Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve - Kongregacioni i Dhjetë i Përgjithshëm (nga arkivi) 2024.10.16 Sinodi i Ipeshkvijve - Kongregacioni i Dhjetë i Përgjithshëm (nga arkivi) 2024.10.16

Sinodi mbi sinodalitetin: udha për zbatimin

Botohet dokumenti që tregon fazat, kriteret dhe mjetet e Asamblesë 2027-2028. Teksti përfshin kalendarin, metodologjinë dhe kriteret me anë të të cilave Kishat lokale në mbarë botën dhe grupimet e tyre kombëtare e kontinentale thirren për të ndarë frytet e ecjes, filluar pas publikimit të Dokumentit përfundimtar.

R.SH. - Vatikan

Të kujtojmë, të interpretojmë, të orientojmë, të kremtojmë. Janë katër çastet kryesore të shoqërimit për Kishat lokale, Konferencat Ipeshkvnore dhe grupimet kontinentale, në përgatitje për Asamblenë Kishtare që do të mbahet në tetor 2028, në Vatikan. Për të mbështetur fazën e zbatimit të Sinodit, Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit propozoi këto hapa përmes dokumentit "Drejt Asambleve 2027-2028: etapat, kriteret dhe mjetet për Asambletë 2027-2028", botuar më 20 maj. Teksti përcakton kalendarin, metodologjinë dhe kriteret me të cilat Kishat lokale në të gjithë botën dhe grupimet e tyre kombëtare e kontinentale, thirren për të ndarë frytet e udhëtimit të filluar pas Dokumentit Përfundimtar të Sinodit 2021-2024, deri në kremtimin e Asamblesë Kishtare, në tetor 2028.

Shtegu

Shtegu, i cili do të çojë në kremtimin e secilës fazë asambleje, ndahet në katër faza progresive, të ndërprera nga folje kyçe që nxjerrin në pah qëllimin e tyre kishtar e shpirtëror. Semestri i parë i vitit 2027 është menduar "Për kujtesë”: asambletë e vlerësimit në dioqeza dhe heparki thirren për të shqyrtuar përvojën e zbatimit të Dokumentit Përfundimtar përmes një raporti dhe një letre drejtuar Kishave të tjera. Në gjysmën e dytë të vitit 2027, do të vijë koha për "Interpretim": asambletë e Konferencave Episkopale (kombëtare ose rajonale) do të përgatisin një raport teologjik-baritor dhe një letër drejtuar Kishave të tjera lokale.

Orientimi

Orientimi do të jetë faza e katër muajve të parë të vitit 2028, kur asambletë kontinentale do të prodhojnë një raport me vizion, të aftë të identifikojë përparësitë dhe drejtimet e përbashkëta. Tetori 2028 do të jetë kohë për të festuar: asambleja kishtare e mbarë Kishës do të mblidhet në Vatikan, së bashku me Atin e Shenjtë: kështu, udhëtimi i ndërmarrë do të kthehet në unitet dhe do t'i dorëzohet gjykimit të të gjithë Kishës. Në çdo nivel, Asambleja nuk është çasti i fundit i procesit, por më tepër çast festimi, vlerësimi, sinteze e, mbi të gjitha, rigjallërimi të shndërrimit sinodal të Kishës.

Mbrojtja

Mbrojtja e unitetit të procesit është pyetje e zakonshme, në çdo fazë: në dritën e udhëtimit të ndërmarrë që nga përfundimi i Sinodit 2021-2024, dhe me qëllim ofrimin e fryteve të tij si dhuratë për Kishat e tjera dhe për Papën, çfarë fytyre konkrete ka Kisha sinodale misionare dhe cilat rrugë të reja të sinodalitetit po duken në bashkësinë tuaj? Dokumenti saktëson se nuk bëhet fjalë për përsëritjen e konsultimit të Sinodit, as për shtimin e detyrave të tjera në jetën e komuniteteve. Përkundrazi! Është fjala për rishqyrtimin e asaj që u përjetua tashmë, për njohjen e fryteve dhe vështirësive, si dhe për vënien në dispozicion të përvojës së fituar përmes  shkëmbimit të dhuratave ndërmjet Kishave.

