Kërko

Kard. Parolin: Papa në Spanjë për të ngjallur shpresën e bashkimit dhe takimit

Kardinali Pietrio Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit u shpjegon mediave të Vatikanit rëndësinë e udhëtimit të katërt apostolik të Leonit XIV: si Bari i Kishës Katolike, dëshiron të takojë bijtë e tij, por edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, për t'i ftuar të gjithë të ecin së bashku, drejt të njëjtit qëllim.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV mbërriti në Spanjë për udhëtimin e tij të katërt ndërkombëtar: Madridi, Barcelona, ​​​​Montserrati dhe Ishujt Kanarie janë ndalesat në këtë mision të ri apostolik. Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, shpjegon rëndësinë e kësaj ngjarjeje për mediat e Vatikanit.

Shkëlqesia Juaj, cili është mesazhi kryesor që Ati i Shenjtë dëshiron t'i përcjellë Spanjës në udhëtimin e tij të katërt apostolik ndërkombëtar?

Logoja e udhëtimit apostolik në Spanjë - rreth i hapur në lëvizje, i formuar nga figura njerëzore të bashkuara dhe të orientuara lart - tashmë zbulon qëllimin e Atit të Shenjtë. Si Bari i Kishës Katolike, ai dëshiron të takojë bijtë e tij, por edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë. Dëshiron të mbështesë, të nxisë dhe të ndërtojë vazhdimisht bashkësi dhe të takohet me të gjithë. E kjo ndodh në një lëvizje të dyfishtë, si brenda Kishës - ashtu edhe në shoqëri. Nuk është thjesht të jesh bashkë, por të ecësh së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet vlera që Kisha dëshiron t'i komunikojë mbarë njerëzimit: ftesa për të përqafuar përgjigjet që Jezu Krishti u jep pyetjeve të thella që bëjnë qeniet njerëzore rreth kuptimit të jetës, të vdekjes dhe të vuajtjes. Krishti na krijon mundësinë për të arritur atë plotësi të njerëzimit, që ne të krishterët e quajmë jetë e amshuar. Kjo bëhet gjithashtu burim i shpresës dhe i gëzimit me të cilin Ati i Shenjtë aspiron t'i shërbejë njerëzimit dhe t'i inkurajojë të krishterët.

Leoni XIV do të takohet me Parlamentin Spanjoll: cilat janë përparësitë diplomatike të Selisë së Shenjtë sot, në dialogun e saj me Evropën mesdhetare?

Ligjvënësit duhet të kenë gjithmonë dinjitetin e personit njerëzor dhe të mirën e përbashkët si referencë themelore kur hartojnë ligje dhe përcaktojnë llojin e shoqërisë, që dëshirojnë të ndërtojnë. Rajoni i Mesdheut, me traditën e tij mijëvjeçare të kulturës, artit dhe vlerave, përfaqëson gjithashtu një pikë referimi për Krishterimin. Në dialogun e saj me Evropën Mesdhetare, Selia e Shenjtë mbështet një afrim të dhembshur dhe të koordinuar ndaj krizës së migracionit, duke theksuar dinjitetin e brendshëm të të gjithë migrantëve. Qëndrimi i saj bazohet në katër parime themelore: mikpritja, mbrojtja, nxitja dhe integrimi i migrantëve e refugjatëve. Lidhur me demografinë, bregu verior i Mesdheut, ndryshe nga bregu jugor, po vuan nga rënia drastike e shkallës së lindjeve. Për t'iu përgjigjur kësaj krize, është themelore të vihet në qendër dinjiteti i të gjithë njerëzve, si dhe roli i familjes në shoqëri.

Çështja e pavarësisë ka ndikuar edhe në jetën e bashkësive kishtare lokale. Si mundet Kisha, dhe çfarë mesazhi mund të përcjellë Papa gjatë një vizite në Spanjë, për të shmangur polarizimin dhe për të nxitur bashkimin?

