Kërko

Një prift mban predikimin e tij gjatë meshës Një prift mban predikimin e tij gjatë meshës

Vatikani konfirmon: Predikimi gjatë Meshës u takon vetëm meshtarëve dhe diakonëve

Përgjigjja e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve ndaj pyetjes së paraqitur nga ipeshkvijtë gjermanë ka qenë negative. Në letrën e tij, Dikasteri thekson se shpallja e Fjalës së Hyjit gjatë kremtimit liturgjik është e pandashme nga misioni që merret nëpërmjet shugurimit sakramental.

Vatican News

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, në një letër në gjuhën angleze të datës 17 qershor 2026, i është përgjigjur pyetjes së paraqitur nga ipeshkvijtë gjermanë më 30 mars të këtij viti lidhur me mundësinë që, në raste të jashtëzakonshme, homelia të mbahet nga laikë të kualifikuar.

Kështu, Vatikani ka konfirmuar se homelia gjatë kremtimit të Eukaristisë mund të mbahet vetëm nga një meshtar ose diakon dhe nuk mund t’i besohet një besimtari laik, as në raste të jashtëzakonshme. Kjo është theksuar në një letër të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, drejtuar kryetarit të Konferencës Ipeshkvore Gjermane, ipeshkvit imzot Heiner Wilmer. Letra është përgjigje ndaj një kërkese për përjashtim të paraqitur më 30 mars.

Megjithëse Dikasteri Vatikanit shprehu vlerësim për arsyet baritore që kishin frymëzuar kërkesën, ai sqaroi se rregulli aktual i Kishës katolike nuk mund të ndryshohet me një përjashtim të veçantë. Sipas dokumentit, fakti që homelia u rezervohet meshtarëve dhe diakonëve nuk është thjesht një normë disiplinore, por lidhet me vetë natyrën e liturgjisë.

Vatikani kujton se homelia është pjesë përbërëse e Liturgjisë së Fjalës, e lidhur ngushtë me shpalljen e Ungjillit dhe me misionin e mësimdhënies që u është besuar shërbestarëve të shuguruar përmes Sakramentit të Urdhrit të Meshtarisë. Për këtë arsye, shpallja e Fjalës së Zotit gjatë Meshës nuk mund të ndahet nga shërbesa sakramentale e meshtarit ose diakonit.

Në të njëjtën kohë, Dikasteri nënvizon rëndësinë e formimit të vazhdueshëm të meshtarëve dhe diakonëve, në mënyrë që homelitë e tyre të jenë sa më të frytshme nga pikëpamja baritore dhe shpirtërore.

Dokumenti kujton gjithashtu se Kisha parashikon forma të tjera të shpalljes së Fjalës së Hyjit dhe të predikimit, të cilat mund t’u besohen laikëve, por jashtë homelisë dhe jashtë kremtimit të Eukaristisë, në përputhje me të drejtën kishtare.

23 qershor 2026, 14:50