2025.09.11 Nuovi Vescovi e Vescovi dei Paesi Missione

Sinodi publikon raportet përfundimtare mbi përzgjedhjen e ipeshkvijve dhe çështjet emergjente

Sot, më 5 maj, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit publikoi pjesën e parë të Raportit përfundimtar të Grupit të Studimit Nr. 7 (lidhur me kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për ipeshkëv) dhe Raportin e Grupit të Studimit Nr. 9 mbi kriteret teologjike dhe metodologjitë sinodale për shoshitjen e përbashkët të çështjeve emergjente doktrinare, baritore dhe etike. Kërkohen aftësi "sinodale" për ipeshkvijtë e rinj dhe dëgjimi i dëshmive për të vendosur mbi sfidat më të vështira aktuale

R.SH. – Vatikan

Aftësia dalluese është bazë për zgjedhjen e një ipeshkvi; është e nevojshme të përdoren mjete konkrete për dëgjim dhe kompetenca për t’u bërë ballë, pa u frikësuar nga ndërlikimet, çështjeve më të vështira, që kanë të bëjnë me Kishën: ky, komenti i Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Mario Grech, pas publikimit të Raporteve Përfundimtare të Grupit të Studimit Nr. 7 (pjesa e parë) dhe Grupit të Studimit Nr. 9.

"Kompetencat sinodale" ndër kërkesat për ipeshkvijtë

Ndërsa vazhdon reflektimi mbi funksionin gjyqësor të ipeshkvit, mbi vizitat ad limina dhe mbi formimin e ipeshkvijve, bëhen publike përfundimet e arritura nga diskutimi i kritereve për zgjedhjen e ipeshkvijve. Theksohet sërish premisa se nuk ka bari pa grigjë e as grigjë pa një bari. Grupi shpreson që edhe nunci apostolik të ketë "një profil sinodal dhe misionar", në mënyrë që të jetë në gjendje ta gjejë atë edhe ndërmjet kandidatëve të mundshëm për ipeshkëv. Gjithashtu, nënvizohet se çdo dioqezë duhet të fillojë periodikisht procese për të kuptuar gjendjen dhe nevojat e veta. "Afër kohës për ndërrimin e ipeshkvit", thuhet në komunikatë, "vetë ipeshkvi mbledh Këshillin Presbiteral dhe Këshillin Baritor Dioqezan, anëtarët e të cilit shprehin, në mënyrë kolegjiale, mendimin mbi nevojat e dioqezës dhe i dërgojnë ipeshkvit - në një zarf të mbyllur - emrat e meshtarëve, që i konsiderojnë të përshtatshëm për episkopatin. Kur është e mundur, konsultohet edhe Kapitulli i katedrales, Këshilli për Çështjet Ekonomike, Këshilli i Laikëve dhe përfaqësuesit e rregulltarëve, të të rinjve dhe të të varfërve".

Saktësohen edhe "aftësitë sinodale" të kërkuara nga Grupi i Studimit për kandidatët: aftësi për të krijuar bashkim e për të ushtruar dialogun, njohuri të thella të kulturave lokale dhe gatishmëri për t'u integruar në to në mënyrë konstruktive. Raporti u bën thirrje Dikastereve të Kuries Romake të rishikojnë procedurat në mënyrë më sinodale dhe propozon vlerësimin periodik të pavarur të proceseve të përzgjedhjes.

Një ndryshim paradigme, gjuhësor dhe metodologjik

Duke pasur parasysh ikonën biblike, që del nga kapitujt 10-15 të Veprave të Apostujve, ku dëshmohet si mund të vlerësohen ndryshimet kulturore, pa e tradhtuar risinë e Ungjillit, Raporti Përfundimtar i Grupit të Studimit Nr. 9 propozon një ndryshim paradigme në mënyrën se si Kisha u bën ballë çështjeve më të vështira doktrinore, baritore dhe etike. Së pari, për t'i përcaktuar ato, parapëlqehet mbiemri "emergjente" në vend të "kontroverse", sepse - siç thuhet në njoftimin për shtyp - "qëllimi nuk është të zgjidhet një problem, por të arrihet e mira e përbashkët përmes kthesës në marrëdhënie, përmes mësimit të përbashkët dhe transparencës". Duke pasur parasysh se nuk ka kumtim të Ungjillit pa bashkëbiseduesin, "në të cilin Shpriti Shenjt vepron tashmë", dokumenti paraqet "parimin e baritorisë". Identifikohen tri hapa metodologjike për t’u bërë ballë çështjeve: dëgjimi i vetvetes, dëgjimi i realitetit dhe bashkimi i njohurive. Biseda në Shpirtin Shenjt, siç e quante Papa Françesku, mbetet mjeti i privilegjuar për zhvillimin e një kulture kishtare të sinodalitetit.

Dëshmitë konkrete si bazë për shoshitje

Përvoja e besimtarëve homoseksualë dhe ajo e mospërdorimit të dhunës aktive janë dy fusha, në të cilat këto udhëzime mund të zbatohen konkretisht. Veçanërisht, përsa u përket formave të mospërdorimit të dhunës, dëshmia që e udhëhoqi reflektimin, ishte ajo e një lëvizjeje të të rinjve serbë të cilët, të frymëzuar nga të krishterët e hershëm, kontribuan në përmbysjen e Millosheviqit. Në të dyja rastet, këto dëshmi ofrojnë pikënisjen për shoshitjen etiko-teologjike dhe për pyetjet ende pa përgjigje, në mënyrë që çdo bashkësi të marrë përsipër "impenjimin për ta njohur dhe për ta promovuar të mirën, me të cilën vepron Zoti në histori dhe në përvojën njerëzore". Kjo është arsyeja pse Grupi nuk jep deklarata përfundimtare.

05 maj 2026, 12:11