Njëzet vjet HD Forum: mes transformimit digjital dhe AI
R.SH. / Vatikan
Në Vatikan u mbajt konferenca me temë “20 vjet inovacion dhe konvergjencë e mediave dixhitale”, me rastin e 20-vjetorit të HD Forum Italia, organizatë që udhëhoqi kalimin drejt transmetimeve në definicionin e lartë (HD, Ultra HD/4K) në Itali dhe bashkëpunon prej vitit 2016 me Dikasterin e Vatikanit per Komunikimin Shoqëror.
Gjatë aktivitetit, drejtues dhe ekspertë të mediave e teknologjive diskutuan transformimin dixhital, ndikimin e rrjeteve sociale dhe sfidat që sjell inteligjenca artificiale.
Prefekti i dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, deklaroi se cilësia e komunikimit nuk është vetëm çështje teknike, por edhe kulturore dhe etike. Sipas tij, teknologjia duhet të përdoret për t’i afruar njerëzit me realitetin dhe jo vetëm për shpërndarje përmbajtjeje.
Edhe sekretari i Dikasterit Vatikanit për Komunikimin, mons Lucio Adrian Ruiz, theksoi se komunikimi i Kishës synon të “hapë një dritare drejt zemrës”, duke përdorur teknologjinë për të treguar realitetin pa e deformuar atë.
Profesor Antonio Cisternino paralajmëroi se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mund të sjellë homogjenizim të përmbajtjeve dhe ndikim të paragjykimeve algoritmike.
Ndërkohë, eksperti britanik Mark Harrison deklaroi se videot janë bërë forma kryesore e komunikimit global. Sipas tij, YouTube po zëvendëson televizionin tradicional, sidomos tek të rinjtë.
Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit theksuan se inteligjenca artificiale duhet të mbetet nën kontrollin dhe përgjegjësinë njerëzore, ndërsa teknologjia duhet të përdoret në shërbim të së vërtetës dhe komunikimit etik.