Kërko

Piu XII midis turmës pas bombardimit të Romës në vitin 1943 Piu XII midis turmës pas bombardimit të Romës në vitin 1943

Në Romë, konferenca "Eugenio Pacelli - Piu XII ndërmjet qytetit të Zotit dhe qytetit të njeriut"

Më 4 maj, në kuvendin e Santa Maria sopra Minerva, në Romë, nën presidencën e Kardinal Mamberti, do të flasin Johan Icks, drejtor i Arkivit historik të Seksionit për Marrëdhëniet e Sekretarisë së Shtetit, me Shtetet; Imzot Stefan Heid, rektor i Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë; Atë Fabrizio Cambi, epror i kuvendit të Santa Maria sopra Minerva, e Andrea Tornielli, drejtor editorial i mediave të Vatikanit. Sintezën e paraqitjes së tij do ta ndjekim më poshtë.

R.SH. / Vatikan

Ndërmjet çasteve më domethënëse të periudhës së kaluar nga Eugenio Pacelli, përkrah Piut XI si Sekretar i Shtetit të Vatikanit, është padyshim mbrojtja e Kardinalit George William Mundelein, Kryeipeshkëv i Çikagos i cili, më 18 maj 1937, në një fjalim me dyer të mbyllura para meshtarëve të tij, pati  shqiptuar fjalë të ashpra kundër Adolf Hitlerit: "Ndoshta do të më pyesni se si është e mundur që një komb prej gjashtëdhjetë e gjashtë milionë burrash, e burra inteligjentë, t'i nënshtrohet një të huaji, një tapicieri austriak dhe një njeriu të kotë, siç më është thënë, e edhe disa bashkëpunëtorëve si Goebbels dhe Göring, të cilët vendosin për çdo lëvizje të popullit gjerman". Kardinali Mundelein shkoi aq larg sa të sugjeronte në mënyrë polemike se truri i gjashtëdhjetë e gjashtë milionë gjermanëve ishte hequr pa dijeninë e tyre. Ishte një deklaratë shumë e fortë, e dhënë pa asnjë shqetësim diplomatik, nga një klerik që jetonte mijëra kilometra larg Evropës. Fjalët e tij u riprodhuan në faqet e para të të gjithë gazetave amerikane.

Protesta gjermane dhe përgjigja e Pacellit

Më 24 maj, Ambasadori gjerman von Bergen kërkoi - e iu dha - një takim me Kardinalin Sekretar i Shtetit të Vatikanit, të cilit i dorëzoi një copë letër me fillimin e letrës së Ambasadës Gjermane, pa datë dhe pa firmë, që përmbante një protestë të fortë nga qeveria e Berlinit ndaj vërejtjeve të Kryeipeshkvit të Çikagos. Pacelli iu përgjigj gojarisht, por po atë ditë von Bergen i dërgoi një transkript të asaj që kishte thënë atë mëngjes: "Ndaj komunikimit që sapo më është bërë për një fjalim të Shkëlqesisë së Tij Kardinal Mundelein, i lejoj vetes të përgjigjem me një vëzhgim dhe një kundërpyetje”:

1) Nuk jam mësuar të komentoj fjalime për të cilat - si në rastin aktual - ende nuk ka tekst të pakundërshtueshëm dhe të besueshëm.

2) Edhe nëse një tekst i tillë do të ishte tashmë i disponueshëm, nuk do të isha në gjendje të mbaja qëndrim mbi komunikimin që më është bërë derisa të marr një përgjigje të qartë, përfundimtare dhe të kënaqshme për pyetjen e mëposhtme: çfarë ka bërë qeveria gjermane dhe çfarë synon të bëjë në të ardhmen, kundër fyerjeve dhe shpifjeve të ulëta, kundër shpifjeve fyese, të cilat përsëriten çdo ditë në gazetat dhe periodikët gjermanë, si dhe në fjalimet e figurave edhe të shquara, kundër Kishës, institucioneve kishtare, Papës, Kardinalëve, Ipeshkvijve, Meshtarëve e kështu me radhë? Për të lehtësuar barrën mbi Shkëlqesinë Tuaj, do t'i përgjigjem vetë pjesës së parë të pyetjes: Qeveria gjermane  ̵  pavarësisht të gjitha protestave të saj - nuk ka bërë asgjë kundër të gjitha këtyre. Përkundrazi, ajo vetë ka përgjegjësi, sepse zyrat shtetërore e partiake, dhe veçanërisht Ministria e Propagandës, kryesisht organizojnë dhe drejtojnë një qëndrim të tillë në botime dhe fjalime, ose të paktën e inkurajojnë dhe nxisin atë me çdo mjet. Vetëm qeveria gjermane mund t'i përgjigjet pjesës së dytë të kundërpyetjes në lidhje me të ardhmen. Selia e Shenjtë pret, siç thashë, një përgjigje të qartë, përfundimtare dhe të kënaqshme për këtë çështje.

