Kard. Koovakad në Azerbajxhan: dialogut ndërmjet feve e kulturave të ndryshme
Vatican News
"Zjarr", term që, kur përkthehet, merr kuptimin e popullit të Azerbajxhanit. E "erë", element për të cilin njihet kryeqyteti i tij, Baku. Këto dy simbole, që përfaqësojnë përkatësisht dashurinë dhe harmoninë, formojnë zemrën e mandatit të përbashkët që Selia e Shenjtë dhe Azerbajxhanit, vendi kaukazian po e përtërijnë gjatë vizitës së Kardinalit George Jacob Koovakad, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar, në program për 15-19 qershor.
Lidhja e Azerbajxhanit me Selinë Shenjte
Dje pasdite, 18 qershor, pranë rezidencës të Sheikh ul-Islam të Kaukazit, Allahshukur Pashazade, në Baku, Kardinali Koovakad mbajti një fjalim, duke shprehur mirënjohje për pritjen e ngrohtë që iu bë dhe për miqësinë e gjatë që bashkon Selinë e Shenjtë me komunitetet fetare të Azerbajxhanit. Në prani të Prefektit Apostolik të vendit, Imzot Vladimír Fekete, Ambasadorit në Selinë e Shenjtë, Ilgar Mukhtarov dhe përfaqësuesve të komuniteteve lokale të krishtera dhe hebraike, Kardinali Koovakad kujtoi vizitat e Shën Gjon Palit II në vend, në vitin 2002, dhe të Papës Françesku në vitin 2016 që, së bashku me takime dhe nisma të shumta, i forcuan lidhjet ndërmjet dy komuniteteve.
Të krishterë dhe myslimanë, së bashku
I frymëzuar nga mësimi i Deklaratës së Koncilit II të Vatikanit mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo-të krishtera, Nostra Aetate, Kardinali Koovakad theksoi se si "të krishterët dhe myslimanët kanë kërkuan kështu të ecin së bashku në shërbim të paqes, duke pranuar se ne adhurojmë të vetmin Zot, Krijuesin e qiellit dhe të tokës". Në këtë perspektivë, marrëveshja dypalëshe e nënshkruar në vitin 2011 dhe memorandumi i mirëkuptimit mbi bashkëpunimin fetar nënshkruar vitin e kaluar, dëshmojnë për bindjen e përbashkët sipas të cilës "dialogu nuk është thjesht shkëmbim idesh, por rrugë drejt kuptimit, besimit dhe bashkëpunimit më të thellë".
Angazhime për të ardhmen
Megjithatë, çka u ndërtua deri tani, duhet të shërbejë si nxitje për të ndjekur idealin e "qytetërimit të dashurisë", të mishëruar nga Papa Leoni XIV në enciklikën e tij Magnifica Humanitas. Në këtë shpirt, deklaroi Koovakad, thirrja është të ndiqen pesë angazhime të rëndësishme të riafirmuara në dokument: çarmatosja e fjalëve që mbjellin armiqësi dhe përçarje; ndërtimi i paqes në drejtësi duke mbrojtur dinjitetin e çdo personi; miratimi i perspektivës së viktimave dhe dëgjimi i britmës së atyre që vuajnë; ripërtëritja e dialogut ndërmjet feve, kulturave dhe popujve; forcimi i diplomacisë dhe bashkëpunimit shumëpalësh në adresimin e sfidave të botës bashkëkohore. Këto parime nuk janë vetëm "aspirata fisnike", por sidomos, "përgjegjësi urgjente".
Takimi me presidentin Aliyev
Të martën, më 16 qershor, Kardinali Koovakad u takua edhe me presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Gjatë takimit, sipas një deklarate nga agjencia shtetërore e lajmeve Azertag, kardinali solli përshëndetjet nga Papa Leoni XIV dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. U theksua edhe roli i Kishës katolike vendase dhe ndërtimi i vazhdueshëm i një Kishe të dytë gjithnjë në vend. Duke theksuar rëndësinë e tolerancës dhe multikulturalizmit në nxitjen e dialogut ndërfetar, u diskutua edhe bashkëpunimi i Selisë së Shenjtë me Fondacionin Heydar Aliyev, me emrin e atit të presidentit aktual, duke theksuar kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e dialogut ndërfetar përmes projekteve të ndryshme.