Si katolikë, ne besojmë se "Kisha është, në Krishtin, në një farë mënyre sakramenti a shenja e mjeti i bashkimit të ngushtë me Zotin dhe i unitetit të mbarë racës njerëzore" (LG 1) dhe se Papa, "si pasardhës i Pjetrit, është burimi dhe themeli i përhershëm e i dukshëm i unitetit të ipeshkvijve dhe i shumicës së besimtarëve" (LG, 23), prandaj është në natyrën e tij të mbrojë unitetin e Kishës dhe në Kishë. Si Atë e Bari,  shqetësohet për unitetin e bijve të tij, deleve të tij, e në mënyrë të barabartë e nxit misionin e besuar mbarë Kishës, që është Korpi Mistik i Krishtit, për të vendosur gjithashtu bashkësi dhe unitet në diversitet ndërmjet popujve të tokës. Mesazhi i Atit të Shenjtë, ndërsa nga njëra anë nuk mund ta tradhtojë misionin e tij të unitetit, për rrjedhojë të paqes - nga ana tjetër, as nuk kërkon të zëvendësojë përgjegjësitë e shteteve në qeverisjen e qytetarëve të tyre. Nga ky parim, mund të nxjerrim përfundimin sipas të cilit ndonëse mesazhi i Papës mund të ketë implikime politike, pikërisht sepse Kisha Katolike formohet nga vetë qytetarët e kombeve, Pasardhësi i Pjetrit shpall Ungjillin dhe dëshiron t’i ndriçojë të gjitha realitetet njerëzore prej andej, pa ndërhyrë në politikën e brendshme të Vendeve.

Nata pa gjumë me të rinjtë në Madrid është një nga ngjarjet kryesore. Në një vend që përjeton shekullarizim në rritje, çfarë ndryshimi mund të sjellin brezat e rinj dhe si?

Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të doja të kujtoja atë që Ati i Shenjtë u tha shumë të rinjve të mbledhur për Vigjiljen Jubilare në Tor Vergata, më 2 gusht. Ai i nxiti të rinjtë të jenë të apasionuar në kërkimin e së vërtetës, të guximshëm në lejimin e vetes në takimin me Krishtin dhe bujarë në jetën konkrete të Ungjillit. Bota, në të cilën jetojmë, i shtyn ata të bëjnë shumë gjëra, ndonjëherë në mënyrë hiperaktive dhe të shpërqendruar, duke i tunduar, megjithatë, që t'ua besojnë gjithnjë e më shumë të menduarit, vlerësimin dhe vendimmarrjen e tyre - sipas një stereotipi të vjetëruar, shkencor - mjeteve artificiale dhe ndonjëherë lehtësisht të manipulueshme. Të rinjtë mund të përgjigjen duke zgjedhur dhe duke përhapur një mënyrë të ndryshme, më të lirë të sjelljes. Duke i lënë vend heshtjes, reflektimit, meditimit dhe lutjes, ata mund të përdorin me entuziazëm, mençuri dhe bamirësi të rregullt mjetet e shumta që kanë në dispozicion, përdorimin e të cilave e dinë shumë mirë, për të mirën e çdo personi dhe të gjithëve. Të rinjtë janë të aftë për këto gjëra; janë veçanërisht të talentuar. Është e rëndësishme t'i ndihmojmë në fe, t'i thellojnë dhe t'i jetojnë mësimet e saj, duke u bërë profetë ngjitës të paqes, drejtësisë dhe dashurisë autentike për të ardhmen e tyre dhe tonën.

 

Në Barcelonë, Mesha në Sagrada Família me përurimin e Kullës së Jezu Krishtit do të jetë një nga çastet simbolikisht më të fuqishme. A mund të interpretohet kjo ngjarje si shtysë për t'i treguar bukurinë e Ungjillit gjithë Spanjës, e edhe më gjerë?

