Veprat Papnore Misionare, Asambleja e përgjithshme 2026
R.SH. / Vatikan
Që sot, 27 maj, deri të hënën, 1 qershor, më shumë se 100 drejtorë kombëtarë të rrjetit global të Shoqatave Misionare Papnore (PMS) nga pesë kontinente, po takohen në Romë për Asamblenë e tyre vjetore. Është një mundësi e vlefshme për ta përcaktuar e për ta riafirmuar së bashku thirrjen dhe kontributin e PMS-së në "epokën e re misionare", kërkuar me ngulm nga mësimi i Papës Leoni XIV. Vitin e kaluar, në fjalimin e tij drejtuar asamblesë, Papa deklaroi se puna e Shoqatave Misionare Papnore "është e domosdoshme për misionin e ungjillëzimit të Kishës, siç mund ta dëshmoj personalisht nga vitet e mia të shërbesës baritore në Peru".
Shoqatat e ndryshme misionare
Leoni theksoi edhe se misionet specifike të përqafuara nga secila prej katër Shoqatave Misionare, të lindura nga fryma krijuese misionare dhe sensus fidei e Popullit të Zotit, të cilët me kalimin e kohës janë bërë pjesë integrale e Dikasterit Misionar: Shoqata Papnore për Përhapjen e Besimit (sekretar i përgjithshëm i së cilës është Ati Tadeusz Nowak, i Oblateve të Marisë së Papërlyer), e cila - kujtoi Papa - "ofron ndihmë për programet baritore dhe katekistike, ndërtimin e kishave të reja, kujdesin shëndetësor dhe nevojat arsimore në territoret e misionit"; Shoqata Papnore e Fëmijërisë Misionare (Sekretariati i Përgjithshëm i së cilës i është besuar Motër Inês Paulo Albino, murgeshë nga Guinea-Bissau, e Adhuruesve të Gjakut të Krishtit), e cila "mbështet programet e formimit të krishterë për fëmijët, si dhe kujdeset për nevojat e tyre themelore dhe mbrojtjen e tyre"; Shoqata Papnore e Shën Pjetrit Apostull (Sekretar i Përgjithshëm i së cilës është Atë Guy Bognon), që "ndihmon në kultivimin e thirrjeve misionare, si meshtarake, ashtu edhe rregulltare", dhe Unioni Papnor Misionar (Sekretar i Përgjithshëm i së cilës është françeskani vietnamez Dinh Anh Nueh Nguyen), i përkushtuar - kujtoi Ipeshkvi i Romës - në ushtrimin e meshtarëve, burrave dhe grave rregulltare si dhe të gjithë Popullit të Zotit për veprën misionare të Kishës".
Program intensiv
Seancat e punës së Asamblesë mbahen në Kolegjin Ndërkombëtar të Fretërve Kapuçinë të San Lorenzos, në Brindisi. Sot, ditën e hapjes së Asamblesë, pas fillimit të punimeve, do të kremtohet liturgjia eukaristike, e kryesuar nga Kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim (Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta).
Pas kremtimit liturgjik, Kardinali do të mbajë fjalimin e hapjes. Ndërsa në çastet më të pritura për pjesëmarrësit e Asamblesë, do të jetë lajmi i takimit me Papën Leoni XIV, i planifikuar për mëngjesin e së hënës, 1 qershor.
Të dielën, më 31 maj, pjesëmarrësit e Asamblesë do të bëjnë një shtegtim në Shenjtëroren e Shën Filomenës, pastaj do të udhëtojnë për në Napoli, ku do të vizitojnë Katedralen dhe do të nderojnë reliket e Shën Gennaro-s. Gjatë seancave të punës, raportet nga katër sekretarët e përgjithshëm do të përshkruajnë aktivitetet dhe buxhetet e secilës Shoqëri individuale. Më pas, do të paraqiten dhe do të miratohen projekte të reja që do të mbështeten. Një seancë e veçantë do t'i kushtohet temës së komunikimit dhe mbledhjes së fondeve. Pasditen e së martës, 2 qershor, parashikohet fjala e kryeipeshkvit Samuele Sangalli, sekretar shtesë i Administrimit të Dikasterit për Ungjillëzimin.