Kërko

Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, në Casina Pio IV Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, në Casina Pio IV

Kard. Parolin: Shëndeti mendor i të rinjve, emergjencë që kërkon përgjigje strukturore

Kriza e sensit në qendër të fjalimit të Sekretarit të Shtetit kardinali Parolin në konferencën mbi shëndetin mendor, teknologjitë dixhitale dhe edukimin që po zhvillohet në Casina Pio IV në Vatikan: "Shoqëria u ofron të rinjve çdo mjet, por asnjë qëllim". Kardinali Parolin tha se shumë të rinj vuajnë nga ankthi, depresioni dhe mungesa e kuptimit në jetë, sidomos pas pandemisë. “"Shoqëria u ofron të rinjve çdo mjet, por jo qëllim".

R.SH. / Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, paralajmëroi se kriza e shëndetit mendor te të rinjtë përbën një emergjencë globale që kërkon investime dhe politika afatgjata në arsim, familje dhe teknologji digjitale. 

Lidhja e thellë ndërmjet arsimit, i cili "ndodhet në udhëkryqin e tensioneve të shumëfishta"; e "krizave të kuptimit" të "një shoqërie që u ofron të rinjve çdo mjet, por asnjë qëllim"; "përgjegjësia e stërmadhe" për "vendimet" dhe "politikat", “me efekte që do të zgjasin ndër breza". Ky,  thelbi i fjalimit i Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin, sot paradite, në konferencën ndërkombëtare, titulluar "Hartat e Shpresës për një Axhendë Arsimore Rajonale: shëndeti mendor, teknologjitë dixhitale dhe arsimi", që zhvillohet sot dhe nesër në Casina Pio IV, në Vatikan.

Në takim marrin pjesë ministrat e arsimit nga vendet Ibero-Amerikane, së bashku me ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, për të reflektuar mbi sfidat kryesore bashkëkohore arsimore. Kardinali Parolin e quajti takimin "veçanërisht të rëndësishëm e edhe në kohën e duhur", duke kujtuar "ndërgjegjësimin, gjithnjë e më të përhapur në bashkësinë ndërkombëtare, se arsimi nuk është thjesht çështje tjetër në axhendën politike, por shtyllë e zhvillimit integral njerëzor, e bashkëjetesës paqësore dhe e drejtësisë sociale".

Ardhmëri më njerëzore

Posaçërisht, në lidhje me hapësirën iberoamerikane, Kardinali vëren se "sistemet edukative të rajonit, ndonëse kanë bërë përparime të konsiderueshme në dekadat e fundit në aspektin e hyrjes dhe të mbulimit, sot përballen me sfida cilësore, që kërkojnë përgjigje të reja: formimin integral të personit, zhvillimin e aftësive socio-emocionale, mbrojtjen e më të ligshtëve dhe integrimin e përgjegjshëm të teknologjive dixhitale". Këto janë "sfida që nuk mund të adresohen me ndërhyrje sektoriale ose të fragmentuara, por kërkojnë bashkëpunim të strukturuar, shumëdimensional dhe të qëndrueshëm me kalimin e kohës". E janë sfida që Selia e Shenjtë i ka përqafuar gjithmonë, në mbarë botën, me bindjen se "arsimi është një nga format më të larta të bamirësisë dhe një nga mjetet më efektive në shërbim të dinjitetit njerëzor dhe të së mirës së përbashkët". Prej këndej, thirrja e Sekretarit të Shtetit për të "skicuar shtigje konkrete, realiste dhe të përbashkëta, që çojnë nga ardhmëria më e drejtë e më humane".

Pakti Edukativ Global

Është e qartë kujtesa e Paktit Global mbi Arsimin, që Papa Françesku e nisi në vitin 2019, në mënyrë që të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira të mund të bashkohen në "një aleancë për arsim, të aftë për të krijuar vëllazëri, paqe e drejtësi". Kjo perspektivë është ajo që tregohet në letrën apostolike "Të vizatosh harta shprese", nënshkruar nga Leoni XIV më 27 tetor 2019, me rastin e gjashtëdhjetë vjetorit të Deklaratës konciliare Gravissimum Educationis. Në atë tekst, thekson Kardinali Parolin, Ati i Shenjtë kujtoi se arsimi nuk është aktivitet shtesë, por formon vetë strukturën e misionit të Kishës në botë. Bëri edhe thirrje për ndërtimin e një 'konstelacioni global arsimor', në të cilin çdo institucion, çdo komunitet, çdo subjekt edukativ arsimor, si yll në qiell, shkëlqen me dritën e vet dhe, në të njëjtën kohë, kontribuon në përcaktimin e një kursi të përbashkët". Prandaj, Kardinali Parolin sqaron se ekzistojnë tre "prioritete të reja që pasurojnë shtigjet e Paktit Global mbi Arsimin: kujdesi për jetën e brendshme, dixhitalizimi njerëzor dhe edukimi për paqen". Këto janë pikërisht çështjet të cilave u kushtohet takimi.

