2026.05.25 Magnifica humanitas: rimanere umani nel tempo dell'intelligenza artificiale

Të mbetemi njerëzorë në kohën e algoritmeve

Në enciklikën “Magnifica humanitas”, Papa Leoni bën një thirrje të fortë dhe thellësisht njerëzore: teknologjia duhet të ecë përpara, por pa lënë zemrën e njeriut pas. Sipas tij, përparimi i teknikës ka vlerë vetëm atëherë kur shoqërohet me rritje të ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe humanitetit

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Në epokën e inteligjencës artificiale, me dinjitetin njerëzor në rrezik të errësohet nga përqendrime të mëdha të fuqisë teknologjike të pakontrolluar dhe nga format e reja të dehumanizimit, Papa Leoni na kujton "detyrën urgjente" për të mbetur thellësisht njerëzor. Në epokën e polarizimit dhe të dhunës, e cila shikon si përhapet "kultura e pushtetit" me luftën e rihabilituar si mjet i politikës ndërkombëtare, Pasardhësi i Pjetrit na kërkon ta përparojmë teknologjinë "pa e kthyer zemrën mbrapsht". E na fton të pranojmë kufizimet dhe brishtësinë e njerëzimit, pa i konsideruar, siç bën ideologjia teknokratike, gabim që duhet korrigjuar. Ai na nxit ta shohim botën jo nga perspektiva e të mëdhenjve, por nga poshtë, me sytë e atyre që vuajnë, duke nisur nga më të vegjlit. Nëpërmjet syve të një Zoti që ka marrë mbi vete ligështinë tonë, duke e shndërruar në burim shpëtimi, sepse "edhe kur makinat shkëlqejnë në efikasitet, qendra e historisë mbetet fytyrë njerëzore, që kërkon të shikohet".

"Magnifica Humanitas", enciklika e parë e Leonit XIV, nuk është para së gjithash tekst analitik mbi inteligjencën artificiale; nuk hynë në hollësitë e proceseve në zhvillim të vazhdueshëm. Përkundrazi, është "përmbledhje", që zbaton parimet e Doktrinës Sociale në kohën tonë, kohë e IA-së, duke konsoliduar e aktualizuar parimet kryesore të magjisterit.

Është një tekst që i jep fund edhe keqkuptimit të atyre të cilët, duke besuar në lirinë absolute të tregjeve dhe teknologjive të reja, kanë tendencë të hedhin poshtë mësimet papnore në lidhje me thirrjen për një qeverisje të përbashkët njerëzore të IA-së, mbi ekologjinë integrale e strukturat ekonomike, që bëhen "struktura të mëkatit", mbi “jo-në” e luftës.

Papa, i cili mori emrin e autorit të "Rerum Novarum", në epokën e revolucionit dixhital i kërkon secilit prej nesh të marrë rol aktiv, sepse ndërtimi i "qytetërimit të dashurisë" arrihet falë " një shume besnikërie të vogël dhe këmbëngulëse", në gjendje për të ndaluar dehumanizimin. Prandaj, është detyrë që na përket të gjithëve, edhe drejtpërdrejt.

Leoni na kujton se "padrejtësitë nuk lindin vetëm nga zgjedhjet e gabuara të individëve, por edhe nga strukturat, mekanizmat dhe rregullimet ekonomike e kulturore, që prodhojnë pabarazi" dhe se "zhvillimi që rrit konsumin e disave, ndërsa shkarkon kostot dhe vuajtjet mbi të tjerët, ose që liron rajone të tëra në role të nënshtruara, është çnjerëzor", siç po ndodh për fat të keq sot, madje edhe në kontekstin e teknologjive të reja, dhe burimeve që kërkojnë.

Enciklika pohon se funksioni shoqëror i pronës private është "doktrinë e caktuar" e Kishës, e sot, ndërmjet të mirave të caktuara universalisht për të gjithë, "duhet të përfshijmë edhe forma të reja të pronës: patentat, algoritmet, platformat dixhitale, infrastrukturat teknologjike, të dhënat", për të parandaluar shfaqjen ose konsolidimin e formave të reja të përjashtimit dhe të privimit nga liria. Teknologjia nuk është mjet i thjeshtë e, kur bëhet kriter, "përfundon duke përcaktuar se çka ka rëndësi dhe çka mund “të flaket tutje", duke i reduktuar "njerëzit në ingranazhe të një sistemi, që duhet të bëhet gjithnjë e më efikas".

Sot, kontrolli i platformave, infrastrukturave, të dhënave dhe aftësisë llogaritëse "nuk është prerogativë e shteteve, por e lojtarëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë" të cilët vendosin kushtet e aksesit, rregullat e dukshmërisë e edhe vetë mundësitë e pjesëmarrjes. Kur një pushtet i tillë përqendrohet në pak duar, "synon të bëhet i errët e t'i shpëtojë kontrollit publik", duke mbartur me vete rrezikun e zhvillimit të shtrembëruar "që krijon varësi, përjashtime, manipulime dhe pabarazi të reja".

Papa, duke riafirmuar nevojën për të shkuar përtej teorisë së "luftës së drejtë", bën thirrje që përdorimi i inteligjencës artificiale në luftë t'i nënshtrohet kufizimeve më të rrepta etike sepse "Nuk ka algoritëm që mund ta bëjë luftën moralisht të pranueshme". Për më tepër, inteligjenca artificiale është shndërruar në faktor kyç për formimin e opinionit publik përmes manipulimit të imazheve dhe përmbajtjes, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin e së vërtetës nga e pavërteta. Ekzistojnë edhe shumë pasiguri në lidhje me tregun e punës.

Enciklika kujton, në këtë drejtim, se nuk është e mundur më të mbështetemi vetëm te "dora e padukshme" e tregut: është politika ajo, që ka detyrën të drejtojë dinamikën ekonomike dhe teknologjike drejt së mirës së përbashkët, duke nxitur punën dinjitoze, përfshirjen sociale dhe  shpërndarjen e drejtë të përfitimeve të inovacionit.

Të mbetësh njeri, t’i qeverisësh proceset, t’i shmangësh - edhe në këtë fushë -  monopolet që përfundojnë për të rritur pushtetin e pakicës, në kurriz të jetës së shumë njerëzve: rruga e treguar nga Papa nuk ngre barriera!

25 maj 2026, 11:54