Sigurisht: duke bekuar Kullën e Jezu Krishtit, Ati i Shenjtë do të jetojë një çast të rëndësishëm në ndërtimin e Bazilikës së Sagrada Família. Ky element arkitektonik tregon se Kisha është kantier ndërtimi me gurë të gjallë, që rritet vazhdimisht gjatë gjithë historisë. Lartësia e kullës i fton të gjithë të lartojnë sytë kah Zoti i cili, në shenjën e kryqit, zbulon dashurinë e tij për njerëzimin. Si një far shpengimi dhe shprese, kjo strukturë është pra vepër ungjillizimi: bukuria e saj pasqyron qendrën e Krishtit në jetën e Kishës. Kulla e re përmbush vizionin e Gaudí-t, arkitektit të saj, i cili u frymëzua thellësisht nga feja. Ai ishte i pari që e kuptoi artin si formë e shpalljes ungjillore dhe gjuhë e privilegjuar e misionit të krishterë. Spanja gjen në këtë vepër jo vetëm një monument të shkëlqyer, i cili rrit trashëgiminë e saj kulturore, por edhe një dëshmi të fesë, që e ka bashkuar kombin për shekuj me radhë.

Ndalesa e Ishujve Kanarie përqendrohet në veçanti në realitetin e imigracionit dhe integrimit. Sipas mendimit tuaj, a po lëviz bota drejt një drejtimi mikpritës apor po "shkon nga ana tjetër" gjithnjë e më shumë?

Shumica dërrmuese e njerëzve nuk migrojnë përtej kufijve; një numër shumë më i lartë migrojnë brenda vendeve të tyre. Për më tepër, migrimi ndërkombëtar nuk është uniform në mbarë botën, por ndikohet nga faktorë ekonomikë, gjeografikë dhe demografikë. Migrimi mbështet tregjet e punës dhe ndihmon në plotësimin e mungesave të aftësive. Përmes remitancave, migrantët mbeten burim kyç mbështetjeje për vendet e tyre të origjinës. Lidhur me pritjen, theksohet se ekziston një tendencë e përhapur për t'u përqendruar vetëm në interesat e komuniteteve specifike. Kjo, siç theksoi Papa Leoni XIV, përfaqëson një kërcënim serioz për përgjegjësinë e përbashkët, bashkëpunimin shumëpalësh, realizimin e së mirës së përbashkët dhe solidaritetin global për të mirën e të gjithë familjes njerëzore. Në këtë kontekst, Selia e Shenjtë mbron vazhdimisht dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo personi. Është e rëndësishme të kujtojmë se çdo emigrant është person dhe, si i tillë, zotëron të drejta të patjetërsueshme, të cilat duhet të respektohen në çdo kontekst, si në atdheun e tij, ashtu edhe kudo që lëviz. Një fenomen kaq kompleks duhet të adresohet me vullnet politik, bujari dhe frymë solidariteti. Shpresa është për kthim të vendosur në vlerën e vëllazërisë, bazuar në empati dhe bashkëpunim, gjë që nxit takimin dhe pasurimin e ndërsjellë.

Sipas mendimit tuaj, cila është fytyra e Spanjës sot dhe çfarë roli mund të luajë në Evropë?

Spanja e sotme është një popull që ende ruan rrënjë të thella të krishtera, duke shprehur lidhje të gjallë dhe dashuri të sinqertë për Pasardhësin e Pjetrit. Pavarësisht sfidave të shoqërisë bashkëkohore, ajo është shtëpia e një Kishe të gjallë dhe dinamike, të aftë të dëshmojë Ungjillin dhe të ofrojë një kontribut të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të vendit. Shoqëria spanjolle po përjeton tensione dhe transformime të thella, por po kërkon shtigje takimi, pajtimi dhe mirësie të përbashkët. Duhet të rizbulojë qendrën e personit, dialogun social dhe pajtimin.

Shoqëria spanjolle po përjeton tensione dhe transformime të thella, por po kërkon shtigje takimi, pajtimi dhe mirësie të përbashkët. Duhet t’i rizbulojë qendrën e personit, dialogut social dhe pajtimit si themelet e bashkëjetesës demokratike. Lidhur me kontributin që mund t'i japë Evropës dhe botës, do të flisja për mbështetjen e multilateralizmit dhe promovimin e të drejtave të njeriut, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Gjithashtu mund të favorizojnë dialogun me vendet e Amerikës Latine dhe Afrikën e Veriut.

06 qershor 2026, 14:38