Emergjenca e të rinjve

Çështja e shëndetit mendor meriton vëmendje të veçantë, përsërit Kardinali Parolin, duke deklaruar se "të dhënat janë treguese e, në shumë mënyra, alarmante" e edhe se "në shumë kontekste, këto çrregullime mbeten të padiagnostikuara dhe pa trajtim të përshtatshëm, veçanërisht aty ku cenueshmëria socioekonomike është më e mprehtë". Në zemër të problemit janë të rinjtë, me nivele të rritura ankthi, depresioni dhe shqetësimi psikologjik në epokën pas pandemisë.

Përballë tundimit për ta "reduktuar problemin në çështje klinike, duke ia besuar plotësisht sistemit të kujdesit shëndetësor", Kardinali Parolin kujton: "Kisha gjithmonë ka mësuar se personi njerëzor është pjesë e pandashme e trupit, e mendjes dhe e shpirtit", e më pas përcakton një vizion edukativ, që e neglizhon një nga këto dimensione si "të gjymtuara". Do të ishte "i paaftë t'i përgjigjej plotësisë së nevojës njerëzore". Nga ana tjetër, duhet të përsërisim "nevojën për ta njohur dhe për ta kultivuar këtë unitet: t'u ofrojmë të rinjve jo vetëm aftësinë dhe njohurinë, por edhe mjetet për ta kuptuar veten, për t’i frenuar emocionet e tyre, për të ndërtuar marrëdhënie kuptimplote, për të gjetur kuptim në ekzistencën e tyre". Kjo është çka tradita e krishterë e quan "kujdes për shpirtin" dhe - shton Kardinali Parolin - është ajo që mençuria më e mprehtë pedagogjike e përkthen sot në gjuhën e aftësive socioemocionale dhe të mirëqenies psikologjike.

Roli i shkollave dhe i familjeve është i pamohueshëm. Shkollat ​​"duhet të aspirojnë të jenë vend mbrojtjeje, njohjeje dhe kujdesi", mjedis në të cilin "çdo nxënës ndihet i parë, i dëgjuar, i mbështetur". E pikërisht për këto qëllime, ato duhet të jenë në gjendje të kenë "burimet e nevojshme". Lidhur me "rolin themelor të familjeve dhe komuniteteve lokale", Kardinali Parolin sqaron: nëse familja "mbështetet dhe shoqërohet,  përfaqëson faktorin më të fuqishëm mbrojtës për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të adoleshentëve". Por nëse "lihet vetëm për t'u përballur me presionet ekonomike, sociale dhe kulturore, aftësia e saj mbrojtëse dobësohet, ndërsa rreziku i vështirësive shtohet".

Njeriu para algoritmeve

Këtej shtohet edhe çështja e marrëdhënies ndërmjet arsimit dhe teknologjive dixhitale. Kjo, kujton Kardinali, është tema që Letra Apostolike e Papës Leoni XIV trajton me vetëdije të qartë, duke bërë thirrje për promovimin e një "njeriu dixhital" që i vendos njerëzit para algoritmeve dhe harmonizon format e ndryshme të inteligjencës: teknike, emocionale, sociale, shpirtërore dhe ekologjike. Çështja është se ndërsa teknologjitë dixhitale përfaqësojnë mundësi të jashtëzakonshme për arsimin, "veçanërisht në një rajon të gjerë dhe të larmishëm si Amerika Latine", veçanërisht "për të zvogëluar pabarazitë arsimore", në të njëjtën kohë, "ekspozimi intensiv ndaj mjediseve dixhitale, veçanërisht në mungesë të mjeteve kritike dhe mbështetjes arsimore të përshtatshme, mund të krijojë efekte thellësisht negative në shëndetin mendor të të rinjve". Kardinali Parolin flet për "vëmendje të fragmentuar, varësi nga ekrani, ngacmim kibernetik, izolim social, mbingarkesë informacioni dhe ekspozim ndaj përmbajtjes së papërshtatshme, ose të dëmshme". Sfidë nuk do të thotë të pranohen ose të refuzohen teknologjitë, por të qeverisen, gjë që do të thotë "të investohet në trajnimin dixhital për mësuesit dhe në zhvillimin e kurrikulave që integrojnë aftësitë dixhitale me aftësitë socio-emocionale".

