga perspektiva e "ndërtimit për të mirë", e cila gjendet si në hyrje ashtu edhe në përfundim të Magnifica humanitas, do të thellohet ftesa e enciklikës "për të lexuar shndërrimet e kohës sonë në dritën e Ungjillit dhe për të orientuar dëshirën njerëzore për lumturi dhe plotësi drejt një zhvillimi të gjithanshëm njerëzor".

Procesi i zbatimit të Sinodit

Pjesa e parë e sesionit të fundit, siç kujton letra e kardinalit dekan, do t'i kushtohet "përditësimit të anëtarëve të Kolegjit mbi procesin e zbatimit të Sinodit, duke u nisur nga dokumenti i fundit drejt Asambleve Sinodale 2027-2028. Etapat, kriteret dhe instrumentet për përgatitjen". Pjesa e dytë do të mundësojë një dialog të lirë të kardinalëve me Papën, me ndërhyrje që do të zgjasin nga tre minuta.

Punimet e 26-27 qershorit dhe Mesha e 29 qershorit

Kardinali Re njofton së fundi se Koncistori do të zhvillohet më 26 dhe 27 qershor në Sallën Pali VI dhe në Sallën e Sinodit, dhe do të përmbyllet më 29 qershor në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku Papa Leoni do të kryesojë Meshën për solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, do të bekojë simbolet Palios dhe do t'ua vendosë ato argjipeshkvijve të rinj metropolitë. Ndërkaq, nuk është parashikuar një Meshë e bashkëkremtuar ditën e diel, 28 qershor, siç ishte komunikuar edhe më parë.

04 qershor 2026, 15:04