Uniforma e Gardës Zvicerane: rikrijim i Rilindjes
R.SH. / Vatikan
Çdo vit, më 6 majit, ceremonia e betimit të Gardës Zvicerane organizohet në Oborrin e Shën Damasit, në Pallatin Apostolik. Çdo rekrut bën gjestin e ngritjes së tre gishtave të dorës së djathtë lart, në shenjën e Trinisë, ndërsa me dorën e majtë shtrëngon flamurin verdh-kuq-e blu, ndarë nga një kryq i bardhë. Flamuri mban stemën e komandantit aktual të Korpusit dhe stemat e Papës asokohe në fuqi, Julius II, i cili themeloi Gardën Papnore Zvicerane në vitin e largët 1506.
Që në atë kohë të largët, Rojet zvicerane janë në të katër anët e Vatikanit! Të gatshëm për roje, të kënaqur për mbrojtjen e njerëzve që hyjnë e dalin nën strehën e jashtëzakonshme të Papës!
Garda Papnore Zvicerane që në krijim, dallohej nga vijat e saj blu, të kuqe dhe të verdha, mëngët e fryra dhe helmetën me pupla! Popullariteti i kësaj pamjeje krijoi një traditë të vazhdueshme narrative, sipas së cilës uniforma është krijesë e Michelangelo Buonarroti-t. Kështu po na thonë! Po dokumentet flasin për një traditë tjetër...
Një Rilindje e rimenduar
Burimet e Korpusit tregojnë se Komandanti Jules Repond është krijuesi i formës aktuale, të caktuar në fillim të shekullit të njëzetë, të shpallur zyrtarisht në vitin 1914. Repond - oficer, studiues i historisë ushtarake dhe i ikonografisë së Rilindjes, komandant nga viti 1910 deri në vitin 1921 - zhvilloi një projekt koherent bazuar në studimin e burimeve figurative, duke krijuar një figurë të veçantë, që nuk vërtetohet nga dëshmitë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Në terma historiografike, është "shpikje e vërtetë e traditës": krijim i shekullit të njëzetë, që të kujton format e Rilindjes. Referenca kryesore figurative është piktura e Raphael Sanzio-s; në veçanti, Mesha e Bolsenës në Stanze Vaticane, e cila paraqet figurat e sediarëve me pantallona të gjera deri në gjunjë dhe xhaketa të ngushta, që arrijnë deri në vithe, elemente që ofrojnë një model të drejtpërdrejtë për krijimin e veshjes. Asokohe...
Nga origjina, te kujtesa e Korpusit
Në zanafillë, në vitin 1506, kontingjenti i parë që hyri në Romë me urdhër të Papës Juli II kishte veshje ushtarake standarde: këmisha të gjera, çorape, armatura metalike, shpatë e halabardë. Halabarda (halberda) ishte armë mesjetare e përbërë nga një majë shtize, një teh sëpate dhe një grep. Uniforma dalluese u përcaktua në një fazë të mëvonshme. Profili historik i Korpusit mbetet në kujtesë posaçërisht nga Plaçkitja e Romës në vitin 1527, kur 147 roje u masakruan për të shpëtuar Papën Klementi VII që po arrinte në Castel Sant'Angelo; betimi vjetor i 6 majit e ruan këtë kujtim të jashtëzakonshëm!
Një sistem uniformash
Uniforma e shekullit të njëzetë, e caktuar nga Jules Repond, zgjedh dhe organizon materialet historike. Ngjyrat - blu, e kuqe dhe e verdhë - tradicionalisht shoqërohen me interpretime heraldike: e verdha e bluja për familjen Della Rovere, familje e Julit II; e kuqja, për familjen Mediçi. Megjithse burimet publike nuk ofrojnë ndonjë shpjegim plotësisht të qartë, treshja e ngjyrave të kujton kontekstin dinastik të papnisë së Rilindjes. Uniforma për festat e mëdha është e qepur me porosi; burimet vlerësojnë se përbëhet nga 154 deri në 156 copë pëlhurash. Që nga viti 2019, helmeta është realizuar nga PVC, e printuar në 3D, ndërsa shenjat dalluese si puplat dhe helmeta mbeten të pandryshuara për ceremonitë e mëdha.
Krahas polikromit, Korpusi përdor një sistem uniformash të përshtatur për funksionin dhe kontekstin. Uniforma e stërvitjes, tërësisht blu e errët, përdoret për stërvitje, shërbim nate dhe turne të rregullta; në muajt e ftohtë ose me shi, një mantel i rëndë, i errët, shtohet mbi uniformën e rregullt. Për oficerët, ekziston një uniformë ceremoniale e zezë, e rezervuar për raste zyrtare.
Uniforma, me parzmore, doreza të bardha dhe helmetë, mbetet varianti solemn i polikromit, i përdorur për Betimin, Pashkët dhe Krishtlindjet. Tamburxhinjtë veshin petka ngjyrash të verdha dhe të zeza me pendë që përputhen, ndërsa personeli i sigurisë, një uniformë moderne operative me materiale teknike.
Ndërmjet simbolit dhe funksionit
Nën sipërfaqen ceremoniale, përcaktohet një profil operativ bashkëkohor. Kontrolli i hyrje - daljeve, mbrojtja nga afër e Papës, protokollet e sigurisë dhe stërvitja për vetëmbrojtjen, formojnë bërthamen e shërbimit. Uniforma shumëngjyrëshe funksionon si mjet simbolik për kujtesën historike dhe praktikën e përditshme, duke krijuar pamjen e vazhdimësisë së ndërtuar me kalimin e kohës dhe të konsoliduar në formën e saj aktuale gjatë Nëntëqindes.