Shën Jozefi, simbol i dinjitetit të punës
R.SH. - Vatikan
Më 1 Kisha Kisha katolike romake kremton festën liturgjike të Shën Jozefit, zdrukthëtar, themeluar nga Papa Piu XII, më 1 maj 1955. Shën Jozefi, figurë qendrore në traditën e krishterë dhe, në mënyrë të veçantë, në doktrinën shoqërore të Kishës.
Jozefi na paraqitet si model i drejtësisë, përgjegjësisë, punës dhe shërbimit: gjithçka në heshtje, pothuajse në hijen e bashkëshortes Marisë, në hijen e Jezusit. Kisha e paraqet shën Jozefin jo vetëm si kujdestar të Familjes së Shenjtë, por edhe si shembull për të gjithë punëtorët, etërit e familjes dhe ata që janë të thirrur të jetojnë rolin e tyre shoqëror me përvujtëri dhe përkushtim.
Shën Jozefi, fati i Marisë dhe mbrojtësi i Jezusit, në historinë e shëlbimit ka një rol e vend të pazëvendësueshëm. Përmes kujdesit atëror për Jezusin shën Jozefi i Nazaretit, në krye të Familjes Hyjnore nga Nazareti, plotësoi katërcipërisht misionin e marrë nga Zoti dhe u bë model shembullor i asaj përvuajtërie bujare, që krishterimi e ngre në majat më të larta, u bë dëshmitar i atyre virtyteve të përbashkëta, njerëzore e të thjeshta, të nevojshme që njerëzit të jenë ndjekës të ndershëm e të vërtetë të Krishtit.
Me prejardhje të mbretërisë së Davidit, Jozefi ka qenë me profesion zdrukthëtar. Shën Mateu, apostull e ungjilltar, thotë për të se Jozefi ka qenë i drejtë, që domethënë i virtytshëm dhe burri i shenjtë. Ka qenë i habitur kur e ka parë se Maria është shtatzënë, pa e ditur se si kishte ndodhur kjo. Jozefi ka qenë i sigurt se Maria është grua e ndershme dhe për t`iu ikur thashethemeve dhe të gjitha gjërave negative që do të vijonin, ka vendosur ta lëshojë fshehurazi.
E pra kur Engjëlli i Zotit e mësoi se Maria ka mbetë shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, Jozefi e pranoi pa frikë planin e Zotit. Me Marinë shkoi në Betlehem për tu regjistruar dhe atëherë lindi Jezusi. Pastaj ka ikur në Egjipt me kërcënimin e Herodit se ka për ta vrarë Jezusin. Ka shtegtuar me Jezusin dymbëdhjetë vjeçar dhe me Marinë prej Nazaretit vendit të lindjes në Jerusalem dhe me brengosje e ka kërkuar Jezusin, që kishte mbetur me popull. Për jetën e mëvonshme dhe kur ka vdekur nuk dimë asgjë.
Nderim i Shën Jozefit ka filluar rreth vitit 850 në Rajenau (Reichenau), më vonë nderimin e shën Jezofitt e kanë nxitur veçanërish Shën Bernardi Klarvu-i (Clairvaux), Shën Tereza e Avilës, Shën Françesk Salesi, Gjon Gersoni, françeskanët dhe papa Siksti IV, i cili e ka futur festën e Shën Jozefit të obligueshme për tërë Kishën. Në popuj të ndryshëm në mënyra të ndryshme nderohet Shën Jozefi. Ai është pajtor i të sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes dhe është shembull i jetës familjare dhe tregon se si duhet shërbyer Jezusit, shpëtimtarit të njeriut.
Edhe në Besëlidhjen e Re të Biblës Jozefi mbetet disi gjithmonë në prapavijë – nuk bie shumë në sy: asnjë fjalë nuk është mbartur më vonë për të. Duket sikur ka mbetur pa gojë kur e dëgjon Zotin në ëndërr dhe lejon të udhëhiqet prej tij. Edhe kur e sjellin Jezusin e vogël në tempull, flet vetëm Maria (Lk 2, 41-51). Edhe për vdekjen e tij nuk flitet asgjë, Jozefi thjesht largohet prej skenës.
Si Kisha ortodokse ashtu edhe ajo katolike e nderojnë Jozefin si shenjtë. Në Kishën e lindjes kulti i Jozefit fillonshumë herët. Për herë të parë përmendet në një martirologji të perëndimit vetëm rreth vitit 850.
19 marsi ka qenë prej shekullit 10 dita e kujtimit të tij – qëllimisht i vendosur, për ta zëvendësuar festën e Minervës, perëndeshës romake të punëtorëve. Prej vitit 1621 është festë në kalendarin romak. Kulti i Jozefit përhapet prej shekullit 14 veçanërisht prej rregulltarëve.
Papa Klementi X me 1670 e ngrit ditën e Shën Jozefit në ditë feste. Me 1714 e pasuron Papa Klementi XI (shqiptar) festën me një formular të veçantë të meshës dhe shërbesë të fjalës; Papa Benedikti XIII e fut emrin e Jozefit në litanitë e gjithë shenjtërve. Papa Piu IX e emëron Jozefin në vitin 1870 për pajtor të krejt Kishës Katolike, kurse Papa Piu XI e emëron në vitin 1937 për pajtor të të gjithë atyre që e luftojnë komunizmin. Festa e Shën Jozefit punëtor, u vendos nga papa Piu XII në vitin 1955 si ditë përkujtim, që Jozefin duhej lidhur me ditën e punës me 1 maj.
Edhe sot emri Jozef është i përhapur në mbarë botën me qindra variante nacionale (në shqip: Zef, Jozef ... në gjermanisht: Joseph, Sepp, Jupp, Beppo, Joop ose Joschka; kroatisht: Josip, Joska etj., italisht: Giuseppe ... etj.). Sot ekzistojnë shumë famulli kishtare dhe popuj që e nderojnë si pajtorin e tyre qiellor. Edhe pse Jozefi nuk mund të barazohet me Marinë, Nënën e Zotit, që është Hirëplote, pikërisht përvujtëria dhe besnikëria e tij, e bëjnë një shenjtë të madh, që dita ditës është zbuluar. Një është e sigurt: roli i Jozefit në historinë e shëlbimit është i pazëvendësueshëm.
Zgjodhëm, për ta kujtuar festën e Shën Jozefit punëtor, tekstin e një kënge të traditës, shkëputur nga oficja Visari Shpirtnuer1.
Shën Jozefit
(Nga tradita)
Bashkë në një za le të bahemi
Sh’Jozefin me nderue,
Fatin e së dlirtës Virgjin,
Rojsin e Krishtit Zot!
Rueje Sh’Jozef, e ndrite,
Kishën n’shkamb themlue,
Shpirtin na e mbaj larg t’zezave,
Mbi ne shpraz hire plot!
1 Visari Shpitnuer, Winterberg-Çekoslovakí, 1936, fq. 533