Kërko

2024.05.07 Vesak

Vatikani dhe Vesak 2026: budistët dhe të krishterët së bashku për një paqe "çarmatosëse"

Në një botë të pllakosur nga luftërat, nacionalizmat dhe përçarjet gjithnjë e më të thella, Mesazhi i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar për festën e Vesak 2026 zgjedh një fjalë, që ngjan gati kundër rrymës: paqe. Jo një paqe e imponuar me forcë, por një paqe "e çarmatosur dhe çarmatosëse", e aftë të lindë në zemrën e njeriut, më parë se në traktatet ndërkombëtare

R.SH. – Vatikan

         Vesak, një nga festat më të rëndësishme budiste, kremton lindjen, shndritjen dhe vdekjen e Budës. Në vitin 2026, miliona besimtarë në mbarë botën e festojnë atë përmes meditimit, lutjes dhe veprave bamirëse, duke kujtuar se paqja është para së gjithash një rrugëtim i brendshëm. Për shkak të një veçorie të këtij viti në kalendarin hënor, hëna e plotë e Vesakut (normalisht e pesta e vitit, që përkujton festën budiste më të rëndësishme) kremtohet nga shkollat ​​e ndryshme budiste në data të ndryshme, duke filluar nga 1 maji. Sot, Salla e Shtypit e Vatikanit paraqiti Mesazhin me të cilin, siç është tashmë traditë, Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar u uron festën budistëve dhe u kërkon të bashkëpunojnë me të krishterët për paqenn në botë.

  (AFP or licensors)

Paqe e brishtë sa flakëza e qirinjve të Vesakut

"Paqja – thuhet në të - nuk është thjesht mungesë lufte, por dhuratë që përpiqet të banojë në zemrën njerëzore".

Mesazhi i Vatikanit u bën jehonë fjalëve të Papës Leoni XIV, i cili e përshkruan paqen si prani të heshtur, të aftë për ta transformuar njerëzimin. Edhe kur duket e brishtë, "si një flakëz e kërcënuar nga stuhitë e urrejtjes dhe të frikës", ajo duhet të mbrohet.

Në kohë të karakterizuara nga dhuna dhe dyshimi ndërmjet njerëzve, Vatikani propozon një forcë të ndryshme: atë të dhembshurisë, të së vërtetës dhe të besimit. Një perspektivë, që hyn në rezonancë të thellë me traditën budiste.

  (AFP or licensors)

Fetë e thirrura për të çarmatosur zemrat

"Urrejtja nuk qetësohet kurrë me urrejtje; vetëm me mos-urrejtje qetësohet urrejtja".

Citimi i Dhammapadës dhe i Ungjillit, së bashku, nuk i zhduk ndryshimet ndërmjet Budizmit dhe Krishterimit, por u njeh atyre një bazë të përbashkët: refuzimin e urrejtjes. Mesazhi denoncon hapur shfrytëzimin e fesë dhe nacionalizmin etnofetar në rritje, që e dëmtojnë humanizmin e përbashkët. Për këtë arsye, krerët fetarë thirren të jenë "partnerë autentikë në dialog" dhe "protagonistë të pajtimit". Paqja, kujton teksti, nuk mund të kufizohet vetëm në fjalë. Ajo kërkon kthesë shpirtërore, guxim dhe aftësi për t'u takuar me të tjerët.

Artizanët e paqes së përditshme

"Paqja nuk është një iluzion apo një ideal i largët; është një mundësi reale".

Kjo është ndoshta fraza më konkrete e Mesazhit. Paqja jeton në gjeste të vogla, të përditshme, shkruan Dikasteri për Dialogun Ndërfetar: në mirësinë, në durimin, në refuzimin e hakmarrjes, në aftësinë për të mos qëndruar indiferentë. Edhe festa budiste e Vesakut e ruan këtë përmasë të thjeshtë, por të thellë: kandila të ndezur, heshtje, kujdes për të varfrit, meditim. Gjeste të vogla, por të afta të na kujtojnë se asnjë shoqëri nuk mund ta arrijë paqen, pa e transformuar më parë zemrën njerëzore.

Së fundi, Mesazhi i Vatikanit u beson budistëve dhe të krishterëve një përgjegjësi të përbashkët: të bëhen, së bashku, dëshmitarë të një paqeje, që nuk poshtëron, nuk imponon e nuk ndan, por shëron plagët e botës.

11 maj 2026, 12:07