ECIC: Komunikuesit e krishterë evropianë vizitojnë mediat e Vatikanit
R.SH. / Vatikan
"Nga subjektet e gatshme tek lutjet: Inteligjenca Artificiale dhe përshpirtëria e vërtetë." Kjo është tema e konferencës vjetore ECIC (Konferenca Evropiane e Internetit të Krishterë) që po zhvillohet tani në «Casa La Salle», në Romë. Ky rrjet ekumenik bashkon udhëheqës të krishterë, ekspertë dixhitalë, teologë dhe përfaqësues të organizatave kishtare dhe të lidhura me to nga e gjithë Evropa. Qëllimi i Konferencës së Krishterë Evropiane për Internetin (ECIC), i kryesuar nga Agnieszka Godfrejów-Tarnogórska, zëdhënëse e Kishës Luterane në Poloni, është të reflektojnë së bashku se si teknologjitë dixhitale mund të mbështesin dhe të formojnë komunikimin, dëshminë dhe ungjillëzimin e krishterë në një mjedis dixhital që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse.
Konferenca vjetore, shpjegojnë organizatorët, "mbledh rreth 30 pjesëmarrës që përfaqësojnë një spektër të gjerë të traditave të krishtera dhe të situatave në vende të ndryshme evropiane, duke nxitur një shkëmbim të thellë, mësime të ndërsjellë dhe dialog ekumenik. Dy, nga njëzet e nëntë konferencat e mëparshme janë mbajtur në Romë: në vitin 2005 dhe 2012.”
Në kuadrin e veprimtarive të konferencës, pjesëmarrësit vizituan Dikasterin për Komunikim në Palazzo Pio. Në veçanti, ata diskutuan sfidat me të cilat përballet media e Selisë së Shenjtë, me zëvendësdrejtorin Alessandro Gisotti, i cili shpjegoi gjithashtu se si Radio Vatikani, Vatican News dhe Osservatore Romano po e mbulojnë udhëtimin apostolik të Leonit XIV në Spanjë hap pas hapi.
Pas një diskutimi në Sallën Marconi, anëtarët e Konferencës Evropiane të Internetit të Krishterë patën mundësi të vizitonin dhomat e kontrollit dhe të shihnin nga afër se si mediat e Vatikanit po ndjekin pandërprerje vizitën papnore në Ishujt Kanarie. Përpara vizitës, Sekretari i Dikasterit për Komunikim, imzot Lucio Adrian Ruiz, i paraqiti konferencës një raport mbi Inteligjencën Artificiale nën dritën e Enciklikës "Magnifica Humanitas".