Presioni i Gjermanisë

Protesta iu kthye me forcë dërguesit: Selia e Shenjtë kërkoi llogari nga qeveria e Rajhut për protestat e shumta në lidhje me shkeljen e Konkordatit, mbetur pa përgjigje. Më 29 maj, i ngarkuari me punë i Ambasadës Gjermane, Fritz von Menshausen, i dorëzoi Pacellit një notë të re kërcënuese, qëllimi i së cilës ishte të merrte mohimin publik të Mundelein nga ana e Vatikanit. "Qeveria gjermane  ̵ shkruhet në dokument - është e detyruar të vërejë se Selia e Shenjtë po i lejon pa i korrigjuar këto sulme të papërshkrueshme publike nga një prej personaliteteve të saj më të larta kundër Personit të Kryetarit të Shteti gjerman, e me këtë të vazhdojë pa korrigjim. Në këtë mënyrë po i mbulon  para syve të botës".

Raporti i sekretarit të Shtetit

Ja transkriptimi i fjalëve të tij: "Selia e Shenjtë nuk mund ta korrigjojë ose ta dënojë vetë fjalimin e Hirësisë së Tij Mundelein. Do të ishte akt dobësie që vetëm sa do t'i bënte udhëheqësit e Nacional Socializmit dhe vetë Hitlerin edhe më arrogantë, pasi në vetëmashtrimin e tij ai beson se e gjithë bota duhet të përulet menjëherë përpara tij. Sigurisht, pjesa e fjalimit të Kardinalit Mundelein në lidhje me fjalët kundër kreut të shtetit gjerman ishte e pafat. Ai mund të ofronte, si të thuash, disa shpjegime publike vetë. Megjithatë, meqenëse qeveria gjermane publikoi Notën e Ambasadorit drejtuar Selisë së Shenjtë të 29 majit, publiku do të supozonte lehtësisht se deklarata e Kardinalit Mundelein u bë me udhëzimin dhe sugjerimin e Selisë së Shenjtë, e cila kështu do të dukej se më në fund i është dorëzuar imponimit të qeverisë".

Një tekst elokuent

Fragmenti është shumë elokuent e edhe një herë nxjerr në pah mendimet e Eugenio Pacelli-t mbi Hitlerin. Shkathtësia e kardinalit në paraqitjen e problemit para Papës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të Sekretarisë së Shtetit del në pah gjithashtu, duke siguruar se Kryeipeshkvi i Çikagos nuk do të tërheqë asnjë fjalë nga ajo që tha. Papa Piu XI pajtohet dhe mbështet mendimin e Pacellit, duke e quajtur atë "Sekretarin tonë Kardinal të Shtetit për të cilin nuk ka lëvdata të mjaftueshme".

Në përgjigjen e dërguar nga Pacelli në ambasadën gjermane katër ditë pas takimit, thuhet se Mundelein as nuk e përfaqësoi dhe as nuk foli në emër të Selisë së Shenjtë, e edhe se fjalimi i tij nuk ishte publik. Për më tepër, vihet re se Kryeipeshkvi i Çikagos është qytetar i lirë që ka ushtruar të drejtën e garantuar nga Kushtetuta e vendit të tij për të shprehur mendimin mbi personat dhe ngjarjet në Gjermani, gjë që ishin fyese për Papën dhe Kishën. Vatikani nuk refuzoi ta diskutonte rastin Mundelein, por përsëriti se për ta bërë këtë, kushtet e barabarta ishin të nevojshme, dhe për këtë arsye qeveria e Rajhut duhej të jepte shpjegime dhe përgjigje të përshtatshme për shumë protesta të bëra kot nga Selia e Shenjtë. Reagimi gjerman kështu nuk arriti asgjë. Në të vërtetë, më 17 korrik 1937, duke mirëpritur një grup shtegtarësh nga Çikago, Papa Piu XI vlerësoi qytetin amerikan dhe "Kryeipeshkvin e tyre Kardinal madhështor, kaq kërkues e të zellshëm në mbrojtjen e të drejtave të Zotit dhe të Kishës për shpëtimin e shpirtrave".

04 maj 2026, 18:06