Nga feja e popullit te përqafimi i të funditve
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Jo devocione private, që na mbyllin brenda vetes, e as muze për t'u vizituar dhe rivizituar me ndjenja nostalgjike për rëndësinë shoqërore që kishte Kisha në të kaluarën, si shkollë e vërtetë. Shkollë që na hapej për impenjim, për takim, mirëseardhje e bujari. Kështu Papa Leoni XIV, në predikimin e tij për Meshën e Corpus Christi kremtuar në Plaza de Cibeles, në Madrid, foli për fetarizmin që e plazmoi fytyrën e Spanjës. Një fetarizëm i përbërë nga procesione, devotshmëri, art, muzikë, arkitekturë...
"Krishti që kalon nëpër rrugë në ostensorio", tha Papa, "është i njëjti Krisht që identifikohet me të varfrit, të sëmurët, të vetmuarit, të përjashtuarit". Nuk është rastësi, pra, që në këtë vend Kisha kombinoi për vite me radhë solemnitetin e Corpus Christi me Ditën e Bamirësisë. Leoni XIV i la një trashëgimi Spanjës, ku fetaria popullore është ende e gjallë dhe e mirë, duke kërkuar që "të mos jetë muze i së kaluarës për t'u vizituar, por shkollë besimi, nga e cila mund të nxjerrim mësime edhe sot e kësaj dite. Një shkollë që na mëson të gjunjëzohemi para Zotit dhe para të afërmit tonë, sepse askush nuk mund të gjunjëzohet para Zotit dhe të përçmojë vëllanë e tij; një shkollë që na mëson dhurimin e dashurisë e që bëhet dhuratë, në mënyrë që ajo të qarkullojë mes nesh dhe t’i thyejë zinxhirët e çdo egoizmi; një shkollë nga e cila mësojmë se Zoti është prani e vërtetë dhe se edhe ne jemi të thirrur për të qenë të pranishëm në situatat dhe sfidat e shoqërisë, jo për t'i ikur, por për t'iu kushtuar personalisht ndërtimit të së mirës së përbashkët".
Janë fjalë që hyjnë në mishin e gjallë të përvojës së krishterë spanjolle, në një shoqëri shumë të polarizuar, ku përçarjet e madje edhe polemikat shumë të nxehta, janë në rend të ditës. Papa i fton së pari të krishterët të kuptojnë dhe të vënë në praktikë thelbin e mesazhit që përmbahet në festën e Corpus Domini: atë të një Zoti, i cili afrohet e na kërkon të afrohemi dhe ta njohim atë në vëllezërit e motrat tona që vuajnë, që u mungon ushqimi ose strehimi, që janë emigrantë... Rëndësia shoqërore e Kishës, në këtë optikë, është rëndësi në shërbim, në përmbushjen e nevojave të më pak fatlumëve, në pajtimin, në kapërcimin e polarizimit, në angazhimin për drejtësi, në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
"Jezusi Eukaristik", ka thënë Papa, "është ai burim i përjetshëm i fshehur: burim që rrjedh dhe e shuan etjen, por pa u verbuar, pa u imponuar me fuqi të jashtme, pa u paraqitur në një mënyrë spektakolare". Për këtë arsye, festimi publik i Corpus Christi "nuk na mbyll në devocion privat, por na dërgon për t’u shuar etjen vëllezërve dhe motrave tona, familjeve, të varfërve, atyre që vuajnë dhe atyre që e kanë humbur shpresën. Hiri eukaristik na transformon, por na bën edhe protagonistë në transformimin e historisë dhe shenjë shprese për ata që hasim".
Edhe të krishterët nuk shpëtojnë nga rreziku i ngatërrimit në konflikte polarizuese, thjeshtëzime sterile dhe përçapje të bazuara në identitet, që duket se e bëjnë gjithçka të qartë, ndërsa e popullojnë botën me fantazma e me armiq. Kjo arsyeja pse është e rëndësishme që kujtesa historike e procesioneve të Corpus Christi të mos jetë "e burgosur nga kujtime nostalgjike", por të bëhet "ftesë për sot, për jetën tonë personale, për marrëdhëniet tona, për shoqërinë". Domethënë, ajo bëhet shërbim për të shuar etjen e zemrës njerëzore, që kërkon pajtim dhe paqe.