Raporti i Asambleve Kontinentale

Dy Asambletë e para (lokale dhe kombëtare) punuan dy tekste plotësuese: një dokument shqyrtimi - raporti narrativ për dioqezat dhe eparkitë, raport teologjik-baritor për Konferencat Episkopale - dhe një letër drejtuar Kishave të tjera lokale, hartuar gjatë vetë Asamblesë. Kjo letër është instrumenti konkret për shkëmbimin e dhuratave: çdo bashkësi ofron atë që ka mësuar dhe është gati të mirëpresë çka ofrojnë Kishat e tjera. Megjithatë, asambletë kontinentale do të përgatisin një raport me vizion, që do të shërbejë si bazë për Instrumentum laboris të Asamblesë Kishtare të vitit 2028. Të gjitha materialet do t'i dorëzohen Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit sipas një afati kohor: deri më 30 qershor 2027, për fazën dioqezane dhe eparkiale; deri më 31 dhjetor 2027, për fazën e Konferencave Ipeshkvnore, e deri më 30 prill 2028, për skenën kontinentale, në përgatitje për Asamblenë Kishtare të tetorit 2028.

Grech: kohë për dallim të përbashkët

"Ne u propozojmë Kishave lokale jo një detyrë shtesë" - pohon Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit - por një kohë dallimi dhe falënderimi të përbashkët, në të cilën mund të rilexojmë së bashku atë që Shpirti po bën të rritet në Kishë dhe të njohim hapat që jemi të thirrur të ndërmarrim. Asambletë nuk janë konsultim sociologjik apo proces diskutimi, as vlerësim teknik, por më tepër, përvojë e fuqishme kishtare dhe shpirtërore dallimi: një çast sinteze dhe ripërtëritjeje e udhëtimit, në mënyrë që shkëmbimi i dhuratave ndërmjet Kishave të bëhet përvojë konkrete dhe sinodaliteti të jetë gjithnjë e më shumë në stilin e zakonshëm të jetës kishtare, në shërbim të misionit".

Dokumenti nënvizon se përbërja e Asambleve duhet të jetë në përkim me qëllimin e tyre dhe se përzgjedhja e pjesëmarrësve duhet të sigurojë vëmendje të mjaftueshme ndaj marrëdhënies ndërmjet burrave dhe grave, ndërmjet  brezave të ndryshëm, ndaj diversitetit kulturor dhe kishtar - duke përfshirë priftërinjtë, diakonët, gratë dhe burrat e shuguruar, anëtarët e shoqatave, lëvizjet dhe komunitetet e reja, besimtarët që nuk përfshihen në strukturat e organizuara - si dhe praninë e njerëzve të brishtë a të mospërfillur.

Vëmendje e veçantë i kushtohet përfshirjes së priftërinjve të famullisë. Kur është e përshtatshme, përfaqësues të Kishave të tjera dhe bashkësive të krishtera, ose feve të tjera, gjithashtu mund të marrin pjesë. Sidoqoftë, është themelore që individët e zgjedhur të jenë të gatshëm për të mbështetur procesin përtej vitit 2028, duke ndihmuar në sigurimin e vazhdimësisë së tij. Përgjegjësia për procesin i takon ipeshkvit dioqezan ose heparkial për asambletë lokale, presidentit të Konferencës Episkopale për asambletë kombëtare ose rajonale dhe krerëve të organeve kontinentale në atë nivel. Ekipet sinodale, aktive në të gjitha nivelet, janë përgjegjëse për organizimin dhe koordinimin e tij.

Metodologjia

Lidhur me metodologjinë, dokumenti fton për ruajtjen e bisedës në Shpirt, e përdorur dhe e përhapur gjerësisht, si referenca metodologjike e preferuar. Dokumenti është pjesë e fazës së zbatimit të Sinodit, faza e tretë e procesit të përshkruar në Kushtetutën Apostolike Episcopalis Communio, pas konsultimit të Popullit të Zotit. (2021-2023) dhe faza festive, që kulmon në dy seancat e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, në tetor 2023 dhe në tetor 2024. E përuruar nga Papa Françesku me paraqitjen e Dokumentit përfundimtar, kjo fazë u konfirmua dhe u promovua nga Leoni XIV. Teksti i sotëm i jep formë më konkrete asaj që ishte parashikuar tashmë në Skicat për fazën e zbatimit të Sinodit (29 qershor 2025).

Së bashku me Dokumentin përfundimtar dhe skicat, procesi shoqërohet edhe nga Raportet përfundimtare të Grupeve të studimit, krijuar nga Papa Françesku pas seancës së parë të Asamblesë, që do të publikohen progresivisht në faqen e internetit www.synod.va.

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit do të vërë në dispozicion materiale, shtesë pune, dhe do të organizojë seanca formative online që të mbështesë përgjegjësit për procesin në Kishat lokale.

29 maj 2026, 10:55