Dhimbja e Papës për vrasjen e ipeshkvit të Quelimane-s në Mozambik
R.SH. / Vatikan
“Papa Leoni XIV mësoi me dhimbje të madhe për aktin e rëndë të dhunës që shkaktoi vdekjen e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Osório Citora Afonso, Ipeshkëv i Quelimane-s dhe Administrator Apostolik i Beira-s. Ati i Shenjtë bashkohet në lutje me popullin e dioqezave dhe të mbarë Mozambikut në këtë orë të vështirë, me shpresën që Zoti t’u dhurojë atyre ngushëllim, të ruajë në dashurinë e Tij çdo burrë e grua dhe të ndalë dorën e të dhunshmëve”. Përmes këtyre fjalëve në kanalin Telegram të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, drejtori Matteo Bruni përcolli tronditjen e Papës — i cili aktualisht ndodhet në udhëtimin apostolik në Spanjë — për vrasjen e ipeshkvit, i cili u gjet sot i vdekur në ambientet e rezidencës ipeshkvore të Quelimane-s.
I qëlluar në gjoks dhe në zemër
Sipas asaj që rnjoftuan në një konferencë për shtyp drejtuesit e Shërbimit Kombëtar të Hetimit Kriminal, ipeshkvi dyshohet se u qëllua nga disa plumba në gjoks dhe në zemër, të cilët rezultuan fatalë. Shkaqet e këtij krimi të tmerrshëm mbeten ende të panjohura, ndërsa hetuesit kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes.
Dhimbja e ipeshkvijve
Dhimbjen për këtë humbje tragjike e shprehu, në emër të mbarë Kishës vendase, edhe imzot Inácio Saúre, kryeipeshkëv i Nampula-s dhe president i ipeshkvijve të Mozambikut. Në një komunikatë zyrtare, ai bëri thirrje që në këtë moment të vështirë të gjithë t'i drejtohen “besimit dhe solidaritetit vëllazëror”. Imzot Citora Afonso, i cili aktualisht mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvore, kishte shërbyer gjithashtu edhe si zyrtar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta) gjatë viteve 2017–2023.
Ngushëllimet e Presidentit Chapo
Dhimbje të thellë dhe ngushëllime shprehu edhe Presidenti i Republikës së Mozambikut, Daniel Francisco Chapo, i cili vuri në dukje se “vdekja e prelatit përfaqëson një humbje të pariparueshme jo vetëm për mbarë komunitetin e krishterë, por edhe për të gjithë shoqërinë e Mozambikut”.