Rreziku, i deklaruar shprehimisht, është vetë çështja që Kard. Parolin e përcakton si qendrore: “Përmasa e jetës së brendshme dhe  kërkimi i kuptimit do të mbeten të kufizuara”. Edhe në këtë rast, vjen në ndihmë letra apostolike e lartpërmendur, e cila, duke folur për "kujdesin ndaj jetës së brendshme", i drejtohet çdo sistemi edukativ”.

Shpresa, virtyt bashkëkohor

Është pikërisht bindja se kriza e shëndetit mendor tek të rinjtë nuk mund të  quhet thjesht krizë klinike, por "krizë kuptimi", që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë horizontet e mundshme të shpresës. "Shumë të rinj ndihen të çorientuar jo sepse u mungojnë informacioni ose mjetet, por sepse u mungon një horizont kuptimi, brenda të cilit të vendosin jetën, zgjedhjet e tyre, shpresat e tyre", pohon Kardinali Parolin. "Një shoqëri që u ofron të rinjve çdo mjet, por jo qëllim; çdo lidhje, por jo marrëdhënie autentike; çdo përgjigje, por jo pyetje të thellë - është shoqëri që, pavarësisht pamjes, i braktis ata". Për më tepër, "në një botë të prekur nga konflikti, pabarazia dhe kriza ekologjike që kërcënon të ardhmen e brezave të rinj, shpresa është virtyt jashtëzakonisht i kohës", pranon Kardinali Parolin. Është "themeli i çdo angazhimi për të mirën e përbashkët, i çdo investimi në arsim, i çdo kujdesi për më të prekshmit". Vizatimi i hartave të shpresës, siç na kërkon Ati i Shenjtë - shpjegon ai - do të thotë pikërisht këtë: hartimi i shtigjeve konkrete, realiste, të përbashkëta që çojnë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më humane. Qëllimi përfundimtar është gjithmonë shërbimi ndaj të mirës së përbashkët.

Për më tepër, nëse "arsimi është terreni i privilegjuar i kësaj shprese", "arsimi ka detyrën dhe privilegjin e hapjes së horizonteve të kuptimit". Nuk ka të bëjë me imponimin e përgjigjeve të parapërgatitura, përsërit Kardinali Parolin, por me "shoqërimin e të rinjve në zbulimin e pyetjeve që banojnë brenda tyre, në angazhimin me traditat e mëdha të mendimit dhe  përshpirtërisë së njerëzimit, në zhvillimin e asaj aftësie për reflektim dhe dallim, që është themeli i çdo lirie autentike".

Investime e bashkëpunim

I vetëdijshëm për "përgjegjësinë e madhe" e, në të njëjtën kohë, për "privilegjin e jashtëzakonshëm" të politikës, Kardinali Parolin u kërkon ministrave e ministreve të "sjellin në kryeqytetet tuaja, parlamentet tuaja, Këshillat tuaja të Ministrave, ndërgjegjësimin se shëndeti mendor i të rinjve është emergjencë, që kërkon përgjigje strukturore: investime të përshtatshme, bashkëpunim ndërministror, ​​integrim ndërmjet politikave të arsimit dhe të shëndetit, formim e mbështetje për mësuesit, si dhe përfshirjen e familjeve dhe të komuniteteve".

Në fund të fundit, shpresa themelore: "Uroj që ky takim të jetë vërtet çka premton titulli i tij: mundësi për të vizatuar harta të reja shprese, në mënyrë që të rinjtë tanë të mund të gjejnë në shkollë, në komunitet, në shoqëri, mjetet dhe horizontet që u nevojiten për të jetuar jetë të plota, të lira dhe kuptimplote. Siç shkroi Papa Leoni XIV: 'Jini shërbëtorë të botës arsimore, koreografë të shpresës'. Uroj që ky të jetë angazhimi ynë i përbashkët".

29 maj 2026, 15:55