Kryeipeshkvi Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë OKB-së Kryeipeshkvi Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë OKB-së

IA e puna, Selia e Shenjtë: të mbrohet dinjiteti njerëzor dhe e mira e përbashkët

Kryeipeshkvi imzot Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, foli në Konferencën e 114-të të punës: "Duhet t’i zbusim efektet e dëmshme të ekonomive të reja të platformave, duke siguruar që IA t'i shërbejë vërtet të mirës së përbashkët".

R.SH. / Vatikan

Rritja e shpejtë e ekonomisë së platformave e shndërroi botën e punës, duke ofruar mundësi të reja, por duke ekspozuar edhe  shumë punëtorë "në format e reja të padukshme  dhe shfrytëzuese". Këtë e deklaroi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, Kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, në fjalimin e tij, më 1 qershor, në Konferencën e 114-të ndërkombëtare të punës.

Mbrojtja e dinjitetit të njeriut e të punës

Sipas Vëzhguesit të përhershëm të Vatikanit pranë OKB, debati mbi ekonominë e platformave duhet të përqendrohet "në dinjitetin e natyrshëm, të dhuruar nga Zoti, të personit njerëzor, e edhe në dinjitetin e punës". "Sfida nuk është teknologjike, por antropologjike" deklaroi Imzot Balestrero, duke cituar një frazë nga Papa Leoni XIV në mesazhin për 60-vjetorin e Ditës Botërore të Komunikimit Shoqëror.

Të shmangen pabarazitë e reja

Lidhur me shqetësimet etike, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë OKB kujtoi Enciklikën e fundit Magnifica Humanitas të Papës Leoni, për të theksuar se kur pushteti përqendrohet në duart e  pakicës, "tenton të bëhet i errët dhe t'i shpëtojë kontrollit publik, duke rritur rrezikun e formave të shtrembëruara të zhvillimit, që shkaktojnë varësi, përjashtime, manipulime dhe pabarazi të reja". Për këtë arsye, deklaroi ai, është themelore të ndërtohen forma bashkëpunimi "në respekt, për të mirën e përbashkët".

Zhvillimi në shërbim të së mirës së përbashkët

Një aspekt tjetër kritik i dixhitalizimit në rritje të sektorit ka të bëjë me "fuqinë e operatorëve të platformave, për të garantuar ose për të kufizuar hyrjen në punë". "Kjo do të thotë se punëtorët do të duhej të paguanin për të siguruar mundësitë e punës" vërejti Kryeipeshkvi Balestrero, duke folur për një përmbysje të parimit, sipas së cilës asnjë punëtor nuk duhet të paguajë kurrë për një punë. "Prandaj, është themelore, përfundoi ai, të angazhohemi në diskutime me partnerët socialë mbi mënyrat për të zbutur efektet e dëmshme të platformave të reja ekonomike, duke siguruar që IA t'i shërbejë vërtet të mirës së përbashkët".

03 qershor 2026, 10:49