Kërko

2026.05.06 Santa Messa - Giuramento Guardia Svizzera Pontificia

Parolin për Rojet Zvicerane: afër Zotit, në një jetë përvujtërie e shërbimi

Në meshën e kremtuar sot paradite, 6 maj, në Bazilikën e Vatikanit, përpara betimit të rojeve të reja zvicerane, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë kujtoi se jeta bëhet e frytshme nëse mbetemi të bashkuar me Zotin, duke ia dhuruar veten plotësisht Atij. Më pas, i nxiti ta lexojnë shpesh Fjalën e Zotit për ta kuptuar zemrën e tyre në thellësi

R.SH. – Vatikan

Ashtu si shermendi i hardhisë jep fryte, ashtu edhe "shërbimi juaj i përditshëm, si në pozita të rëndësishme, ashtu edhe në ato më të përvuajtura" është shprehje e së mirës "falas, pa pritur shpërblim, sepse je më i lum kur jep, sesa kur merr". Duke u frymëzuar nga fragmenti i Ungjillit sipas Gjonit, në liturgjinë e sotme, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin iu drejtua rekrutëve të rinj të Gardës Zvicerane Papnore, në fillim të homelisë së meshës, që ai vetë e kremtoi sot, 6 maj, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në ditën e përkujtimit të Plaçkitjes së Romës në vitin 1547, kur 147 roje zvicerane humbën jetën duke mbrojtur Papën Klementin VII, 28 prej tyre bëjnë betimin solemn, me një ceremoni, në orën 17.00, në Sallën Pali VI, në prani të Papës Leoni XIV.

  (@VATICAN MEDIA)

Të bashkuar me Zotin

Kardinali—pasi përshëndeti, ndër të tjerë, Komandantin e Rojeve, Christoph Graf, si edhe autoritetet civile dhe ushtarake të pranishme—kujtoi shprehjen “që përbën thelbin e fjalës së Jezusit: ‘Unë jam hardhia, ju jeni shermendet’. Kështu, theksoi ai, “Zoti na tregon lidhjen tejet të fortë, që na bashkon me Të”, një lidhje jetike. Vërtet, nëse “shermendi ndahet nga hardhia, vdes dhe bëhet i padobishëm”, por ndodh krejt ndryshe nëse jeton me limfën e hardhisë, duke dhënë fryt. Prandaj, nënvizoi Sekretari i Shtetit, “nëse mbetemi të bashkuar me Zotin, jeta jonë bëhet e frytshme”, duke u sjellë të mira të gjithëve dhe duke na bërë të eksperimentojmë, “në dhurimin bujar të vetvetes, një ndjenjë plotësie dhe gëzimi”.

Rruga për t’u jetuar

Këto fjalë të Ungjillit, përsëriti kardinali Parolin, duhet të bëhen "ylli polar", pika e referimit për shërbimin ndaj Papës dhe Kishës universale, pasi ato përshkruajnë "rrugën për t'u ndjekur, udhëtimin për t’u jetuar", në të cilin "duhet të kemi gjithmonë parasysh se lidhja jonë jetike me Jezu Krishtin Zot shtohet me ngrohtësinë e Shkrimeve të Shenjta". Pa "dëgjimin e përditshëm dhe të bindur të Fjalës së Zotit", theksoi prelati, "jeta jonë nuk ndryshon dhe ka rrezik të marrë një shteg të vetin e ta humbë rrugën", për t’u vyshkur pastaj, ashtu si shermendi i shkëputur nga hardhia.

  (@Vatican Media)

Fjala e jetës

Në shëmbëlltyrën e hardhisë dhe të shermendeve, vuri në dukje kardinali, ne gjejmë edhe "tri hapa vendimtare në veprën e heshtur dhe të fshehur me anë të së cilës Fjala e Zotit, duke na plazmuar, na bën dishepuj të vërtetë të Krishtit": purifikimi, qëndrimi dhe dhënia e fryteve. Purifikimi, të cilin Parolin e krahasoi me krasitjen, është një proces i ndërlikuar, sepse "përfshin edhe prerje të thella, nganjëherë, shumë të dhimbshme. Megjithatë… dega e krasitur bëhet më e fortë dhe ato prerje bëhen për një të mirë më të madhe". Fjala e Zotit, në fakt, nuk shërben për të na kujtuar gabimet tona, por për të na gjallëruar në jetën e krishterë, vërejti Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Të njohim zemrën e Jezusit

Qëndrimi në Zotin është çasti qendror, aty ku mbërrihet pas purifikimit, shpjegoi kardinali, është burimi, nga i cili rrjedh frytshmëria e secilit. "Faqet biblike na ndihmojnë ta kuptojmë thellë butësinë e Tij dhe ta duam e t'i bindemi Atij si bij, jo si skllevër". Në thelb, theksoi Parolin, "mund të themi se mbetemi në Jezu Krishtin Zot, kur ia kemi njohur zemrën". Hapi i tretë, dhënia e fryteve, vjen menjëherë pas; shermendi i hardhisë jep fryt jo për vete, por për të tjerët. Prandaj, nuk mjafton të jemi aktivë, por "të impenjohemi, sepse na nxit fryma ungjillore". Gjithmonë me përvujtërinë si dritë udhërrëfyese: "Nëse kam përvujtëri e fe, nuk mund ta humbas rrugën", përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

  (@Vatican Media)
06 maj 2026, 12:13