Kërko

Kardi. You: Gadishulli Korean nuk mund të heqë dorë kurrë nga paqja

Flet prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Klerin, ish-kryeipeshkëv i qytetit Dehgjon (Daejeon), në Meshën kushtuar paqes dhe pajtimit ndërmjet Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, në prani të Presidentit të Seulit Lee Jae-myung, i cili do të jetë në audiencë me Papën nesër, më 15 qershor. Kardinali You gjatë predikimit nënvizoi shpresën se ky gadishull do të jetë në gjendje t'i dëshmojë botës "se dialogu është më i fortë se konflikti".

R.SH. / Vatikan

"Gadishulli Korean ka ende në trup plagët e përçarjes. Vëllezërit dhe motrat ende jetojnë të ndarë. Çfarë vuajtjeje mund të jetë më e madhe se kjo? Ne nuk mund të heqim dorë kurrë nga paqja, për asnjë arsye. Ne përballemi me përgjegjësinë për t'u angazhuar, të gjithë së bashku dhe me të gjithë forcën tonë, për ndërtimin e paqes." Me këtë thirrje, gjatë homelisë së tij për Meshën kushtuar paqes dhe pajtimit në Gadishullin Korean, kremtuar në Bazilikën romake të Shën Palit Jashtë Mureve, kardinali korean Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Klerin dhe kryeipeshkëv – ipeshkëv nderi i qytetit Dehgjon (Daejeon), shprehu shpresën e tij që Republika e Koresë "do të dëshmojë para gjithë botës se dialogu është më i fortë se konflikti, pajtimi më i fortë se urrejtja dhe besimi më i fortë se frika". Këto fjalë shprese prelati i lartë ia drejtoi Presidentit të Koresë së Jugut Lee Jae-myung, i cili ishte i pranishëm në këtë kremtim me gruan e tij, Kim Hye-kyung, bashkë me disa përfaqësues të qeverisë së Koresë së Jugut dhe anëtarë të trupit diplomatik nga vende të ndryshme të botës.

Me Leonin XIV, Kisha në mision për të ndërtuar paqen

Në të dielën e 11-të të Kohës së Zakonshme, në prag të audiencës së Papa Leonit XIV me Presidentin Lee, e cila do të mbahet të hënën, më 15 qershor, Kardinali You kujtoi se "edhe në vendet më të vështira, gjithmonë ka shpresë". Dhembshuria, nxiti ai, "duhet të zëvendësojë dhunën dhe komunikimi duhet të zëvendësojë mospërfilljen. Edhe kur dikush duket si një njeri me të cilin dialogu është i pamundur, rruga drejt paqes hapet kur kërkojmë takim me një zemër të gatshme për të dëgjuar". Kardinali korean theksoi se "Kisha Katolike, së cilës i prin Leoni XIV, vazhdon të punojë pa u lodhur për të përmbushur misionin e saj për të mbrojtur dinjitetin e çdo jete njerëzore dhe për të ndërtuar një botë paqeje".

Paqja e vërtetë vjen nga dialogu i sinqertë dhe i hapur

Paqja e vërtetë, shpjegoi kardinali You, nuk është thjesht mungesa e konfliktit, por buron nga angazhime konkrete: "dialogu i sinqertë dhe i hapur, respekti për dinjitetin e çdo njeriu dhe përpjekja për të kuptuar gjendjen e të tjerëve". Sipas kardinalit, "gjuhët e politikës dhe të diplomacisë mund të jenë të ndryshme, por dëshira për të mbrojtur jetën, për t'i shërbyer njeriut dhe për të kërkuar të mirën e përbashkët mund të takohen gjithmonë në frymën e Ungjillit".

Papa Françesku dhe dhembshuria për viktimat

Bota e sotme, vazhdoi You, "është një kohë kur dhembshuria për vëllezërit dhe motrat tona është e nevojshme më shumë se kurrë". Por aty ku duhet të jetë dhembshuria, "shpesh gjejmë mospërfillje dhe egoizëm; dhe madje dhuna dhe forca kërkojnë t'i zëvendësojnë këto. Në mes të këtij realiteti, Zoti na thërret të kemi një zemër plot dhembshuri për ata që janë viktima të dhunës".

Më pas, kardinali kujtoi takimin e Papa Françeskut me familjet e viktimave të tragjedisë së tragetit «Sewol» gjatë udhëtimit të tij në Korenë e Jugut në gusht 2014. "Me heshtje të thellë, me lutje dhe me një vështrim plot dashuri, ai mirëpriti dhimbjen e tyre" dhe "tha konkretisht se Kisha duhet të jetë një Kishë që ecën përkrah të varfërve dhe atyre që vuajnë".

Kisha qëndron pranë atyre që janë të plagosur

Në fluturimin e kthimit për në Romë, përfundoi prefekti i Dikasterit për Klerin, Papa Françesku u pyet nëse gjesti i tij i ngushëllimit mund të interpretohej politikisht por Papa Françesku u përgjigj qartë: "Përballë vuajtjeve njerëzore, nuk mund të jesh asnjanës". Këto fjalë, sipas kardinalit You, "i sollën ngushëllim dhe i dhanë shumë zemër shoqërisë koreane. Ato na kujtuan se qëndrimi i Ungjillit dhe mënyra e Kishës për të jetuar dhembshurinë nuk synojnë krijimin e përçarjeve, por t’i rrinë pranë atyre që janë të lënduar".

 

 

14 qershor 2026, 16:44