G7, thirrje e ipeshkvijve: Ndërtimi i urave të paqes
Vatican News
Në një epokë historike të shënuar nga konflikte të armatosura, përçarje gjeopolitike, pabarazi në rritje, sfida klimatike dhe ndryshime teknologjike, themeli i veprimit politik dhe ekonomik "duhet të jetë gjithmonë dinjiteti i çdo personi njerëzor". Ky është mesazhi i kryetarëve të Konferencave të Ipeshkvijve Katolikë të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët, me miratimin e kryetarit të Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (COMECE), nisën një thirrje të përbashkët drejtuar krerëve të shteteve dhe të qeverive në prag të mbledhjes të G7, e cila po mbahet në Évian-les-Bains, Francë, nga 15 deri më 17 qershor.
Angazhimi për multilateralizmin
Pjesëmarrësve u kërkohet të "ripohojnë" angazhimin e tyre ndaj multilateralizmit, respektit për të drejtën ndërkombëtare dhe kërkimit të zgjidhjeve paqësore për konfliktet, për të "ndërtuar ura për paqe, drejtësi dhe dinjitet njerëzor".
"Në një botë të shënuar nga lufta dhe paqëndrueshmëria", shkruajnë kardinalët Jean-Marc Aveline, Tarcisio Isao Kikuchi dhe Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkvijtë Paul Coakley dhe Richard Moth, dhe ipeshkvijtë Pierre Goudreault, John Keenan dhe Heiner Wilmer, me miratimin e imzot Mariano Crociata-ës, kryetar i COMECE, "është më e nevojshme se kurrë të konsolidohen institucionet ndërkombëtare, të mbrohen civilët dhe të mbështeten të drejtat themelore, veçanërisht liria fetare dhe dinjiteti" i më të cënueshëmve.
Njeriu në qendër
Ftesa drejtuar vendeve të G7 është që këto shtete ta vendosin njeriun përsëri "në qendër të zhvillimit dhe të solidaritetit ndërkombëtar", duke bërë thirrje për "dëgjim më të vëmendshëm të ndërsjellë midis popujve". Ndërsa nevojat humanitare po rriten në shumë vise të botës, prelatët nënvizojnë se duhet të "ruhet angazhimi i fortë për luftën kundër varfërisë, për arsimimin dhe kujdesin shëndetësor, për sigurinë ushqimore dhe për zhvillimin që respekton popujt dhe mjedisin". Dokumenti gjithashtu bën thirrje për "bashkëpunim të forcuar ndërkombëtar kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të paligjshëm, dukuri këto që nxisin dhunën dhe dobësojnë shoqëritë".
Shndërrimet teknologjike
Përballë zhvillimit të shpejtë të teknologjive dixhitale dhe të inteligjencës artificiale, dokumenti thekson gjithashtu "nevojën e ngutshme për qeverisje etike, transparente dhe demokratike për të siguruar që këto risi teknologjike të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të njeriut". Vëmendje e posaçme i kushtohet "pasojave të këtyre te fëmijët dhe tek të rinjtë, si dhe respektit për liritë themelore".
Sfida klimatike dhe migrantët
Shteteve pjesëmarrëse në G7 u kërkohet gjithashtu të "marrin plotësisht" përgjegjësi në luftën kundër ndryshimeve klimatike, të nxisin një tranzicion ekologjik "të drejtë" dhe të mbështesin popullsitë më të ekspozuara ndaj pasojave të tij. Gjithashtu u kujtohet vendeve pjesëmarrëse në G7 se migrantët dhe refugjatët, të detyruar të largohen nga lufta, persekutimi ose fatkeqësitë mjedisore, "duhet të mirëpriten gjithmonë me dinjitet dhe bujari, pa harruar përgjegjësinë e përligjur të shteteve për të ruajtur të mirën e përbashkët".
Në mbyllje, thirrja pohon rishtas dëshirën e Kishës Katolike "për të qëndruar përkrah popujve, për ta vënë angazhimin e saj në shërbim të më të cënueshmëve, dhe, aftësinë e saj për dialog në shërbim të paqes, drejtësisë dhe të së mirës së përbashkët".