Takimi  Akademisë Papnore për Jetën mbi shqyrtimin e Deklaratës së Taipeit Takimi Akademisë Papnore për Jetën mbi shqyrtimin e Deklaratës së Taipeit

Imzot Pegoraro: premtimi i përfitimeve për shëndetin nga IA-ja të mos cenojë dinjitetin njerëzor

Në fjalën e tij në takimin e tretë për rishikimin e Deklaratës së Taipeit, të hapur sot, më 1 qershor, presidenti i Akademisë Papnore për Jetën imzot Pegoraro uron që as logjikat komerciale dhe as ato politike të mos zbehin besimin e pacientëve te sistemi shëndetësor kur ata ndajnë të dhënat e tyre. Sfidat dhe sjella nga progresi teknologjik, pohoi prelati, nuk kërkojnë vetëm mjete tekniko-juridike, por mbi të gjitha “një etikë të mishëruar në praktikë”.

R.SH. – Vatikan

Progresi teknologjik, ku inteligjenca artificiale është sot protagonistja kryesore, duhet të jetë në shërbim të dinjitetit njerëzor dhe jo ta cenojë atë, edhe në fushën e shëndetësisë. Logjikat "komerciale apo politike" nuk duhet, prandaj, të dëmtojnë besimin që pacientët kanë te sistemi shëndetësor kur ndajnë të dhënat e tyre personale. Transparenca është fjala kyçe në këtë fushë: një parim që nuk mund të kufizohet në një rregullim të thjeshtë tekniko-juridik, por që duhet të mishërohet në praktikë, duke udhëhequr zgjedhjet e mjekëve, kërkuesve shkencorë, institucioneve dhe ligjvënësve. Ky është urimi i shprehur nga imzot Renzo Pegoraro, president i Akademisë Papnore për Jetën, duke hapur punimet e takimit të tretë kushtuar rishikimit të Deklaratës së Taipeit të Shoqatës Botërore të Mjekësisë (WMA), i nxitur nga vetë Akademia Papnore për Jetën (PAV), Shoqata Botërore e Mjekësisë (WMA) dhe Shoqata Mjekësore Izraelite.

Dialog mes të gjithëve, "edhe në kohë të vështira"

Aktiviteti, i cili u hap sot, 1 qershor, dhe që është në program deri nesër, 2 qershor, në Sallën San Pio X, në Romë, përfaqëson kapitullin e fundit të një bashkëpunimi të ngushtë midis Akademisë Papnore për Jetën dhe Shoqatës Botërore të Mjekësisë (WMA). Një bashkëpunim që nisi, siç u kujtua nga vetë Imzot Pegoraro, në nëntor të vitit 2017 me Takimin Rajonal Evropian të Shoqatës Botërore të Mjekësisë (WMA) mbi kujdesin në fund të jetës, të zhvilluar në Sallën e Vjetër të Sinodit, në Vatikan. Punimet mbi Deklaratën e Taipeit – një dokument i etikës mjekësore që përcakton parimet themelore për mbledhjen, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore dhe mostrave biologjike në kërkimin shkencor – përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për "dialog mes të gjithëve, edhe në kohë të vështira dhe sfiduese".

Rreziqet e "paradigmës teknokratike"

Imzot Pegoraro solli ndërmend fjalët e Papa Leonit XIV në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar të Akademisë Papnore për Jetën "Inteligjenca Artificiale dhe Mjekësia: sfida e dinjitetit njerëzor", të mbajtur në nëntor 2025. Në atë rast, Papa pati nënvizuar se, për të garantuar një zhvillim të vërtetë teknologjik, është e domosdoshme që "dinjiteti njerëzor dhe e mira e përbashkët të mbeten prioritete të patjetërsueshme për të gjithë". Fjalë që gjejnë jehonë në rreziqet e vëna në dukje nga vetë Leoni në enciklikën e tij të parë Magnifica Humanitas, ku Ati i Shenjtë tërheq vëmendjen kundër "paradigmës teknokratike" të botës bashkëkohore të globalizuar, domethënë "tendencës për të lejuar që logjika e efikasitetit, e kontrollit dhe e fitimit të udhëheqë, e vetme, zgjedhjet personale, sociale dhe ekonomike".

Detyrime konkrete në përdorimin e të dhënave

Në dritën e kësaj qasjeje, presidenti i Akademisë Papnore për Jetën identifikon një konvergjencë në njohjen e përbashkët "të pacenueshmërisë së dinjitetit të personit njerëzor, edhe përballë progresit teknologjik apo premtimit për përfitime të mëdha për shëndetin publik". Për çdo profesionist të sektorit shëndetësor, kjo shndërrohet në detyrime konkrete: "të mos shiten dhe as të transferohen të dhënat te të tretët për qëllime të paakorduara; të garantohet mbrojtja e informacionit edhe në kontekstet e kërkimit shkencor bashkëpunues ndërkombëtar; të mos lejohet që logjikat komerciale apo politike të zbehin besimin që pacientët kanë te sistemi shëndetësor kur ndajnë të dhënat e tyre".

Të udhëhiqen zgjedhjet e mjekëve dhe kërkuesve shkencorë

Si Akademia Papnore për Jetën ashtu edhe Shoqata Botërore e Mjekësisë njohin sfidat e sjella nga mbledhja dhe përdorimi i të dhënave shëndetësore në epokën digjitale, si dhe nevojën për t'i përballuar ato me mjete që shkojnë përtej thjesht përmasës tekniko-juridike. Këto sfida, në fakt, kërkojnë "një etikë të mishëruar në praktikë, të aftë për të udhëhequr zgjedhjet konkrete të mjekëve, kërkuesve, studiuesve, institucioneve dhe ligjvënësve". Nga ana e saj, kujtoi imzot Pegoraro, Akademia Papnore për Jetën ka nënvizuar disa herë se si "bioetika globale duhet të integrojë çështjet e etikës mjekësore me kontekstet mjedisore, ekonomike dhe sociale në të cilat njerëzit jetojnë". Kjo është një qasje e bashkëndarë edhe nga Deklarata e Taipeit, e cila pranon se rreziqet e abuzimit me të dhënat shëndetësore janë "shpesh të përqendruara pikërisht aty ku garancitë institucionale janë më të dobëta".

E ardhmja e IA-së në mjekësi

Inteligjenca artificiale e aplikuar në mjekësi, modelet parashikuese të bazuara në biobankat gjenetike dhe platformat digjitale për shëndetin janë, përfundoi prelati imzot Pegoraro, "mjete të fuqishme". Megjithatë, dobia e tyre në favor të njerëzimit "do të varet nga soliditeti i mbrojtjeve etike që ne do të dimë të ndërtojmë rreth tyre: mbrojtje që mbrojnë jo vetëm individët, por edhe atë besim shoqëror pa të cilin asnjë sistem shëndetësor nuk mund të funksionojë".

01 qershor 2026, 13:04