Kardinali Parolin merr pjesë në seancën e investiturës si anëtar nderi i ri i Akademisë së Mbretërisë së Marokut në Rabat Kardinali Parolin merr pjesë në seancën e investiturës si anëtar nderi i ri i Akademisë së Mbretërisë së Marokut në Rabat

Kard. Parolin: feja dhe ndërgjegjja qytetare për një ripërtëritjeje shoqërore

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kard. Parolin, në ceremoninë e pranimit të tij si anëtar i ri nderi i Akademisë së Mbretërisë së Marokut në Raba, vuri në dukje se Selia e Shenjtë dhe vendi afrikan ndajnë të njëjtat qëndrime. Ai bëri thirrje që vëllazëria të mos shihet thjesht si diçka për përfitim, duke kërkuar që të kapërcehet "toleranca" e thjeshtë ndaj tjetrit — me të cilin ndajmë të njëjtat të drejta — për të kaluar në një mirëpritje dhe pranim të vërtetë nga zemra

Vatican News

Feja dhe ndërgjegjja qytetare nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por përbëjnë dy shtylla të së njëjtës përpjekje për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më vëllazërore dhe më paqësore. Kështu u shpreh Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë ceremonisë së pranimit të tij si anëtar nderi i Akademisë së Mbretërisë së Marokut në Rabat.

Në fjalimin e tij, me temë “Besimtarë dhe qytetarë: të ndërtojmë së bashku vëllazërinë njerëzore pas 50 vjetësh marrëdhënie diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Marokut”, kardinali Parolin theksoi se vëllazëria e vërtetë nuk mund të mbështetet vetëm në interesa praktike ose utilitare. Sipas tij, pa një themel shpirtëror, shoqëria rrezikon të reduktojë marrëdhëniet njerëzore në bashkëjetesë të thjeshtë juridike, duke humbur aftësinë për ta parë tjetrin si vëlla apo motër në njerëzim.

Duke përcjellë përshëndetjet dhe bekimet e Papa Leonit XIV, kard. Parolin kujtoi se viti 2026 shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Marokut. Ai vlerësoi frymën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit që ka karakterizuar këto marrëdhënie, duke theksuar se të dyja palët e shohin fenë si një forcë kundër ekstremizmit dhe jo si shkak për ndarje.

Kardinali Parolin kujtoi gjithashtu edhe ngjarje të rëndësishme në historinë e këtyre marrëdhënieve, si vizita e mbretit Hassan II në Vatikan në vitin 1980, udhëtimi i Papa Shën Gjon Palit II në Marok në vitin 1985 dhe vizita apostolike e Papa Françeskut në vitin 2019.

Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, shtetet janë të thirrura të tregojnë “dhembshuri aktive”, respekt dhe solidaritet përballë krizave që sfidojnë botën e sotme. Ai iu referua Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën e Përbashkët, të nënshkruar në Abu Dhabi në vitin 2019, i cili pohon se të gjithë njerëzit kanë të njëjtin dinjitet dhe janë të thirrur të jetojnë si vëllezër.

Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë nënvizoi se feja bëhet forcë transformuese kur shprehet në shërbim të së mirës së përbashkët dhe në mbrojtje të dinjitetit të çdo personi. Kardinali Parolin kujtoi fjalët e Papa Françeskut dhe të Mbretit Mohammed VI se spiritualiteti duhet të mishërohet në veprime konkrete në dobi të njerëzve.

Duke folur për dialogun ndërfetar, kard. Parolin e cilësoi atë si një mjet thelbësor për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës dhe vlerësoi përkushtimin e Marokut në mbrojtjen e të drejtave të pakicave fetare dhe promovimin e një modeli qytetarie të bazuar në dinjitetin njerëzor dhe përfshirjen.

Në fjalimin e tij, kardinali Parolin preku edhe sfida të mëdha të kohës sonë, si migracioni, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimet e shpejta teknologjike. Ai përmendi rëndësinë e Marrakesh Global Compact për Migracionin, si dhe përputhjen e përpjekjeve të Marokut në fushën e energjive të rinovueshme me parimet e enciklikës “Laudato si’”.

Në përfundim, Kardinali Parolin theksoi se kur feja dhe ndërgjegjja qytetare ecin së bashku, ato bëhen motorë të një ndryshimi të thellë shoqëror dhe nënvizoi se paqja nuk ndërtohet me marrëveshje të përkohshme, por me kulturën e dialogut, respektin për të drejtat themelore dhe edukimin e brezave të rinj, të cilët do të jenë ndërtuesit e botës së nesërme.

23 qershor 2026, 16:10