Kërko

Një imazh i Qytetit të Vjetër të Jerusalemit Një imazh i Qytetit të Vjetër të Jerusalemit

Murgesha sulmohet në Jerusalem, arrestohet sulmuesi i dyshuar

Një murgeshë, studiuese në Shkollën franceze të kërkimeve biblike dhe arkeologjike, u sulmua në zonën e Malit Sion. Incidenti, për të cilin u arrestua një burrë 36-vjeçar i dënuar nga ministria e jashtme izraelite, është pjesë e një konteksti shqetësues dhune.

R.SH. / Vatikan

"Plaga e urrejtjes është sfidë e zakonshme": me këto fjalë, Atë Olivier Poquillon, drejtor i Shkollës franceze të kërkimeve biblike dhe arkeologjike në Jeruzalem, e komentoi dje në X sulmin kundër një murgeshe, ngjarje që ndodhi të martën pranë zonës së Varrit të Mbretit David, në Malin Sion. Murgesha franceze, 48-vjeçare, studiuese në Shkollën franceze të kërkimeve biblike dhe arkeologjike në Jeruzalem, u ndoq në rrugë nga një burrë që e rrëzoi përdhe dhe më pas e goditi me shqelma. Pamjet video të publikuara nga policia tregojnë edhe mavijosje në anën e djathtë të fytyrës së murgeshës.

Dhuna kundër anëtarëve të klerit

Policia izraelite njoftoi, të mërkurën, arrestimin e një burri 36-vjeçar, dyshuar për sulmin kundër murgeshës, duke shtuar se forcat e rendit e marrin "jashtëzakonisht seriozisht" çdo akt dhune "të motivuar nga qëllime të mundshme raciste dhe të drejtuar kundër anëtarëve të klerit". Në pritje të zhvillimeve gjyqësore lidhur me sulmin, Ati Poquillon i falënderoi "njerëzit që i erdhën në ndihmë gjatë sulmit, diplomatët, akademikët dhe të gjithë ata që dhanë ndihmë".

Mbrojtja e lirisë së kultit

Në ditët e fundit, drejtori i Shkollës franceze të kërkimeve biblike dhe arkeologjike denoncoi "sulmin e panevojshëm" kundër murgeshës, duke e dënuar "me forcë" atë që ndodhi. Ndërsa Ministria e Jashtme izraelite, në një postim në X, e quajti "akt të turpshëm", duke siguruar se Izraeli mbetet i gatshëm "për të mbrojtur lirinë e fesë dhe lirinë e adhurimit për të gjitha besimet". Ndërsa burri i arrestuar për sulmin "mbetet në paraburgim", kujtoi ministria izraelite, duke theksuar "politikën e fortë kundër dhunës dhe vendosmërinë për të ndjekur penalisht shpejt autorët". "Dhuna kundër individëve të pafajshëm, e veçanërisht kundër anëtarëve të bashkësive fetare, nuk ka vend në shoqërinë tonë", theksonte deklarata.

Armiqësia në rritje

Edhe Fakulteti i Shkencave humane i Universitetit Hebraik të Jeruzalemit shprehu, në një deklaratë, "tronditje dhe dënim të thellë" për sulmin. "Ky nuk është incident i izoluar, por pjesë e një modeli shqetësues të armiqësisë në rritje kundër bashkësisë së krishterë dhe simboleve të saj", deklaroi fakulteti. Në fillim të prillit, ushtria izraelite liroi nga detyra dy ushtarë, pasi ata vandalizuan një shtatore  të Krishtit në fshatin Debl, ​​​​në jug të Libanit, akt që shkaktoi dënim të gjerë.

01 maj 2026, 12:29