Castel Gandolfo, nisi "Borgo Dialogue": forum për diskutime mbi «Shtëpinë e Përbashkët»

Nga 17 deri më 19 qershor, «Qendra e Formimit të Lartë “Laudato si”» bashkë me Universitetin e «Notre Dame, Deloitte Switzerland» dhe «Handshake Strategies», po organizon një veprimtari të hapur për pjesëmarrës ndërkombëtarë nga bizneset, OJQ-të, universitetet, shoqëria civile dhe Kisha. Kardinali Baggio: "Do të diskutojnë çështje thelbësore për të ardhmen tonë".

Vatican News

Një hapësirë ​​për dialog e hapur për palët e interesuara ndërkombëtare me këndvështrime të ndryshme mbi çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë, inteligjencën artificiale, njerëzimin e ri, vëllazërimin, mplakjen dhe me të gjitha temat e shtruara nga enciklikat "Laudato si'," "Fratelli tutti," dhe "Magnifica Humanitas", e Leonit XIV. Ky do të jetë edicioni i parë i forumit "Borgo Dialogues", që do të zhvillohet nga 17 deri më 19 qershor 2026, në Kopshtet Papnore të Castel Gandolfo-s, organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Formimit të Lartë “Laudato Si”, Universitetin e Notre Dame, «Deloitte Switzerland» dhe «Handshake Strategies».

Sipërmarrës, organizata joqeveritare, universitete, kulturë dhe Kisha

Lagja “Laudato Si” është një vend që i kushtohet formimit në ekologjinë e plotë, ndryshimet mjedisore dhe ekonominë rrethore, një lagje e themeluar për të zbatuar parimet e enciklikës «Laudato Si'» në veprimtari konkrete. Kështu, lagja «Dialogues» do të bashkojë përfaqësues të botës së biznesit, organizatave ndërkombëtare, akademisë, kulturës, shoqërisë civile dhe Kishës për të diskutuar rreth çështjeve të mëdha të kohës sonë.

Promovimi i veprimeve kuptimplote për t'iu përgjigjur sfidave globale

Nisma është konceptuar si një forum i vazhdueshëm për dialog ku shfaqen përvoja dhe këndëvshtrime të ndryshme, duke nxitur shkëmbimin dhe zhvillimin e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të përbashkëta. Është menduar si një bashkësi praktikash të bazuara tek motoja “Laudato Si”, dhe prandaj bashkon figura domethënëse në një moment vendimtar për sfidat më të ngutshme botërore dhe për të nxitur veprime kuptimplote në të gjithë institucionet fetare, akademi, shoqëri civile dhe në sektorin privat.

Kardinali Fabio Baggio: Diskutim mbi shumë tema, nga inteligjenca artificiale te mplakja

"Janë ditë diskutimesh mbi çështjet që janë ngritur tashmë në enciklikat «Laudato si'», «Fratelli Tutti», dhe gjithashtu në «Magnifica Humanitas» e Papa Leonit", shpjegon në videon e prezantimit kardinali Fabio Baggio, zëvendëssekretar i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të plotë Njerëzor dhe Drejtor i Përgjithshëm i «Qendrës Laudato si'» për Formim të Lartë. Këto janë çështje, thekson ai, "në qendër të diskutimeve tona të përditshme dhe për të ardhmen tonë", çështje që shkojnë nga inteligjenca artificiale te mplakja, "dhe shumë pyetje të tjera që do të dalin nga seancat e ndryshme të dialogut".

Duke parashikuar një të ardhme që përfaqëson qytetërimin e dashurisë

Protagonistët e këtyre bisedave, përfundon kardinali Baggio, "vijnë nga fusha të ndryshme, nga vende të ndryshme, me ide të ndryshme. Ata gjithashtu vijnë për t'u angazhuar me të tjerët e për të rrahur mendime për atë të ardhme që duhet të përfaqësojë jo «Babelin» ku sundojnë çoroditja dhe përplasjet, por qytetërimin e dashurisë që Papa Leoni e ka përshkruar kaq bukur në enciklikën e tij të fundit".

17 qershor 2026, 12:24