Të dhënat shëndetësore, menaxhimi etik dhe ndarja e drejtë e hulumtimeve
R.SH. / Vatikan
Përdorimi në rritje i të dhënave shëndetësore dhe teknologjive digjitale po hap mundësi të reja për mjekësinë moderne, por njëkohësisht po ngre edhe sfida të rëndësishme etike. Pikërisht këto çështje ishin në qendër të Takimit të Tretë të Ekspertëve për rishikimin e Deklaratës së Taipeit, i mbajtur më 1 dhe 2 qershor në Vatikan
Ekspertë ndërkombëtarë të mjekësisë, bioetikës, së drejtës dhe shëndetit publik kanë bërë thirrje për një menaxhim më etik dhe më të drejtë të të dhënave shëndetësore gjatë Takimit të Tretë të Ekspertëve për rishikimin e Deklaratës së Taipeit, mbajtur më 1-2 qershor në Vatikan.
Takimi, i organizuar nga Shoqata Botërore e Mjekëve (WMA) në bashkëpunim me Akademinë Papnore për Jetën dhe Shoqatën Mjekësore Izraelite, u përqendrua në mënyrën se si mblidhen, ruhen, përdoren dhe shpërndahen të dhënat shëndetësore dhe mostrat biologjike.
Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, Imzot Renzo Pegoraro, theksoi se përdorimi gjithnjë e më i madh i teknologjive digjitale në mjekësi sjell sfida të rëndësishme etike që kërkojnë bashkëpunim në nivel global. Sipas tij, takimi përbën një mundësi të rëndësishme për të promovuar një qasje më të drejtë në kërkimin biomjekësor dhe në kujdesin shëndetësor.
Pjesëmarrësit diskutuan veçanërisht për përfaqësimin e pamjaftueshëm të grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara në kërkimet shkencore, si dhe për nevojën që përfitimet e kërkimit të ndahen në mënyrë të barabartë mes të gjitha komuniteteve.
Nga ana e saj, presidentja e Shoqatës Botërore të Mjekëve, Jacqueline Kitulu, theksoi se inovacioni mjekësor duhet të mbetet i bazuar në etikë dhe barazi. Ajo nënvizoi se të dhënat shëndetësore dhe biobankat kanë potencial të madh për të përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe njohuritë shkencore, por përparimi duhet të ecë paralelisht me përgjegjësinë etike dhe përfshirjen e të gjithëve.
Deklarata e Taipeit, e miratuar në vitin 2002 dhe e rishikuar në vitin 2016, ofron udhëzime etike për përdorimin e bazave me të dhëna shëndetësore dhe biobankave. Rishikimi aktual synon ta përshtatë dokumentin me zhvillimet e reja në inteligjencën artificiale, gjenomikë dhe mjekësinë e bazuar në të dhëna.
Në përfundim të takimit, organizatorët vlerësuan bashkëpunimin ndërkombëtar mes mjekëve dhe ekspertëve, duke theksuar se edhe në kohë konfliktesh, komuniteti shkencor mund të bashkohet në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së pacientëve, duke kontribuar njëkohësisht në mirëkuptim dhe paqe.